Site icon Telegrafi

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1920, 1930, 1940… 2020!?

Karikaturë e punuar nga mjeshtri Murat Ahmeti

Vitet që përfundojnë me zero, në prag të dekadës apo shekullit apo mileniumit të ri… janë vite të mërzitshme, por që u prijnë proceseve dhe ndryshimeve më të mëdha…

VITI 1920: SHQIPËRIA INDIPENDENTE

Tiranë, 1920: Festimi i 4 Korrikut, ditës së pavarësisë së ShBA-së

Viti 1920 është vit i rëndësishëm për shqiptarët. Këtë vit lindin emra të mëdhenj të artit, të kulturës dhe të arsimit shqiptar, si p. sh.: gjeografi, etnografi dhe shkrimtari Mark Krasniqi; historiani Kristo Frashëri; poeti, gjuhëtari dhe kritiku Arshi Pipa; aktorja Marie Logoreci; poeti dhe regjisori i teatrit, Zef Zorba; muzikologu dhe kompozitori Ramadan Sokoli; si dhe folkloristi, shkrimtari dhe profesori i letërsisë, Anton Çetta, i njohur më shumë si udhëheqës i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë. Fal angazhimit të tij, në fillim të viteve 1990, dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse zhduket në Kosovë. E, kur arrihet pajtimi, populli është i bashkuar dhe gati për… luftë!

Më 1920 lindin edhe komunistët shqiptarë, Qemal Stafa dhe Rita Marku. Kjo Rita ishte mashkull! Ndërkaq, më 1920 vdesë Zef Lush Marku që ishte anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave. Shqipëria ishte vendi më i keq komunist në Evropë, por duhet pranuar se komunistët e parë shqiptarë ishin nga Kosova.

Po më 1920 vdesë edhe kompozitori dhe dirigjenti Palokë Kurti.

Viti 1920 shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për historinë e shtetit shqiptar: Kongresi i Lushnjës që i zhvilloi punimet më 21-31 janar.

Delegatët e Kongresit të Lushnjës

“Kongresi i Lushnjes do të kishte efektin e thellë të theksojë në aspiratat e kombit idenë e indipendencës absolute dhe të integritetit të vendit, duke u dhënë të kuptonin edhe të huajve, botës politike, se vendi punon pas parimeve të kombësisë, duke u mbështetur mbi të drejtat e tij pa qënë vegël e ndonjë pushteti të huaj. Mund të thuhet se që nga Lidhja e Prizrenit, ishte manifestimi i parë me një rëndësi fare të veçantë për këtë popull, e një punimi të bërë me fuqinë që buronte vetëm prej trupit të tij”, ka thënë për këtë Kongresi, intelektuali dhe patrioti Mit’hat Frashëri në veprën “Probleme të Shqipërisë indipendente”.

Kongresi i Lushnjës e miraton aktin kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, si dhe zgjedh këshillin e lartë prej katër vetash që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina. Kështu përmbyset Qeveria e Durrësit. Por, për të qenë të sigurt për këtë, porositet një atentati që do të jetë më i bujshmi në historinë e shqiptarëve: vrasja e Esat Pashë Toptanit nga Avni Rustemi, më 13 qershor në Paris – një atentat ky që ende krijon huti mes shqiptarëve.

Avni Rustemi pas atentatit, i rrahur nga qytetarët parisienë

Toptani ishte trim dhe e ka mbrojtur Shkodrën nga malazezët (rrethimi nisi më 8 tetor 1912, ndërsa zgjati deri tek dorëzimi kontrovers i qytetit, po nga Esat Pasha, më 25 prill 1913). Megjithatë, ishte edhe karrierist, dallkauk e i etshëm për pushtet. Pra, nuk është i shenjtë, por nuk mund të thuhet se ishte personifikim i djallit, siç e ka paraqitur sistemi komunist. Atë Zef Pllumi, te libri i parë “Rrno vetëm për me tregue” dhe te vepra “Siç thonim dje…” tregonte se, sipas arkivave të françeskanëve që kishte parë si i ri, Esat pashë Toptani e donte një Shqipëri etnike. Po sipas tij, Avni Rustemi ishte patriot naiv që nxitet nga Luigj Gurakuqi e Mehmet Konica për ta vrarë Esatin. Këshilla e tyre ishte që të shkonte në Paris dhe të kërkonte bursë për studimet. Esati e takon dhe pranon se do ta ndihmojë, meqë Shqipëria ka nevojë për njerëz të shkolluar. Kur Avniu refuzon ta kryejë atentatin, ia mbushin mendjen për “tradhtitë” e tij. Dhe, e vrau njeriun që e mirëpriti.

Intelektuali dhe njeriu që e dokumentoi më së miri historinë shqiptare të dekadave të para të shekullit XX, Eqrem bej Vlora, në vëllimin e dytë të librit të tij, “Kujtime”, ka shkruar: “Që Esat pasha në çdo vend të qytetëruar do ta kishte hak trekëmbëshin, kjo nuk diskutohet. Por, që ai u eliminua në këtë mënyrë të padenjë, kjo nuk i nderon aspak anëtarët e asaj qeverie (të Lushnjës – v.j.)”. Ndërsa, për Avni Rustemin ka thënë: “Një djalosh i quajtur Avni Rustemi, një nga studentët më të pasuksesshëm, që me këtë vrasje donte të bënte emër, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat pashës. Ata i dhanë mjetet e nevojshme për këtë vrasje dhe morën njëherësh përsipër mbrojtjen e tij para gjykatës franceze… Drejtësia franceze, me një manipulim të habitshëm të ligjit, e nxori të pafajshëm Avni Rustemin dhe që qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë, pra kapardisej nëpër Tiranë si ndonjë shpëtimtar i atdheut. Ky shembull u tregonte gjithë djemve shqiptarë se si me anë të një plumbi të shkrehur nga prapa shpinës si burracakët, mund të bëhesh njeri i madh”.

Varri i Esat Pashë Toptanit, në Paris, në varrezën e ushtarëve serbë e malazezë

Avni Rustemi ishte majtist. Ishte hero për Ahmet Zogun, pastaj për Fan Nolin e, mbi të gjitha, për regjimin komunist të Enver Hoxhës. Të gjithë këta e projektuan një armik që nuk e do të mirën e shqiptarit (Esatin) dhe një hero që kërcënon se kundërshtarëve, atyre që mendojnë ndryshe, u jepet dënimi (Avniun). Por, rasti i Enver Hoxhës dëshmon se krahasimi me të keqen çon te një e keqe tjetër, më e madhe.

Kongresi i Lushnjës e bëri Tiranën kryeqytet të ri të Shqipërisë. Por, kryesorja, e ringjalli patriotizmin duke paralajmëruar se shqiptarët do ta mbrojnë Shqipërinë nga ndarjet tjera.

“Marrja në dorëzim e Shkodrës (25 mars 1920) qe i pari sukses politik, bashkë me të dhe një shënjë simpatie e dhënë prej Fuqive të Mëdha. Ishte dhe shkalla e parë për grupimin e copëve të ndryshme të mëmëdheut rreth një autoriteti të vetëm. Të marrët e Gjirokastrës (27 prill), të lëshuarit e Korçës prej francezëve (15 maj) dhe të bashkuarit e saj në një mënyrë paqësore, plotësoi edhe njëherë suksesin e qeverisë së re, shtoi besimin e saj dhe ngjalli akoma një herë vullnetin e kombit, i cili kurorëzoi veprën e nisur në Lushnje”, ka thënë Frashëri. “Të dy vitet, 1919 dhe 1920, brenda në Shqipëri dhe përpara Konferencës së Paqes, qenë një luftim i paprerë kundër Traktatit të Fshehtë të Londrës, kundër copëtimit të Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës dhe përpjekjet e gjakta të Vlorës kurorëzuan veprën patriotike duke proklamuar botërisht dhe me bujë vullnetin e kombit. Këto gjeste zgjidhën në një mënyrë definitive çështjen, duke siguruar triumfin e dy parimeve: indipendencën politike dhe integritetin tokësor. Pas atyre ngjarjeve, Konferenca e Paqes më nuk guxoi të vërë në bisedim cenimin e këtyre dy të drejtave. Por efekti më i madh i luftimeve do të ishte për psikologjinë e brendshme tè popullit, për dinjitetin dhe karakterin e tij. Më 1912 ishte shfaqur tek shqiptarët një besim i rrezikshëm dhe fort i dëmshëm, sipas së cilit Shqipërinë s’e bënë shqiptarët, po e bëri Evropa. Ky mentalitet kishte për rezultat fatal një aparati, një mefshtësi dhe një moskujdesje. Meqenëse na bënë të huajt, atëherë ne më s’na binte ndonjë barrë, ndonjë detyrë. Logjika, vërtetë një logjikë e shtrembër, e donte që, kush e bëri, kush u bë shkak të bëhet, ay le të përpiqet ta kërrejë në krye! Gjykim i vdekshëm që vret dhe shkatërron çdo përgjegjësi për një komb. Kurse tani, më 1920, Shqipëria u bë, u krijua, u gatua jo vetëm prej vetë shqiptarëve, por edhe kundër Evropës, kundër gjithë pushteteve dhe kombeve të mbështjella rreth Konferencës së Paqes. Punën e bënë vetë shqiptarët, kundër keqdashjes së të tjerëve, pa asnjë ndihmë syresh, as edhe makar një simpati nuk vonoi të vinte, kur pa bota se shqiptari përpiqej për veten e tij, me fuqinë dhe mjetet e veta. Një ngjarje e tillë ka një rëndësi të madhe për historinë e një kombi. Ekzerson një veprim, influencon gjithë jetën e tij. Është një kandil: ndrit dhe duhet të ndriçojë kurdoherë që gjendet në errësirë dhe në të keqe, në çdo kohë dhe në çdo rasje. Të mbajturit mend të akteve të mëdha të patriotizmës është një lumturi si edhe një detyrë”.

Tirana më 1920

Patriotizmi shqiptar dëshmohet me Luftën e Vlorës që ndryshe njihet si Lufta e Njëzetës. Kjo luftë nis më 4 qershor. Pas tre muajsh luftimesh, shqiptarët më 3 shtator futen në qytet, si fitimtarë. Luftës së Vlorës i dedikohet kënga-himn, “Vlora-Vlora”, me muzikë nga Thoma Nasi dhe me tekst të Ali Asllanit. Aty këndohen edhe këto vargje: “Vlora trime shqipëtare / si rob jetën s’e do fare / a do mbetet Shqipëri / a do bëhet tym e hi / Vlora, Vlora, Vlora, Vlora / rroki armët, bëja forra”. Pas Vlorës, italianët largohen edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.

