Shtëpia e Bardhë sulmon median prestigjioze amerikane Politico: Ka ndikim të huaj

Shtëpia e Bardhë nisi sot një sulm të ashpër ndaj medias amerikane Politico, duke e akuzuar atë për kryerjen e një "operacioni të ndikimit të huaj".
Arsyeja për këtë reagim është një artikull që kritikon negociatat e Steve Witkoff, të dërguarit special të Presidentit Donald Trump për Ukrainën.
Bëhet e ditur se zëvendëspresidenti amerikan JD Vance udhëhoqi sulmet ndaj Politico, e cila është në pronësi të gjigantit gjerman të medias Axel Springer që nga viti 2021.
Artikulli i kontestuar citon zyrtarë të paidentifikuar të cilët pretendojnë se "mungesa e përvojës së Witkoff është qartë e dukshme" në bisedat e tij me presidentin rus Vladimir Putin.
"Kjo histori e Politico është një gabim gazetaresk. Por është më shumë se kaq: është një operacion i ndikimit të huaj i projektuar për të dëmtuar administratën dhe një nga anëtarët tanë më efektivë", tha Vance.
Vance iu bashkuan zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë.
Zëvendësshefi i Shtabit, James Blair, e quajti artikullin "një operacion ndikimi të huaj të kryer përmes një media online të kontrolluar nga Gjermania".
Por, pavarësisht seriozitetit të akuzave, zyrtarët nuk kanë ofruar prova për të mbështetur pretendimet për përfshirje nga një qeveri e huaj ose ndonjë organizatë tjetër.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që administrata Trump ka mbrojtur Witkoff, manjatin e pasurive të patundshme të cilin Trump e emëroi si të dërguar special për bisedimet e paqes në Ukrainë dhe Gaza, pavarësisht mungesës së tij të plotë të përvojës diplomatike.
Artikulli në Politico është vetëm një nga një seri artikujsh të botuar ditët e fundit, përfshirë një në The Atlantic, i cili pretendon se negociatat e Witkoff me Rusinë kanë shkaktuar konfuzion. /Telegrafi/


















































