LAJMI I FUNDIT:

Sislej Xhafa i dhuron GKK-së një nga veprat e tij më të rëndësishme

Sislej Xhafa i dhuron GKK-së një nga veprat e tij më të rëndësishme

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, sot është mbajtur konferenca në të cilën artisti Sislej Xhafa njoftoi se kësaj galerie i dhuron veprën “Pavijoni Klandestin, 1997”, që është një ndër veprat e tij më të rëndësishme.

Xhafa u shpreh i lumtur që arriti ta pasurojë fondin e Galerisë së Arteve. Ndërkaq, foli për përvojën e tij si artist, që nga studimet në Firencë, deri te përfaqësimi i Kosovës në Bienale.


“Këtu jam rritur, këtu kam luajtur si fëmijë dhe me kënaqësi kontribuoj për një institucion si Galeria Kombëtare që më ka përkrahur çdoherë”, ka thënë ai.

I pyetur për ekspozitën e vitit të kaluar, Xhafa tha se i mori me sportivitet kritikat.

“Arti është ndjenjë. Natyrisht, mund të pëlqehet ose jo por në thelb janë ndjenjat që artisti i shpreh. Arti krijon mbresa të paharruara. Unë uroj që gradualisht situata e artistëve të përmirësohet, sepse rruga e artistit është e gjatë dhe shpeshherë e varfër”, potencoi ai. “Uroj të vijnë njerëz që do t’ju shërbejnë artistëve dhe t’i përkrahin ata dhe institucionet artistike që të kenë hapësirat dinjitoze për t’i shfaqur krijimet e tyre”.