Pos Vlorës, shqiptarët e udhëhequr nga Elez Isufi dhe Bajram Curri, më 13 gusht i sulmojnë forcat serbe të pozicionuara në zonën e Dibrës. Pas shumë luftimeve, serbët tërhiqen në nëntor të vitit 1921. Ndërsa, nën udhëheqje të Xhemal beg Bushatit, Sulço beg Bushatit e Maliq Sokolit, në atë që njihet si Lufta e Koplikut, më 27 korrik 1920 nis lufta kundër forcave serbe e malazeze që ishin futur në rrethinë të Shkodrës. Serbët tërhiqen në kufijtë e vitit 1913, më 14 shkurt 1921. Në Luftën e Dibrës dhe atë të Koplikut, rol të rëndësishëm kishte edhe Ahmet Zogu – armiku i ardhshëm i Elez Isufit, Bajram Currit e Xhemal beg Bushatit. E, Sulço do të punojë kundër Hasan Prishtinës.

Më 9 nëntor 1920, Konferenca e Ambasadorëve i njeh kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913, ndërsa më 17 nëntor Shqipëria bëhet anëtar i Lidhjes së Kombeve.

Në vitin 1920, me krijimin e Këshillit Kombëtar, apo të Parlamentit të parë të Shqipërisë, krijohen partitë e para politike. Më 10 tetor u formua Partia Popullore, ku shquheshin këto figura: Fan Noli, Ahmet Zogu, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri etj. Një muaj më vonë formohet Partia Përparimtare Shqiptare, ku dominonin këto figura: Hoxhë Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Shefqet Vërlaci dhe… Bajram Curri. Me këto dy parti nisin përçarjet që nuk kanë ende të ndalur në Shqipëri.

Pamje nga Lufta e Vlorës

Ngjarjet që shënuan botën më 1920, janë: më 7 janar nis lufta civile në Rusi; më 10 janar, me Traktatin e Versajës, zyrtarisht merr fund Lufta e Parë Botërore. Por, ky traktat nuk ishte gjë tjetër se një fitil që do ta nisë një luftë tjetër më të madhe e më të tmerrshme – Luftën e Dytë Botërore. Më 17 janar nis Prohibicioni në ShBA; më 12-24 shkurt mbahet Konferenca e Londrës ku, Britania e Madhe, Franca dhe Italia takohen për të diskutuar ndarjen e Perandorisë Osmane; më 24 shkurt, Adolf Hitleri e prezanton programin nacional-socialist të Partisë së Punëtorëve Gjermanë, që më vonë do të njihet si Partia Naziste; më 10 mars, në mënyrë paqësore instalohet qeveria e parë socialdemokrate në Suedi; në prill përfundon pandemia e Gripit Spanjoll, e fundit para pandemisë së koronavirusit më 2020, që do të vrasë 17-50 milionë njerëz në botë; më 23 prill, Mustafa Kemal Ataturku e instalon në Ankara Asamblenë e Madhe Kombëtare, që shkarkon qeverinë e Sulltan Mehmedit VI i cili më 10 gusht nënshkruan Traktatin famëkeq të Sevrës për ndarje të Turqisë; më 5 shtator, Mahatma Ganndhi nis Lëvizjen e Mosbashkëpunimit që për qëllim kishte pavarësinë e Indisë; Gabriele D’Annunzio shpall Shtetin e Pavarur të Fiumes/Rijekës. D’Annunzio ka një histori interesante me Hasan Prishtinën. Më 1920, këta dy takohen. Prishtina kërkon armë dhe d’Annunzio – si kundërshtar i ekspansionizmit serb që ishte. Këto armë do të përdoreshin kundër forcave serbe, në Kosovë. Ai pranon t’i dërgojë ato, pa asnjë kompensim, për në portin e Shëngjinit. Por, këtu fillon lufta e Sulejman Pashë Delvinës dhe Ahmet Zogut “për ta mbrojtur Shqipërinë”. Sepse, sipas tyre, serbi do të sulmonte Kosovën, ndërsa e keqja për ta nuk është ky sulm po sulmi tjetër eventual ndaj territorit të pranuar si shtet shqiptar. Për ta shpëtuar veten në emër të “Shqipërisë”, angazhohet Sejfi Vllamasi që me mbi 20 mijë franga ar të paguajë shkodranët Sulço dhe Malo Bushati që ta ndalojnë, në çfarëdo mënyre, këtë “kontrabandë”. Siç mësojmë edhe nga vepra e Vllamasit (“Ballafaqime politike në Shqipëri”), ata ia dalin.

Gabriele D’Annunzio

Më 11 nëntor, në Londër shpaloset cenotafi i Ushtarit të Panjohur. Më 1920, por data e saktë nuk dihet, në Kinshasë të Kongos regjistrohet rasti i parë me HIV/AIDS.

Në vitin 1920 lindën edhe: Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitet 1982-1991, Javier Perez de Cuéllar; regjisori i madh i filmit, Federico Fellini; mbreti Faruk i Egjiptit, sundimtari i fundit i dinastisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës; aktorët Toshiro Mifune, Yul Brynner dhe Montgomery Clift; Papa Gjon Pali II; këngëtarja Peggy Lee; si dhe, shkrimtari i njohur i fantashkencës, Isaac Asimov. Ndërkaq, vdiqën: piktori i famshëm Amedeo Modigliani dhe argjendari Peter Carl Faberge, i njohur sidomos për të ashtuquajturat Vezët Faberge.

Prohibicioni, apo lufta e dështuar amerikane kundër alkoolit

VITI 1930: SOT S’KA LAJME, SOT ËSHTË DITË E MIRË!

Prishtina më 1930

Viti 1930 nuk shënon ndonjë ngjarje fort e madhe. Megjithatë, këtë vit lindin emra të mëdhenj të artit e të shkencës shqiptare, si p.sh.: historiani arbëresh Aleksandër Stipçeviq; gazetari, përkthyesi dhe poeti Fatos Arapi; gjuhëtari Besim Bokshi; esteti Alfred Uçi; shkrimtarët Bedri Dedja, Mehmet Myftiu dhe Ali Huruglica; aktorja Marika Kallamata; si dhe, këngëtari, aktori e regjisori i madh i teatrit, Muharrem Qena. Më 1930 lindi edhe Bahri Oruçi që ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës në vitet 1978-1980. Më 1930 vdiqën: Ali Riza Kolonja – një ndër organizatorët e parë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare që u themelua nga Qeveria e Vlorës; luftëtari dhe arsimtari Bajo Topulli; si dhe poeti, dramaturgu, patrioti dhe rilindësi i madh, Andon Zako Çajupi.

Pamje nga vërshimet në Shkodër, më 1930

Në vitin 1930, Shqipëria kishte dy kryeministra, që të dy nga Korça: Koço Kotën (deri më 5 mars) dhe Pandeli Evangjelin. Kota ka punuar në administratën e Ismail Qemali, ndërsa ishte delegat në Kongresin e Lushnjës. Pas Luftës së Dytë Botërore kërkon strehim në Greqi, por shumë shpejtë, më 1945, do të rrëmbehet nga tre agjentë (një shqiptar, një sovjetik dhe një grek). Kota vdesë në Burgun e Burrelit. Për Shqipërinë, kontribute edhe më të mëdha ka dhënë Evangjeli. Pas pushtimit italian u tërhoq nga jeta politike, ndërsa pas çlirimit, në moshë të shtyrë komunistët e dëbuan nga Tirana. Ai vdesë në Korçë, në shtëpi të huaj, në moshën 90-vjeçare, (më 1949).

Një familje malësore në vitin 1930

Më 1930, Kuvendi i Shqipërisë njëzëri e miraton reformën e parë agrare. Kjo është dëshmi se Mbretëria Shqiptare ndërmerrte hapa të mirë për zhvillimin e vendit, duke miratuar ligje të rëndësishme, e duke bërë madje përpjekje edhe për zhvillimin e turizmit. Por, efektet e Krizës së Madhe Ekonomike godasin edhe Shqipërinë. Pasojat do të shtohen në vitet në vijim, e kjo do të shkatërrojnë shumë punëtori e biznese të asaj kohe, për çka shtohet borxhi i jashtëm. Problem tjetër ishte rënia e vendit nën ndikimin e Italisë. P.sh., nga viti 1930, shoqëritë angleze, amerikane dhe franceze i ndërpresin kërkimet për naftë, për të kaluar gjithçka në duart e shoqërive italiane. Si dëshmi tjetër e varfërisë është fakti se ka vazhduar shpërngulja e shqiptarëve, deri në Australi. Por, Kriza globale as Australinë të qetë s’e lë, për çka mërgata shqiptare detyrohet të lëvizë prej në vendi te vendi tjetër.

Se në çfarë gjendje ishte Shqipëria, dëshmojnë edhe kujtimet e italianit Arnaldo Canciani, i cili në janar 1930 arriti në Tiranë. “Distanca nga Durrësi në Tiranë është vetëm 38 kilometra, por me mjetet e me atë rrugë të rrënuar mori disa orë”, ka thënë ai.

Foto e revistës “Life”, nga Shqipëria e vitit 1930

Zogu, në mars të vitit 1930, me dekret të veçantë e emëron Sali Niazi Dedenë si kryegjysh botëror të Bektashinjve, ndërsa në gusht e caktoi qendrën e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në teqenë e Melçanit të Korçës (një vit më vonë vendoset në Tiranë).

Në vitet 1920, Perëndimi kërkoi të krijohet një Pakt Ballkanik (siç e kërkon, 90 vjet më vonë, “Mini-Shengenin Ballkanik”). Kjo iniciativë riaktualizohet më 1930 me organizmin e Konferencës së parë Ballkanike në Athinë. Zyra Ndërkombëtare e Paqes në Gjenevë e vlerësonte këtë iniciativë si të dobishme për rajonin e Ballkanit, “për shkak të fqinjësisë, të konditave ekonomike, të aspiratave kulturore dhe të historisë së tyre”. Shqipëria i dha përgjigje pozitive kësaj iniciative, si dhe idesë së Francës për Bashkimin Federal të Evropës.

Më 1930 Shqipëria i kishte 833 600 banorë.

Situata në tokat tjera shqiptare, ato të pushtuara, natyrisht se ishte më e rëndë. P. sh. gazeta “Proleter” e Serbisë, në vitin 1930 ndër të tjera shkruan: “Në Maqedoni dhe në Kosovë, diktatura gjeneralo-fashiste vazhdoi politikën agrare serbomadhe me mjete të papara deri më tash të terrorit të bardhë. Toka, thjesht, në mënyrë të dhunshme merret dhe u jepet bellogardistëve dhe vullnetarëve serbomëdhenj. Fshatra të tëra digjen me qëllim që t’u lirohet vend kolonëve. Me pushkë, me mitralozë dhe me bomba, dëbohen mijëra e mijëra familje shqiptare nga vatrat e tyre”.

Në vitin 1930, në kuadër të studimit të veshjeve kombëtare në Evropën juglindore, fotografja amerikane Blanche Payne e viziton Kosovën, ku ndër të tjera i realizon disa foto. Thuhet se asaj i kanë lënë përshtypje përparëset në veshjet e grave shqiptare.

