Shtyhet seanca për ish-presidentin Meta, shkak u bë mungesa e avokatit të Monika Kryemadhit

Seanca paraprake për dosjen e ish-presidentit Ilir Meta është shtyrë këtë të martë për shkak të mungesës së avokatit të Monika Kryemadhit. Seanca është shtyrë për më datë 11 nëntor.
Seanca nisi në orën 09:00 dhe gjyqtarja Irena Gjoka pritej të vendoste nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme.
Avokati Kujtim Cakrani ka folur për mediat ku u shpreh se do të vazhdojnë betejën me gjyqtaren për ta larguar nga kjo çështje. Ai theksoi se gjyqtarja ka vazhduar afatet e pezullimit të paraburgimit për Metën, raporton euronews.al
“Sot ne kemi pasur një tension me gjyqtaren dhe jo me prokurorët. Prokurorët janë në të drejtën e tyre edhe pse kanë shkelur ligjin. Ne do të vazhdojmë betejën me gjyqtaren, ajo ka marrë një vendim të rrezikshëm tjetër, duke vazhduar pezullimin e afateve të paraburgimit për zotin Meta edhe pse unë isha prezent.
Sot ka vazhduar me pezullimin e afateve, Gjoka nuk është gjyqtare e aftë edhe juridikisht por e ka për politikisht edhe natyrisht e shantazhueshme juridikisht nga ana e SPAK për faktet se ajo është në hetim. Ne do vazhdojmë betejën për largimin urgjent të gjyqtares”, tha Cakrani.
Ish-presidenti Meta është i arrestuar që prej tetorit të vitit të kaluar dhe është akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimet ndaj tij u mbyllën nga SPAK më 28 korrik, ndërsa dosja u kalua për gjykim në fund të gushtit.
Ndërkohë GJKKO ka rrëzuar kërkesat e Metës për ndryshimin të masës së sigurisë ndërsa më 16 tetor, edhe Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-presidentit për të njëjtën kërkesë.

















