Foto nga Peja e realizuar nga Blanche Payne

Disa nga ngjarjet që shënuan botën më 1930, janë: zbulohet ekzistenca e Plutonit, që u quajt planet deri më 2006 (pas këtij viti, planet-xhuxh); piktori danez, Einar Wegener, e ndërron gjininë dhe e quan veten Lili Elbe (në bazë të jetës së tij/saj, më 2016 bëhet filmi “The Danish Girl”/”Vajza daneze”); Qeveria e Turqisë u kërkon ndërkombëtarëve që për Kostandinopojën dhe Angorën t’i adaptojnë emrat Stamboll, respektivisht Ankara; më 18 prill, Radio BBC jep këtë raport unik: “Mirëmbrëma. Sot është një e premte e mirë. Nuk ka lajme”.

Më 1930 lindin astronautët që të parët shkelën në Hënë, Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin; aktorët Gene Hackman, Steve McQueen, Clint Eastwood dhe Sean Connery; regjisori Jean-Luc Godard; kompozitori Stephen Sondheim; këngëtari Ray Charles; si dhe politikani që bashkoi dy Gjermanitë më 1990, Helmut Kohl.

Einar Wegener alias Lili Elbe

VITI 1940: GJAK DHE LOT

Pamje nga Shkodra (1940)

Kryeministër i Shqipërisë, më 1940, ishte Shefqet Bej Vërlaci. Ai ishte kryeministër i vendit edhe më 1924. Ndërsa, mbret ishte Viktor Emanueli III i Italisë.

Më 1940 anulohet Kushtetuta e miratuar më 1929, që shpall Shqipërinë shtet demokratik e parlamentar. Po këtë vit, Ushtria shqiptare u bashkua me Ushtrinë italiane. Pra, u zhbë sovraniteti i vendit. Por, megjithatë, ndonëse në pushtim, italianët nisën një sërë projektesh të rëndësishme, si në urbanizëm, arsim, politika sociale etj. P.sh., më 1940 krijohet Shoqëria Shqiptare e Transportit Automobilistik (SATA). Po ashtu, italianët nxisnin nacionalizmin, sidomos tek shqiptarët jashtë Shqipërisë.

Autobusët e SATA-s

Ngjarja kryesore e vitit 1940, për shqiptarët, ishte shpërthimi i Luftës Italo-Greke. Italianët sulmojnë Greqinë përmes territorit shqiptar. Italianët pësojnë disfatë të turpshme. Për më keq, grekët futen në territorin shqiptar duke pushtuar qytete të rëndësishme, si Gjirokastrën, Korçën etj. Ky dështim e detyron Hitlerin ta shtyjë invadimin e BRSS-së, për t’ju dalë në ndihmë italianëve të lodhtë. E kjo shtyrje do të jetë më vonë fatale për Gjermaninë. Sidoqoftë, sulmi që nisi më 28 tetor 1940 bëri që Greqia ende të mos e anulojë, as sot, 80 vjet pas, Ligjin e Luftës me Shqipërinë.

Më 1940 nis edhe rezistenca e shqiptarëve kundër pushtimit fashist. Po ashtu, formohet Partia Fashiste Shqiptare që kurrë nuk ia doli të jetë lëvizje masive.

Një fashist shqiptar

Më 1940 lindi profesori Ejup Statovci, që ishte rektor i Universitetit të Prishtinës në vitet 1991-1997, si dhe poeti i madh shkodran, Frederik Rreshpja.

Më 1940 shqiptarët humbin disa figura të mëdha. Këtë vit vdesë Poeti Kombëtar, frati françeskan Gjergj Fishta që ishte arsimtar, kritik, estet, historian, shkrimtar, përkthyes, kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të Qeverisë Përmeti në Konferencën e Versajës dhe zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921… Më 1945, trupi i tij zhvarroset dhe zhduket nga komunistët që e marrin pushtetin pas tërheqjes së trupave gjermane. Më 1940 vdesë edhe fotografi e piktori Kel Marubi (Mikel Kodheli), veprimtari i çështjes kombëtare, Syrja bej Vlora, si dhe politikani dhe ish-kryeministri Xhaferr bej Ypi.

Pamje nga Lufta Italo-Greke

Kur është fjala te Kosova, vlen të theksohet se në vitin 1940, shkalla e analfabetizmit këtu ishte në nivelin 74 për qind. Pesë emrat më të përhapur ishin: Fatime, Bajram, Ajshe, Emine dhe Ali. Ndërsa, mbiemrat kryesorë ishin këta: Krasniqi, Gashi, Berisha, Shala dhe Morina.

Evropa vlon nga luftimet. Më 5 mars, anëtarët e Politbyrosë sovjetike urdhërojnë ekzekutimin e 25 600 intelektualëve dhe 14 700 ushtarakëve polakë. Kjo ngjarje e tmerrshme njihet si Masakra e Katinit. Nga 9 prilli, Gjermania nis invadimet e këtyre shteteve: Danimarkës, Norvegjisë, Francës, Holandës, Belgjikës, Luksemburgut… Më 10 maj jep dorëheqje kryeministri britanik Neville Chamberlain (qo do të vdesë po më 1940). Kryeministër i ri i vendit emërohet Winston Churchill. Më 13 maj, Churchilli, në fjalimin e tij thotë se s’ka asgjë çfarë të ofrojë, “pos gjak, mundim, lot dhe djersë”.

Më 4 qershor nis tërheqja e trupave britanike nga Dankirku i Francës. Në fjalimin e tij, për këtë aksion, Churchill thotë: “Do t’i shkojmë kësaj pune deri në fund. Do të luftojmë në Francë; do të luftojmë në dete dhe oqeane; do të luftojmë me rritje të vetëbesimit dhe rritje të forcës në ajër; do ta mbrojmë ishullin tonë, pavarësisht çmimit. Do të luftojmë në plazhe, do të luftojmë në zonat e zbarkimit, do të luftojmë në fusha dhe nëpër rrugë, do të luftojmë në kodra. Ne kurrë nuk do të dorëzohemi”!

Pamje nga tërheqjes së ushtarëve britanik nga Dankirku

Askush nuk e di saktë se pse gjermanët frenuan sulmin në Dankirk, sulm nga i cili vështirë se do ta merrte veten Britania e Madhe. Një version thotë se kryesorja për Gjermaninë ishte pushtimi i jugut të Francës e pastaj i Bashkimit Sovjetik. Ndërkaq, meqë deri në ato momente Britania dhe bota nuk ishin të vetëdijshme për fuqinë marramendëse të Gjermanisë, Hitleri besonte se ky shtet nuk do ta zgjedh luftën. Këtë bindje ia forconte fakti se shumë politikanë e aristokratë anglezë shprehnin simpati për të dhe gatishmëri për marrëveshje me gjermanët. Në mbështetje të kësaj, më 1945, kur e shihte fundin e tij, Hitleri thuhet të jetë frustruar se pse kryeministri britanik, Winston Churchill, nuk ia ktheu “shansin sportiv” që ky ia ofroi atij në Dunkirk. Në anën tjetër, faktet thonë se më 21 maj 1940 ndodhi një sulm i madh me tanke britanike, që kishte shkaktuar efekt negativ psikologjik tek ushtarët e pamposhtur gjermanë. Po ashtu, trupat e motorizuara gjermane po lëviznin shpejt, e kjo e linte këmbësorinë në rrezik. Prandaj, gjermanët ndalën sulmet për tri ditë më 24 maj. Kjo u dha kohë britanikëve të rimendonin linjat e mbrojtjes. Ndërkaq, kur më 25 maj, rastësisht gjatë një sulmi morën edhe planet e ushtrisë gjermane, atëherë ndryshoi strategjia e luftimeve. Këtyre fakteve u shtohet edhe një teori tjetër që thotë se anglezët kishin zbërthyer makinën më të zgjuar të deshifrimit, krenarinë e gjenialitetit arian, Enigmën (që veç me një pozicionim unazash kishte këtë numër kombinimesh: 15 here 10 në fuqinë 18), ndaj pretendohet se ishin të informuar se Hitleri po do paqe me ta.

Sidoqoftë, në një aksion të madh, ku u përfshinë edhe civilët, shpëtohen 338 226 ushtarë britanikë nga Dankirku. Ky është momenti kyç në ndryshimin e rrjedhës së Luftës së Dytë Botërore.

Qershor 1940: Ushtria gjermane futet në Paris

Duhet cekur se që nga fillimi i vitit 1940, mjekët dhe infermierët gjermanë vranë sistematikisht të sëmurët mendorë dhe personat me aftësi të kufizuara, që konsideroheshin si “ngarkesë” për çfarë duhet të “zhdukeshin”. Ata u mbytën me gaz, u vranë me ilaçe ose thjesht u lanë të vdesin nga uria.

Më 1940 lindi regjisori Brian De Palma; aktorët e “dobët” – Peter Fonda, Al Pacino, Raquel Welch; aktorët “ma të fortë” – Chuck Norris dhe Bruce Lee; muzikantët Al Jarreau, Ringo Starr, John Lennon dhe Frank Zappa; si dhe legjenda e futbollit, Edson Arantes do Nascimento – Pele. Më 1940 vdiqën: revolucionari dhe një nga figurat kryesore të Revolucionit komunist të Tetorit në Rusi, Leon Trotsky (vritet me urdhër të Josif Stalinit), si dhe shkrimtari i famshëm amerikan, F. Scott Fitzgerald.

Më 15 maj 1940, në San Bernardino të Kalifornisë hapet restoranti i parë “McDonald’s”. Industria ushqimore më kurrë nuk do të jetë e njëjtë.

“McDonald’s”, shijshëm, shpejtë e lirë

VITI 1950: TRADHTIA E MADHE

Enver Hoxha

Shqipëria në vitin 1950 i kishte 1.2 milion banorë. Vendi bëhet me Kushtetutë të re. Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor ishte Omer Nishani. Enver Hoxha ishte kryeministër, ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Jashtëm.

Pas gjykimit dhe ekzekutimit të Koçi Xoxes dhe spastrimeve brenda radhëve të Partisë së Punës, Enver Hoxha i prish definitivisht marrëdhëniet me “vëllezërit jugosllavë”. Jugosllavia kundërpërgjigjet duke e anuluar Traktatin e Miqësisë dhe duke tërhequr, më 1950, misionin e saj diplomatik nga Tirana.

Pas Jugosllavisë, lulëzojnë raportet me Bashkimin Sovjetik. Ekonomia e Shqipërisë tash varej nga “zemërgjerësia” e Josif Stalinit dhe e kredive që Blloku lindor ia ofronte. E, këto kredi nuk është se nuk sollën ndryshime, sidomos në edukim e në sistemin shëndetësor, gjë që reflektohet me uljen e vdekshmërisë së foshnjave të porsalindura dhe uljen e analfabetizmit.

Nëna dhe fëmija (pamje nga Shqipëria e vitit 1950)

Sidoqoftë, Shqipëria ishte nën diktaturë mizore dhe populli ishte i pakënaqur. Prandaj, amerikanët, e sidomos britanikët, nisin përgatitjet për ta përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës. Operacioni quhej “Operation Valuable Fiend” dhe ishte aq sekret sa që për të nuk dinin as presidenti amerikan Harry Truman e as kryeministri britanik Clement Attlee. Nëse plani do të kishte sukses, mendohej të përsëritej pastaj edhe në vendet tjera satelite të Bashkimit Sovjetik.

Për këtë operacion u angazhuan Julian Amery, Bill McLean dhe David Smiley. Që të tre këta kishin shërbyer në Shqipëri (si oficerë ndërlidhës britanikë) gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë operacion u pajtuan edhe kundërshtarët e regjimit komunist shqiptar, si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji, Sait Kryeziu dhe Abaz Kupi. Për diversantë u rekrutuan fillimisht 30 shqiptarë, ndërsa ushtrimet u kryen në Maltë.

“Të gjithë mbanin uniformë ushtarake britanike, por asnjë nga ta nuk dinte anglisht. Gjatë vikendit dilnin në Rabbat dhe Mdina që ishin afër nga Fort Bingemma, por shkonin edhe më larg sikur në Sliemma ku kishte dyqane dhe restorante. Nga kujtimet e pjesëmarrësve dhe nga shënimet e kohës merret vesh që diversantët shkonin në grupe të mëdha në qytet dhe flisnin një gjuhë të çuditshme. Ishin të zhurmshëm, por nuk krijonin probleme sikur ushtarët tjerë, pasi që nuk pinin alkool. Ishin shumë të disiplinuar. Megjithatë, arrestoheshin nga policia ushtarake për një shkak gati qesharak: sepse në qytet dilnin me atlete. Kur arrestoheshin, nuk flitnin asgjë se kështu ishte urdhri. Pastaj, shkonte Smiley ose dikush nga oficerët e lartë dhe i lironte. Ky ishte një problem i madh pasi që përsëritej shpesh. Nuk i vishnin këpucët dot. Ishte dashur që për ta të sigurohej një transport i veçantë dhe të urdhërohej policia ushtarake që të mos i bezdiste më, pa marrë parasysh se çka kishin mbathur”, thotë studiuesi Daut Dauti. “Me 28 tetor 1949, pas ushtrimeve disa javëshe që u bënë nën diellin parcelues, ishte nisur grupi i parë për në Shqipëri. Pastaj vazhduan grupet tjera. Harry Hodgkinson, i cili në këtë kohë ishte i angazhuar në seksionin e shërbimit të inteligjencës britanike që mbulonte Adriatikun (Shqipërinë dhe Jugosllavinë), tregonte që as departamenti i tij nuk dinte për operacionin. Por, departamenti kishte urdhër që agjentët të rrinin syçelë, sepse mund të kërkohej ndihma e tyre”.

Spiuni i dyfishtë, Kim Philby

Megjithatë, gjërat shkuan si mos më keq dhe më 1950 ky operacion dështon. Do të dështojë edhe një tentim tjetër më 1952. Njeriu që e tradhtoi operacionin ishte brenda shërbimit sekret britanik (MI6). Ai quhej Kim Philby. Në Shqipëri diversantët u kapën dhe u gjykuan publikisht si armiq të popullit. Pasi operacioni ishte sekret, bota mendonte se këto raste ishin të montuara. Ky dështim më vonë do të njihet si Tradhtia e Madhe.

Ndërkohë, në Kosovë vazhdon rezistenca anti-jugosllave. Më 1949 formohet organizata e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por, pa u konsoliduar mirë, dekonspirohet më 1950 dhe një gjyq kundër disa anëtarëve të arrestuar mbahet më 24, 25 dhe 26 korrik. Se sa mizor ishte regjimi i Titos në Kosovë, e dëshmon fakti se njëri nga të dënuarit ishte bujku Shaban Mazreku, nga Sopini i Suharekës, që u dënua me 101 vjet burg.

Kur është fjala te Tito, më 1950 ai e viziton për herë të parë Kosovën.

Më 1950 lindën aktori dhe regjisori i njohur i teatrit, Agim Qirjaqi; regjisori i filmit, Kujtim Çashku; albanologu i shquar kanadez, Robert Elsie; një prej karikaturistëve më të njohur të Kosovës, Agim Qena; si dhe studiuesi i njohur – profesori dhe akademiku Sabri Hamiti.

Pazari i vjetër i Prishtinës

Ngjarjet që shënuan botën më 1950, janë: nga fuqitë e mëdha njihet Republika Popullore e Kinës; ShBA-ja zhvillon bombën hidrogjenike; në Gjermaninë lindore formohet shërbimi sekret Stasi… Por, dy janë ngjarjet më të rëndësishme: më 5 maj 1950, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe të çelikut. Kjo iniciativë që do të njihet si Deklarata e Schumanit, bën të formohet Komuniteti Evropian për Qymyr dhe Çelik që ishte institucioni i parë evropian mbikombëtar që do t’ia hap rrugën formimit të asaj që më vonë do të njihet si Unioni Evropian. Ndërkaq, më 25 korrik 1950 nis Lufta e Koresë. Ajo do të zgjasë tre vjet e një muaj e dy ditë dhe do të lë afro një milion të vdekur e të lënduar (si dhe afro 400 mijë të zhdukur). Po ashtu, Koreja do të ndahet në dy shtete: Në Korenë komuniste të Veriut dhe Korenë demokratike të Jugut. Edhe 70 vjet pas, vendi mbetet i ndarë në dy pjesë të armiqësuara.

Më 1950 lindin këngëtarët Billy Ocean, Peter Gabriel, Stevie Wonder dhe Tom Petty; aktorët Bill Murray dhe Ed Harris; politikani Janez Drnovsek që ishte kryetari i Presidencës së Jugosllavisë, si dhe kryeministër e president i Sllovenisë; miliarderi Richard Branson; arkitektja Zaha Hadid… dhe, një nga themeluesit e kompanisë Apple – projektuesi i kompjuterëve Apple I dhe Apple II që do ta ndryshojnë përgjithmonë botën – Steve Wozniak.

Pamje nga Lufta e Koresë

Në vitin 1950 vdiq George Orwell. Për të është mirë të thuhen ca fjalë sepse është ndër të rrallët emra të njohur të kohës së tij që arsyetonte epitetin e intelektualit. Ai luftonte për atë që besonte. Madje, mund të konsiderohet si utopist, meqë, siç shkruante Paul Johnson tek “Intelektualët”, “besonte që në fëmijëri se bota mund të ndryshohej me forcën e intelektit”. Si socialist-utopist (që i takonte shtresës së mesme të lartë), donte të njihte nga afër shtresën punëtore, për fatin e të cilëve shqetësohej. Punoi si pjatalarës, jetoi me të pastrehët, punoi si argat e banoi pranë familjeve të varfra në një qytezë industriale. Madje, kur më 1936 shpërtheu Lufta Civile në Spanjë, nuk jepte mbështetje morale si intelektualët tjerë, por shkoi aty ku duhej – për të luftuar për drejtësinë që u tha se po shkelej. Kështu, ai donte të zhvishej jo veç nga kapitalizmi, por edhe nga çdo formë e sundimit të njeriut mbi njeriun.

“Doja të zbrisja mes të shtypurve, të prekja fundin, të isha njëri nga ta, të rreshtohesha përkrah tyre e kundër tiranëve”, ka thënë Orwell. Si intelektual i sinqertë që ishte, besonte se bota do t’ia dalë të shndërrohet në një shoqëri të mirë socialiste, por nuk besonte assesi te dogma komuniste që përfaqësohej nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) – totalitarizmi dhe ekonomia e centralizuar. Kështu, nga një antikapitalist i madh, pas zhgënjimeve që përjetoi në Spanjë – ku me gruan iu bashkua palës republikane (që luftonte regjimin fashist të Francisco Francos) – u bë antikomunist dhe kritikuesi më i madh i gënjeshtrave të komunizmit rus, të diktaturës, të kultit të personalitetit, të kufizimit të lirisë e të kontrollit të mendjes nga propaganda e këtij sistemi. Këto qëndrime ai i paraqet në dy prej veprave më të mëdha të pjesës së dytë të shekullit XX: “Ferma e kafshëve” dhe “1984”.

Gerge Orwell

VITI 1960: PRISHJA E BRSS-SË ME “802 MILIONË SHQIPTARË”!

Për ty… Kinë!

Viti 1960 karakterizohet me shembjen e themeleve të “dashurisë” ruso-shqiptare dhe të lindjes së një “dashurie” të re shqiptaro-kineze. Si shkas i prishjes së këtyre marrëdhënieve ishte denoncimi i politikës së Josif Stalinit nga Nikita Khrushchevi dhe vendosja e marrëdhënieve, nga ky i fundit, me Jugosllavinë e Josip Broz Titos.

Me vdekjen e Stalinit, në shumë shtete të Bllokut socialist ndodhën përmbysje të pushteteve staliniste, duke i vendosur ata që mbështesnin frymën e re më liberale sovjetike – si Wladyslaw Gomulka në Poloni, Janos Kadar në Hungari, Todor Zhivkov në Bullgari etj. Nuk mungonin as eliminimet dhe kjo gjë e frikësonte Enverin. E, njëri nga ata që e donte përmbysjen e Enverit ishte miku i ri i Khrushchevit – Titoja.

Piktura socrealiste që paraqet Enver Hoxhën duke mbajt fjalim në Moskë

Në nëntor të vitit 1960, në Moskë u organizua mbledhja e 81 partive komuniste. Fjalimin e parë, më 10 nëntor, e mbajti lideri sovjetik, Khrushchevi. Pas tij e morën fjalën udhëheqës të vendeve tjera, që i mbështetnin politikat e reja të BRSS-së. Po atë ditë u takua delegacioni i Partisë Komuniste të BRSS-së dhe i Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSh). Në atë takim, nga pala sovjetike morën pjesë: Anastas Mikoyan, Frol Kozlov, Mikhail Suslov, Pyotr Pospelov dhe Yuri Andropov. Delegacionin shqiptar e kryesonte Enver Hoxha. Të pranishëm ishin edhe Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Ramiz Alia. Në këtë takim u shfaqën hapur divergjencat në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike. Ndërsa, për herë të parë u fol edhe për bazën ushtarake të Vlorës, si dhe për mundësinë e daljes së Shqipërisë nga Pakti i Varshavës. Në këtë takim të tensionuar, Mehmet Shehu ndër të tjera thotë: “Rëndoftë turpi mbi ju, shoku Kozllov, që i lejoni vetes t’i jepni ultimatume Shqipërisë: Me ne, ose me Kinën!”.

Më 12 nëntor ndodhë një takim mes Enver Hoxhës dhe Khrushchevit, për t’i përafruar qëndrimet, por kot. Sepse, fjalimi i Enver Hoxhës, më 16 qershor, që zgjati hiç më pak se dy orë, përmbysi gjithçka.

Edhe një pikturë tjetër, që e paraqet ballafaqimin e Enverit me revizionistët në Moskë

“Në Moskë atëherë bënte shumë ftohtë. Po ai fjalim sikur i zbriti temperaturat shumë gradë nën zero. Sikur plasi një bombë në sallën Georgievskaja. Ata që kishin dhënë emrat për të folur, u tërhoqën dhe kërkuan kohë për t’i riparë fjalimet e tyre në kontekstin që ishte krijuar…”, ka thënë përkthyesi Myfit Mushi.

Të nesërmen, një fjalim denigrues ndaj Partisë së Punës së Shqipërisë dhe ndaj Enver Hoxhës, e mbajti sërish Khrushchevi.

“Khrushchevi tha: ‘E dini, shokë se ç’ka bërë Enver Hoxha në këtë sallë? Na leu me mut të gjithëve’! Unë po vonohesha në përkthim, por Enveri më tha: ‘Vazhdo përkthe’. Dhe, unë i thashë: ‘Ai tha se dje shoku Enver na ka lyer me të pëgërë të gjithëve’! Enveri vetëm sa tundi kokën, si të thoshte: Nga ky pritet gjithçka tani…”, thotë Mushi.

Khrushchevi më 1956 kishte deklaruar se Shqipërinë do ta bënte “një xhevahir që do të joshte botën myslimane”. Enverit i pëlqente kjo frazë, sepse “shembulli i Shqipërisë do t’i ndihmonte vendet e botës myslimane të shohin se marksizëm-leninizmi ishte fari ndriçues i jetës së begatshme e të lirë të popujve”! Por, pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS-në, u tha se Khrushchevi donte ta bënte Shqipërinë “si kolonitë e bananeve”.

Në lidhje me përplasjet në Moskë, ceket se Khrushchevi e kërcënon Enverin e se ky i fundit ia kthen: “S’ke ç’na bën, se jemi 802 milionë” (dy milionë shqiptarë dhe 800 milionë kinezë)!

Pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS-në, Shqipëria nis të jetë më aktive në çështjen e Kosovës, duke u infiltruar e shpeshherë edhe duke i ngatërruar organizatat e ndryshme ilegale që vepronin në Kosovë e në diasporë.

Më 1960 lindin: legjenda e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri, studiuesi Daut Dauti, si dhe mjeshtri i fjalës, poeti Xhevdet Bajraj.

Enver Hoxha e Mao Ce Duni janë si buka prej nji brumi

Më 1960, pavarësinë e fitojnë këto shtete: Kameruni, Togo, Madagaskari, Republika Demokratike e Kongos, Somalia, Benini, Nigeri, Burkina Faso, Bregu i Fildishtë, Çadi, Republika Qendrore Afrikane, Republika e Kongos, Gaboni, Senegali, Mali, Nigeria dhe Mauritania. Më 23 maj, izraelitët pranojnë se kanë arrestuar, në Argjentinë, nazistin Adolf Eichmann. Filmi “Ben-Hur” e thyen rekordin e deriatëhershëm për çmimet Oscar, ndërsa grupi legjendar The Beatles e nis karrierën në Hamburg të Gjermanisë.

Më 4 janar 1960, në moshën 46-vjeçare, në një aksident trafiku vdesë fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, Albert Camus. 60 vjet pas vdekjes së tij, italiani Giovanni Catelli thotë se ai u vra nga spiunët e KGB-së, në shenjë hakmarrjeje për retorikën e tij anti-sovjetike. Në veprën “Vdekja e Kamysë”, Catelli zbulon detaje në ditarin e poetit dhe përkthyesit të njohur çek, Jan Zabrana.

“Ai thoshte se agjentët e KGB-së i kanë shkaktuar dëmet në veturë të cilat në shpejtësi të madhe u bënë fatale. Urdhri thuhet të jetë dhënë nga Dmitri Shepilov, ministër sovjetik i Punëve të Brendshme, si reagim ndaj një artikulli që Camus ka shkruar më 1957 në gazetën ‘Franc-Tireur’ në mars 1957”, thotë ai.

Siç dihet, Camus kishte mbështetur kryengritjen hungareze të vjeshtës 1956 dhe ishte kritik ndaj reagimit sovjetik. Ai po ashtu kishte shkruar mirë për Boris Pasternakun që shihej si anti-sovjetik.

Albert Camus

Më 6 gusht 1960, si kundërpërgjigje e embargos së ShBA-së, Fidel Castro i nacionalizon pronat e amerikanëve. E, kur jemi te revolucioni kuban, duhet thënë se më 5 mars 1960, Alberto Korda realizon një nga fotot më të famshme në botë – atë të revolucionarit Che Guevara. Fotografia origjinale e paraqet Guevaran mes një burri dhe një druri palme. Ajo është prerë për t’u shndërruar shpejtë në një nga imazhet më komerciale të botës. Kjo foto e bëri revolucionarin argjentinas idhull të rinisë e të rebelimit rinor, kudo në botë; e bëri simbol të luftës për drejtësi e për barazi. Por, e vërteta është se Che ishte i pamëshirshëm, apo siç e quajnë disa studiues: nënshkrues i certifikatave të vdekjes.

Më 1960 lindin rock-muzikantët e famshëm: Michael Stipe, Michael Hutchence, Adam Clayton dhe Bono; si dhe, aktorët: Antonio Banderas, Sean Penn, Hugh Grant, Colin Firth, Tilda Swinton dhe Kenneth Branagh. Ndërsa, vdes aktori i famshëm, Clark Gable.

Alberto Korda dhe fotografia e tij ikonike

VITI 1970: UNIVERSITETI, TOPAT, VËLLEZËRIT KINEZË DHE MIQTË KOSOVARË

Poster propagandistik i prodhuar në Kinë, me këtë përmbajtje: Rroftë miqësia e përjetshme dhe e pathyeshme e popujve të Kinës dhe Shqipërisë!

Bota fluturonte. Hëna u pushtua. Njeriu më në fund arriti t’u përgjigje të gjitha dilemave për Hënën: Në Hënë nuk ka asgjë interesante dhe Toka është shumë më vogël seç e kemi menduar.

Në Kosovë, ata pak fatlumë që kishin TV, mahniteshin me të arriturat njerëzore dhe këtë përjetim vizual, verbalisht e ndanin me të tjerët. Mirëpo, reagimi më i shpeshtë ishte: mos fol pa lidhje!

Hëna ishte e pushtuar dhe miti mbi shkëlqimet në errësirë nuk i preokuponte më njerëzit. Mirëpo, senzacionkërkuesit mbollën dilemat të reja: amerikanët nuk kanë shkuar në Hënë, kjo është pjesë e propagandës anti-sovjetiko-komuniste!

Prishtina më 1970

Njeriu gjithçka mendon?! Por, një gjë ishte e vërtetë: bota normale mendonte ta shkatërronte komunizmin rus, “fëmijën kopil të Karl Marksit dhe Katarinës së Madhe”, siç e kishte quajtur politikani anglez Clement Attlee. Ndërsa, ne shqiptarët, andej dhe këtej kufirit, jetonim në iluzione, në tregimet e rrejshme për të drejtat e barabarta, për shoqërinë pa klasa, vëllazërim-bashkimin, tregimet partizane, heroizmin në filmat “Beteja e Neretvës”, “Sutjeska”, “Lugina e pushkatarëve” apo “I teti në bronz”, dhe vendosmërinë për të ecur rrugës së shokut Tito (apo të Enver Hoxhës).

Bota fluturonte e ne nuk dinim a jemi në tokë a në qiell…

Jumbo Jet-i i parë fluturoi prej Nju-Jorkut në Londër; katër studentë të Universitetit Kent State, në Ohajo u vranë nga garda nacionale gjatë demonstratave kundër luftës në Vietnam; ushtria britanike përdori për herë të parë plumbat e gomës në Belfast; vdiq Charles de Gaulle, njeriu i cili mbijetoi numrin më të madh të atentateve; Fronti Liberal Anglez i homoseksualëve bëri demonstratën e parë publike; BBC-ja emetonte program të gjuhës angleze në të cilin Sandra Freeman bënte striptiz, ndërsa gjestet e saj komentoheshin dhe shkruheshin në tabelë.

Ec e mos mëso anglisht?!

Këto ishin disa nga ngjarjet më të rëndësishme atë kohë në botë.

Dervish Rozhaja

Ndërsa, në Kosovë vitin e shënonte hapja e Universitetit. “… Kapital i madh politik dhe armë e jashtëzakonshme politike në luftë kundër të gjitha elementeve antikomuniste e armiqësore”, kështu është cilësuar 50 vjet më parë ligji për themelimin e Universitetit. Çfarë domethënie kishte kjo fjalë, vështirë është të kuptohet. Por, një gjë dihet: Universiteti ia çeli sytë Kosovës.

Çështjet kyçe që i preokuponin atë kohë studentët ishin: çështja materiale, ideo-politike dhe reforma universitare. Ç’është e vërteta, këto çështje edhe sot i preokupojnë studentët tanë!

Në Kuvendin solemn, me rastin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, Dervish Rozhaja, ndër të tjera ka thënë: “Themelimi i Universitetit të Prishtinës është ngjarje historike dhe është një hap kualitativ përpara në progresin e mëtejshëm dhe të gjithanshëm të shoqërisë. Zhvillimi i fuqishëm i shkencës, sjell ndryshime përkatëse në koncepcionin dhe pozitën e saj në shoqëri. Në vend të shkencës, si aktivitet i ndarë nga jeta, sot kemi depërtimin e saj në të gjitha poret e jetës. Në vend të shkencës me të cilën merret një numër i kufizuar personalitetesh, po përhapet gjithnjë e më shumë puna shkencore si veprimtari shoqërore. Tani po zhvillohen dy procese komparative, të njëkohshme dhe konvergjente; shoqëria po përvetëson gjithnjë e më shumë shkencën si faktor kapital i zhvillimit dhe progresit, e shkenca po kalon gjithnjë e më shumë në duart e shoqërisë. Kërkesat e shoqërisë dhe ndryshimet në karakterin e veprimtarisë shkencore, kushtëzuan që të mos jetë më privilegj shoqëror, por shprehje e domosdoshme e shoqërisë. Shkollimi universitar po bëhet për ngritjen me sistem të kualitetit të procesit mësimor shkencor”.

Ibrahim Berisha, në librin e tij “Vdekja e kolonisë”, ka thënë se pas demonstratave të vitit 1981, “Universiteti i Prishtinës, nga organet politike dhe shtetërore të ish-Jugosllavisë, nisi të trajtohet si institucion që prodhon destabilitet dhe armiqësi ndaj shtetit komunist”. Ky fakt dëshmohet edhe me këtë deklaratë të serbëve, pas hapjes së Universitetit: “Ua morëm armët shqiptarëve, por ua dhamë topat”.

Ferizaj më 1970

Kosovën atë kohë e preokuponte edhe emancipimi e femrave, ndërsa një prej temave aktuale që mëtohej të trajtohej atë kohë ishte: Lidhja komuniste dhe politizimi i të rinjve! Sepse “të rinjtë e Kosovës në këtë vit që shkoi kanë arritur suksese të mëdha në shumë lëmi, në zgjidhjen e çështjeve me interes të përgjithshëm shoqëror”.

Çfarë fjalimi?!

Atë kohë ndodhi edhe një “paradoks”. Në shkollën normale “Hysni Zajmi” në Gjakovë, Mileta Sekuliq, profesoresha e serbishtes, largoi nga ora e mësimit Miftar Gashin dhe Musa Zeqirajn. Mirëpo, kjo shkaktoi probleme të mëdha, sepse mësimin e lëshojnë edhe 13 nxënës tjetër. Pastaj implikohet edhe zëvendësdrejtori, drejtori etj. etj. etj. dhe problemi bëhet edhe më i madh, goxha i madh. Mirëpo, kjo ishte kohë e vëllazërim-bashkimit, dhe asgjë nuk do të duhej të merrte karakter politik. Prandaj, nxënësit dhe pedagogët qortohen për jovigjilencë, për kontributin negativ në humbjen e orëve të mësimit.

Të njëjtën kohë, në xhunglën Rio Muni të Guinesë spanjolle ndodhi një çudi: U zbulua një gorillë e bardhë. Ndërsa, në Kosovë trajtohej mundësia për ta hapur një kopsht zoologjik në Prishtinë. Atë kohë besa trajtohej edhe moda e minifustaneve e madje edhe mundësia e aplikimit të edukatës seksuale në sistemin tonë arsimor.

Mos me ta marrë mendja?!

Në vitin 1970, disa delegacione të profesorëve të Universitetit të Prishtinës e vizitojnë Tiranën. Nëse merrnin pjesë në ndonjë simpozium, tok me kinezët, nga nikoqirët përshëndeteshin kështu: “I përshëndesim vëllezërit kinezë dhe miqtë kosovarë”.

Pullë postare e vitit 1970 me pamje nga Peja

Filmat më të njohur në botën normale ishin: “Five Easy Pieces”, “M.A.S.H”, “Patton: Lust For Glory”, “Women in Love”. Pjesa tjetër e botës abnormale, e me të edhe Kosova, më shumë preferonte filmat… partizan-e-gjerman pra. Më 1970 jepet premiera e filmit “The Adventers”, kur rolin kryesor e kishte Bekim Fehmiu. Ndërsa, Kosovafilmi i realizon këta dy filma: “Rekuiem për të nesërmen” dhe “Dashuria e parë”. Regjinë e dy filmave të fundit nuk e kanë bërë shqiptarët e as shumica e aktorëve nuk ishin shqiptarë. Kur jemi te filmi, më 1970 lindin dy nga regjisorët më të mirë të shekullit XXI: Paul Thomas Anderson dhe Christopher Nolan. Dhe, mjeshtri i fotografisë, Besnik Hamiti.

Bota dridhej nga Simon & Garfunkel, Frank Zappa, Mungo Jerry, Marvin Gay, John Lennon, Led Zeppelin, Credence Clearwater Revival, Carole King, Pink Floyd etj. Ndërsa, në Kosovë më së shumti dëgjoheshin: Luan Hajra, Shahindere Bërlajolli, Liliana Çavolli, Ismet Peja, Sadete Musliu, Sabri Fejzullahu, Shyqrije Spahiu, Idriz Dhomi, Belkize Tuli, Shaban Gjekaj etj.

Bota komuniste festonte 100-vjetorin e lindjes së Leninit dhe pjesa tjetër 25-vjetorin e OKB-së. Ndërsa, Willi Brandt nis “politikën e re lindore”, apo Ostpolitik, për normalizimin e raporteve të Republikës Federale të Gjermanisë (perëndimore) me Evropën lindore – në veçanti me Republikën Demokratike të Gjermanisë (komuniste).

Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, më 1970, ishte Haxhi Lleshi e kryeministër Mehmet Shehu. Në shtator, në Shqipëri mbahen zgjedhjet parlamentare me dalje prej 100 për qind të votuesve. Dhe, të gjithë këta votues votuan për Frontit Demokratik si partia e vetme.

Kryeministër i Kosovës, apo kryetar i Këshillit Ekzekutiv, më 1970 ishte Fadil Hoxha.

Dhimtër Berati në Konferencën e Paqes në Paris (1919) bashkë me Imzot Luigj Bumçin dhe At Gjergj Fishtën

Më 1970 vdesin nobelistët Max Born dhe Otto Heinrich Warburg; filozofi Bertrand Russell; si dhe rockerët Jimi Hendrix dhe Janis Joplin. Më 1970 shuhet edhe Dhimitër Berati, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Po ashtu, ndërron jetë intelektualja, patriotja, veprimtarja e shquar e arsimimit të femrës shqiptare, pjesëmarrësja e Kongresit të Manastirit, autorja e Abetares së pare shqipe me alfabetin e Manastirit dhe e himnit të tij… Parashqevi Qiriazi. Në vitin 1960, ajo dhe motra e saj Sevasti u dekoruan me “Urdhrin e Lirisë”, ndërsa në vitin 1962 me “Urdhrin për veprimtari patriotike”.

Se sa mizor ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës, këtë e dëshmon fati i saj e sidomos i motrës Sevasti. Ja si e përshkruan këtë, me pak fjalë, studiuesi Niko Kotherja.

“Më 30 gusht 1949, në një banesë tradicionale tiranase dha frymën e fundit pionierja e arsimit kombëtar shqiptar për femra, Sevasti Qiriazi Dako.

Jeta e saj 70-vjeçare kaloi peripeci te panumërta, të ndryshme, duke rrezikuar jetën dhe familjen për shkollën shqipe, si dhe për çështjen kombëtare.

Prej vitit 1941 do të fillonin fatkeqësitë në familjen e saj. Atë vit vdiq bashkëshorti, patrioti i shquar Kristo Dako. I balsamosur nga i biri, Gjergji, trupi i Dakos u vendos në varrezën familjare në Kamzë.

Pas dy vitesh, më 1943, krejt familja u internua në Zemun të Serbisë, ku mrekullia bëri që të mos shuhej kjo familje. Të rraskapitur, Sevastia me motrën e saj Parashqevi, dy djemtë Gjergj dhe Skender, dhe dy nuset e tyre me fëmijët, kthehen në Tiranën e vitit 1945. Iu ishte sekuestruar gjithçka. Shtëpia dhe shkolla në Kamzë nuk ishte më e tyre.

Përdhosja që filloi të mposhtte mësuesen veterane ishte makabre. Studentët e Kursit të Partisë që kishin uzurpuar godinat e tyre, kishin thyer varrin e xhamtë të Kristo Dakos, i kishin shkulur kokën atij dhe me të kishin luajtur futboll…! Mësueseve të para të shqipes iu la si favor që nëse dëshironin të banonin në kotecin e pulave të shtëpisë së tyre. Pasi e lyen me gëlqere të bardhë, si zemra e tyre, për pak kohë veteranët jetuan aty derisa u dëbuan edhe prej atje. Të mbetura rrugëve, ato gjetën mbështetje dhe strehë te ish-kuzhinierja e ‘Institutit Kyrias’, Rukije Tafaj.

Helmi i fundit që mori nga kjo jetë ishte varja në qeli e të birit, Gjergjit, kirurgut që ishte akuzuar për spiunazh dhe gjendej i burgosur. Sevastia nuk mundi as të tërhiqte trupin e të birit, pasi atë e shkatërroi traktori që punoi tokën.

Në gjendje të vajtueshme, Sevasti Qiriazi Dako mbylli sytë në shtëpinë e Rukije Tafajt. Si ‘armike’ u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga katër gra, Parashqevia, nuset e dy djemve, ish-kuzhinierja Tafaj dhe dy varrmihës”.

Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi

VITI 1980: VDIQ KARDELI, VDIQ TITO… EDHE UNË SOT NUK PO NDIHEM AQ MIRË!

Margaret Thatcher, homazh Titos

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1980?

Ky ishte viti i boksierëve të Kosovës. KB “Prishtina” – Xhevdet Peci, Sami Buzolli, Nazif Gashi etj. janë kampionët e katërfishtë shtetërorë.

Bravo!

Prishtina më 1980 (foto nga kalendari i Bankës së Kosovës – Bankkos)

Në Kosovë funksiononte autonomia e vitit 1974, Universiteti punonte si është më së miri, Kosova zhvillonte kuadro të reja, Kosova zhvillohej edhe në aspektin ekonomik, ndërsa boksierët tanë i rrihnin të gjithë boksierët e Jugosllavisë së asaj kohe. Çdo gjë dukej se është OK, se Kosova është “Kopsht i Edenit”. Por, kjo nuk ishte kështu. Ne prapë jetonim në iluzione, fatkeqësisht. Atë kohë botoheshin shkrime për vuajtjet e zezakëve në Amerikë, ndërsa askujt nuk i shkonte në mend të kuptonte se ne jemi zezakët e Evropës. Mirëpo, Universiteti punonte, së paku studentët, të cilët më vonë do të na bëjnë me dije se diçka nuk është në rregull!

Pamje nga funerali i Titos

Ngjarjet më të rëndësishme që shënohen atë kohë në botë janë: Tetë komando amerikanë u vranë në Iran pas aksionit të dështuar për lirimin 52 pengjeve amerikanë të kapur me vendimin e Ajatollah Homeinit – pesë muaj më parë; njësia e specializuar ajrore bëri sulm të suksesshëm në ambasadën e okupuar iraniane – nga terroristët në Londër; mbahen Lojërat Olimpike në Moskë, mirëpo ShBA-ja, Gjermania Perëndimore dhe Japonia i bojkotuan duke protestuar për invadimin e BRSS-së në Afganistan; Ronald Reagan emërohet kryetar i Amerikës. Ndërsa, në Ballkan, në një pjesë të tij, ky do të jetë viti më i pikëlluar në dekadat e fundit: Vdiq Marshali Josip Broz Tito, kryetari i përjetshëm i ish-Jugosllavisë. Varrimi i Titos thuhet se ishte gracioz, se të pranishëm ishin njerëzit më të mëdhenj të asaj kohe. Kësi varrimi flitet se nuk i është bërë askujt tjetër. Pra, ishte një nga ngjarjet më të transmetuara në televizionet e botës.

Peja më 1980 (foto nga kalendari i Bankës së Kosovës – Bankkos)

Tito vdiq, pa marrë parasysh titujt patetikë në gazetat e revistat e atëhershme në gjuhën shqipe në Kosovë: “Pse zemra më nuk i rrah? Po, ajo ka pushuar së rrahuri, por vetëm në trupin e Tij. Ajo rrah edhe më në zemrat tona, se është zemra e zemrave tona”, “Është vetëm një Tito, të gjithë jemi Tito” … Pa marrë parasysh se njerëzit prisnin në rend të madh, para Pallatit të Rinisë “Boro e Ramizi” – jo për të votuar, por për t’u nënshkruar në Librin e Zisë, për ta nderuar veprën e Titos; pa marrë parasysh se filloristët prapë e jepnin “fjalën e nderit të pionierit” e se prisnin të kalonte në qytetin e tyre Stafeta e Rinisë, ndërsa të vjetrit betoheshin për “vendosmërinë në rrugën e Titos” … Tito vdiq, këtu dilema s’ka, mirëpo do të nevojitet edhe një dekadë, edhe një dekadë e vuajtjeve dhe e monotonisë, për të kuptuar se ka vdekur edhe shteti, krijesa e tij, tregimet e rrejshme për vëllazërim-bashkimin.

Kur vdiq Tito, një gazetari të sportit në RTP i mvishet kjo barsoletë: “Vdiq Kardeli, vdiq Tito, e unë nuk jam bash mirë”. Në fakt, kjo është një thënie e reviduar nga Woody Allen që i pari ka thënë: “Zoti vdiq, Marksi vdiq… por edhe unë sot nuk ndihem dhe aq mirë”.

Prizreni më 1980 (foto nga kalendari i Bankës së Kosovës – Bankkos)

Ato që i preokuponin atë kohë studentët e Kosovës ishin edhe tekstet dhe studimet pasuniversitare. Problem i madh ishte edhe numri tepër i madh i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, atë Ekonomik dhe Juridik. Ky problem edhe sot i preokupon kosovarët. Atë kohë prapë flitej për emancipimin e femrës. Natyrisht, për të drejtat e saj dhe tretmanin e barabartë në shoqëri.

Interesant, si duket kjo temë do t’i përcjellë shqiptarët tërë jetën.

Filmat më të njohur në botë ishin: “Heaven’s Gate”, “Raging Bull”, “Ordinary People”, “Coal Miner’s Daughter” etj. Në Kosovë shikoheshin projektet televizive dhe filmat: “Tre vetë kapërcejnë malin”, “Fidani”, “Gjurmë të Bardha”, “Era dhe Lisi”…

Viti 1980 ishte fillimi i fundit të Jugosllavisë dhe koha e kalendarëve me fotot nga aksionet e vjeljes së rrushit.

Ferizaj më 1980 (foto nga kalendari i Bankës së Kosovës – Bankkos)

Bota vallëzonte nën ritmin e The Police, The Jam, Joy Division, Adam & The Ants, Rod Stewart, Blondie, Kate Bush etj. Ndërsa ne e dëgjonim Irfan Blakçorin, Arian Kerliun, Gazmend Pallaskën, Bedri Islamin, Valentina Saraqinin, Hilmi Obërtincën, Shaban Kelmendin etj.

Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë ishte Haxhi Lleshi e kryeministër Mehmet Shehu i cili shpejtë do ta pësojë si shumë viktima të tij. Po këtë vit, Enver Hoxha cakton Ramiz Aliun si lider të ardhshëm të Partisë së Punës së Shqipërisë. Më 1980 vendin e Bahri Oruçit si kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës e zë Riza Sapunxhiu.

Gjilani më 1980 (foto nga kalendari i Bankës së Kosovës – Bankkos)

Gazetari i revistës “National Geographic”, Mehmet Biber, e bën një reportazh nga Shqipëria e vitit 1980, me titullin: “Shqipëria, e vetme kundër botës”. Në fillim të shkrimit të tij, ai thotë: “Pa aleatë dhe e rrethuar nga kombe që kanë pasur synime historike ndaj tokës së saj, Shqipëria është e mobilizuar që të ecën e vetme nën diktaturën e rreptë të Enver Hoxhës i cili ka mbajtur pushtetin për 36 vjet. Simbolet e kazmës dhe pushkës dominojnë skenat publike. Një marksist-leninist dogmatik, Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, të cilin e konsideron ‘revizionist’, më 1961, dhe i prishi lidhjet me Republikën Popullore të Kinës, dy vjet më parë”.

Ai tregon se Enveri e kishte shpallur vendin e tij “të mbyllur ndaj armiqve, spiunëve, hipikëve dhe huliganëve, por të hapur ndaj miqve (marksistë ose jo-marksistë), revolucionarëve dhe demokratëve progresivë, ndaj turistëve të sinqertë… të cilët nuk ndërhyjnë në çështjet tona”.

Një çadër është mjaftueshëm për shqiptarët…

“Shqipëria ua ndalon hyrjen meshkujve me flokë të gjata ose mjekra, dhe femrave me funde të shkurtra, pantallona të gjera, dhe shfaqjeve të tjera të dekadencës borgjeze. Ka me bollëk histori të vizitorëve fatkeq, të cilët dërgohen te berberi i aeroportit për t’u qethur … Shqipëria nuk i lejon makinat private dhe kryeqyteti i saj ka vetëm 20 taksi, të gjitha pronë shtetërore. Shumica ishin të rreshtuara afër sheshit. Shqiptarët rrallë i përdorin”.

Atë kohë, vendi ishte i mbuluar me parulla. P. sh. një parullë në sheshin “Skënderbej” thoshte: “Pa asnjë ndihmë dhe pa asnjë kredi nga jashtë, të mbështetemi tërësisht në forcat tona”. Mbi bashkinë e vjetër: “Të thyejmë bllokadën dhe rrethimin e imperializmit dhe revizionizmit”. Sipër zyrës së Kryeministrit: “Rroftë pushteti popullor”. Një klasë e gjuhëve të huaja studion sloganin e Hoxhës në dërrasë të zezë në anglisht: “Të ndërtojmë socializmin me kazmën në njërën dorë dhe në tjetrën pushkën”.

Një nga parullat e Shqipërisë së vitit 1980

“Marksizëm-Leninizmi është lënda bazë në të gjitha fakultetet, që çon drejt ‘formimit ideologjik’ të studentëve. Kurset thelbësore përfshijnë historinë e Partisë Shqiptare të Punës, politikat ekonomike të kapitalizmit dhe socializmit, materializëm dialektik, filozofi ‘revizioniste’ – dhe sigurisht, veprat e Enver Hoxhës … Në Tiranë një djalë mund ta çojë të dashurën në një park, nëse e lejon moti, ose për të parë një film mbi temën e preferuar, Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare … ‘Revolucioni kulturor’ i Shqipërisë vendos rregullat për sjelljen e rinisë dhe pamjen. Jo vetëm flokët e gjata dhe minifundet, por edhe xhinsi, pantallonat e ngushta dhe grimi janë tabu. Jo droga, seks paramartesor, shaka vulgare ose çamçakëz. Muzika rock dhe xhazi me ritme të forta nuk shihen me sy të mirë … Përveç dy viteve shërbim ushtarak për të rinjtë dhe të rejat, të gjithë qytetarët e aftë fizikisht, pavarësisht profesionit të tyre, duhet të shërbejnë një muaj ose më shumë në forcat e armatosura. Ushtrimet e shpeshta ushtarake në të gjitha fabrikat, fermat, dhe zyrat përgatisin popullin kundër sulmeve … Kudo ku udhëtova – në bregdet, në shtigje malore, në fusha, në parqet e qyteteve, ndërmjet blloqeve të pallateve – pashë bunkerë, emri i tyre popullor. Ato duken – dhe dalin – si kërpudha … Armatimet e Shqipërisë, kryesisht të prodhuara në Kinë … Vendet e tjera komuniste e mbajnë nën fre fenë; Shqipëria e ndalon atë duke e shpallur veten ‘shteti i parë ateist në botë’ më 1967. Të gjitha 2,169 xhamitë, kishat, manastiret dhe vendet e tjera të ‘obskurantizmit dhe misticizmit’ janë mbyllur, shembur ose shndërruar në qendra rekreacioni, klinika, magazina ose stalla. Katedralja e madhe e Shkodrës kumbon nga britmat e 2,000 fansave të basketbollit … Gjenerata e re e Shqipërisë njeh vetëm ateizëm. Besimi Marksist-Leninist zëvendëson besimin fetar. Librat e Enver Hoxhës, të botuara pjesë-pjesë në gazeta, të cituara në radio, sloganet e përzgjedhura shërbejnë si një Testament i Ri. Hoxha mbahet si një mesi – pafundësisht i mençur, largpamës dhe dashamirës, por gjithashtu i paepur ndaj armiqve të tij”.

E pra, kjo ishte Shqipëria më 1980.

Lech Walesa, burri që ia dha të mbrapshtën komunizmit

Më 1980, Izraeli dhe Egjipti vendosin marrëdhënie diplomatike, Lech Walesa organizon grevën e pare të Solidaritetit në Gdans dhe detyron shtetin ta njoh këtë lëvizje punëtore, ndërsa në treg del një nga “lodrat” më të famshme të të gjitha kohëve – Kubi i Rubikut. Më 1980 vdesin aktorët Steve McQueen dhe Mae West, regjisori Alfred Hitchcock, si dhe sundimtari i përmbysur i Iranit, Shah Mohammad Reza Pahlavi. Më 8 dhjetor 1980, nga një adhurues i tij vritet një prej ikonave më të mëdha të muzikës rock, John Lennon. Që nga ai moment, siç ka thënë Paul McCartney, “ai u bë Martin Luther Lennon”, një i shenjtë me të cilin identifikohej paqja e barazia. Në fakt ai ishte i dhunshëm, lëndonte të tjerët, ishte përdorues droge e milioner që nuk përzihej me shtresën e mesme e të varfër. Por, siç thotë David Quantick, Lennoni ishte një vetë-mitolog, i fiksuar me vetvete, që me kohë e kishte mitizuar veten.

Më 1980 vdesë edhe këngëtari i parë i grupit AC/DC, Bon Scott.

Adhuruesit duke vajtuar vrasjen e John Lennonit

VITI 1990: RRAHMONI, “SHQIPTARËT E NDERSHËM”, HELMIMET, VRASJET, DEMONSTRATAT, PAJTIMI… REZISTENCA!

Njësia speciale e milicisë serbe, në një demonstratë të vitit 1990 në Podujevë

“Na mashtroi frika se komunizmi një ditë do ta marrë botën, për faktin se këtë antikomunizmi veç e kishte bërë këtë”, ka thënë një analist amerikan, në vitet ’60-të të shekullit XX. 30 vjet pas kësaj deklarata, antikomunizmi definitivisht e mundi komunizmin dhe komunizmi shkoi ku tjetër pos në P.S.

Luftës së Ftohtë pra i erdhi fundi. Dhe, kjo pritej të ndodhte. Sepse, siç ka thënë P. J. O’Rourke, në revistën “Rolling Stones”: “… Në fund i mundëm me xhinset Levis 501. 72 vjet të indoktrinimit komunist dhe të propagandës u fundosën nga Sony Walkman. Një sistem i madh totalitar… është përkulur, sepse askush nuk dëshironte të mbathte këpucë bullgare…”.

Pra, McDonald’s, Levis 501, Adidasi, Rock’n’Rolli dhe Coca Cola e shkatërruan komunizmin. Të gjitha këto gjëra të cilat i treguan botës se sa i keq është komunizmi, se aty njeriu nuk mund të jetë më i fortë, i mençur, i lumtur dhe i barabartë – jo, pa ngrënë McDonalds e pa pirë Coca Cola”

Në shkatërrimin e komunizmit kontributin e vet e japin edhe shqiptarët e Kosovës. Të mos harrojmë se kosovarët ishin të parët në ish-Jugosllavi që i kanë dorëzuar librezat e kuqe të Lidhjes Komuniste. Eh, për vitin 1990 kjo ishte goxha punë e madhe!

Libreza e anëtarësisë në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë

Më 1990, Nelson Mandela lirohet nga burgu; Martina Navratilova për herë të nëntë e fiton kupën e Uimbëldonit; Gjermania Perëndimore e fitoi Kupën Botërore në futboll duke e mundur, në finale, ekipin e Argjentinës; Sadam Husseini e invadon Kuvajtin; Margaret Thatcher jep dorëheqje nga posti i kryeministres britanike dhe zëvendësohet nga një bajat me emrin John Major; Jean-Bertrand Aristide është kryetar i parë i emëruar në mënyrë demokratike, në Haiti; teksa ishte në një tren që udhëtonte në relacionin Mançester-Londër, Joanne Rowling inspirohet për librin “Hari Poteri dhe guri filozofal” (që botohet më 1997)… dhe, më 3 tetor 1990 përfundon procesi i unifikimit të Gjermanisë Perëndimore e asaj Lindore. Për këtë bashkim, në Berlinin e Bashkuar, ish-anëtari i grupit Pink Floyd, Roger Waters, më 21 korrik 1990 e kishte dhënë koncertin madhështor të projektit të vitit 1979 – “The Wall”. 350 mijë bileta u shitën për këtë koncert; 100 mijë vetë u lanë të futen falas. Ky koncert e theu rekordin për shitje të biletave… Por, edhe një ngjarje e madhe, shumë e madhe ndodhë më 1990: Tim Berners-Lee jep propozimin për WWW-në (World Wide Web). Bota kurrë më nuk do të jetë e njëjtë.

Pamje nga koncerti “The Wall 0 Live in Berlin”

Teksa bota po i kthehej normales, Kosova ishte në ethet e luftës. Këtë herë më shumë se më parë.

Më 2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, të ndaluar të hyjnë në godinën zyrtare, shpalosën para dyerve të saj Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën republikë të Federatës jugosllave. Pas këtij vendimi, Serbia e suprimon Kuvendin e Kosovës. Më 7 shtator të të njëjtit vit, të njëjtët delegatë të Kuvendit të Kosovës e miratojnë Kushtetutën e re të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut. Në pamundësi për të ushtruar pushtet efektiv dhe të përndjekur nga forcat serbe, Qeveria e Kosovës u tërhoq në ekzil – në Gjermani. Më 1990, Rilindja dhe Radiotelevizioni i Prishtinës mbyllen e gati të gjithë punëtorët shqiptarë të Kosovës pushohen nga puna. Mbijetesa në Kosovë varet pothuajse tërësisht nga mërgata.

Kosova shpallet republikë…

Në Mostar, UJD-i (Shoqata për Nismën Demokratike Jugosllave), organizon tryezën: “Kosova, të përpiqemi përsëri, me demokraci”. Tryeza, nënkuptohet, dështon.

Sulmet ndaj Universitetit dhe shkollës shqipe bëhen edhe më të ashpra.

“Kurrë punët më ngushtë nuk i kemi pasur”, ishte komenti më i shpeshtë i asaj kohe. Dhe, ashtu ishte, sepse në pranverë, nxënësit e Kosovës helmohen e këtë e vërtetojnë një numër i madh ekspertësh ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve kryeadministratori i dytë i Kosovës (pas çlirimit më 1999), Bernard Kouchner. Propaganda serbe për të helmuarit thoshte se “ata po aktrojnë”. Por, një mjek tjetër francez, Bernard Benedetti, ka dëshmuar se në Kosovë pati helmime dhe se ka zbuluar molekula klororganike. Meqë helmi ishte ushtarak, aludimet direkte ishin se helmimi është organizuar nga Beogradi.

Demonstratat shpërthejnë anekënd Kosovës. Kudo dy gishtat e ngritur lart. Në shkurt vritet nxënësja Ylfete Humolli. Në këto demonstrata vritet 32 të rinj, qindra plagosen e mijëra përfundojnë nëpër burgje e stacione policore. Po në shkurt, në Bruksel, në një atentat të porositur nga UDB-ja, vritet veprimtari Enver Hadri. Me vete ai kishte listën e 32 shqiptarëve të vrarë në Kosovë, të cilën do t’ia dorëzonte Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Parlamentin Evropian.

Në mars, drejtori i RTP-së që kishte thyer censurën, Agim Mala, ishte ftuar në një tryezë në Novi Sad për të diskutuar për proceset demokratike që kishin përfshirë Evropën Lindore. Në atë takim, një funksionar shqiptar që ishte pjesëmarrës në atë tryezë – e i cili identifikohej me politikën e Sllobodan Millosheviqit në Kosovë – e njofton se shefi i tij kishte kërkuar ta takojë.

Demokracia vononte në Kosovë

“’Kam informata se ti dhe televizioni yt keni ndikim të madh në popull atje. Bindi shqiptarët e tu që të mos vdesin kot, sepse Serbia nuk e jep Kosovën’! Kështu e nisë bisedën ai. Asokohe e kisha një qetësi dhe durim prej Zotit, që me vinte në situatat më të rënda. Zura të qesh. E kisha të qartë se aty nuk ka politikë dhe çfarëdo argumenti politik është i kotë: ‘Kush e kërkon Kosovën’?! – pyes. ‘E kërkon dikush ta bartë në krahë përtej Bosforit?! Kosovën e kërkojnë njerëzit që jetojnë aty dhe ata nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa të jetojnë të barabartë me të tjerët!’ ‘Jo’! – thotë ai preras. ‘Kosovën e kërkojnë irredentistët shqiptarë për t’ia bashkangjitur Shqipërisë’. Kjo ishte teza e nacionalizmit serb, që nga viti 1981, për të pasur pretekst që ta ndëshkojnë një popull të tërë. Me këtë tezë rreth gjysmë milioni shqiptarë ishin burgosur ose trajtuar në polici përgjatë viteve të tetëdhjeta. Ishte e kotë përpjekja për të shpjeguar se shqiptarët nuk janë aq të mbetur politikisht, sa për të besuar se në këto rrethana mund të ndërrojnë kufij në Ballkan… Nuk kishte dialog rreth postulateve të betonuara politike me të cilat Serbia po e nënshtronte Kosovën dhe po i shkelte shqiptarët. Mundohem ta nxjerr bisedën në rrafsh tjetër: ‘I njihni ju shqiptarët’? – e pyes. ‘E keni pasur ndonjë shqiptar përballë ndonjëherë, pos politikanëve’? ‘Po’! – thotë ai. ‘Në shkollën e mesme në Valevë ka qenë një byrekxhi shqiptar, i cili kur nuk kisha para, ma jepte byrekun falas!’. Nuk dija në bën ironi apo është i trallisur. ‘Po nuk mund t’i njihni shqiptarët përmes një byrekxhiu. E keni lexuar Mark Milanin ndoshta…’. Nuk ishte ai njeri i leximit e as që donte t’i njihte shqiptarët. Kthehet përsëri te fillimi i bisedës, se shqiptarët nuk duhet të vdesin kot dhe i përmend 28 viktima të demonstratave të asaj pranvere. ‘Tridhjetedy janë vrarë!’ – i them unë. ‘3.200 kanë pasur për t’u vrarë, 32.000, 320.000, sepse Serbia nuk e jep Kosovën’! Ai i shtonte zerot në numrin e shqiptarëve që donte t’i vrasë, sikur fliste për zogj të inkubatorit. Fundi i kësaj bisede orvelliane vjen me kërcënimet e tij që thuajse i thoshte më shumë për vete, se sa për ta dëgjuar unë: ‘Nëse është kështu, atëherë do të bëhet luftë…’! Sloganin ‘Do të bëhet luftë…’, do ta këtë përsëritur në fund të asaj bisede, e cila qartë e kishte bërë nervoz, sigurisht mbi dhjetë herë”, ka shkruar Agim Mala, për këtë takim.

Fotoja ikonike e Hazir Rekës

Më 1990, gazetarët “Zërit të Rinisë” shpallen gazetarë të vitit. Gazetarët arrestohen (Blerim Shala dhe Halil Matoshi). Për shkak të gazetarëve dhe gazetarisë së guximshme, “Zëri i Rinisë” (si dhe “Mladina” e Sllovenisë) ishte gazetë “armiqësore” dhe ajo për këtë ndëshkohej. Dalja e saj ishte gjithnjë në pikëpyetje.

Në gusht 1990, fotoreporteri i “Zërit të Rinisë”, Hazir Reka, realizon një foto unike. Teksa shqiptarët ishin mbledhur pranë hotelit “Grand” në Prishtinë, duke pritur me padurim delegacionin gjashtë-anëtarësh amerikan të kryesuar nga senatori Bob Dole, ata sulmohen nga Milicia serbe (këtë vit, në ShBA miratohen rezolutat e para serioze për Kosovën). Por, teksa të gjithë iknin, Faik Rexhepi u ulë këmbëkryq, në fillim të rrugës që dikur quhej Korzo. Ky imazh do të publikohet në shumë gazeta dhe televizione botërore.

Ekipi i shqiptarëve që takon delegacionin amerikan, udhëhiqej nga Ibrahim Rugova i cili tashmë e kishte marrë në duar timonin e rezistencës shqiptare në Kosovë.

Në shkurt 1990, nis edhe pajtimi i gjaqeve në Kosovë, të cilave u printe Anton Çetta. Tubimi më i madh u mbajt te Verrat e Llukës, më 1 maj 1990, ku ishin të pranishëm afro 500 mijë shqiptarë.

Në Kosovë pajtohen mbi 1000 gjaqe. Pra, të gjithë presin shpërthimin e luftës në Kosovë.

Më 1990 formohen parti të reja politike, jo vetëm në Kosovë. P. sh. Partia për Prosperitet Demokratik u formua më 16 prill 1990, në Xhepçisht të Tetovës. Kryetar u zgjodh Nevzat Halili. Kjo parti u legalizua kur doli Ligji për partitë politike, me ç’rast u regjistrua si parti e parë shqiptare në Maqedoni (25 maj 1990).

Tubimi i Verrave të Llukës

Filmat më të njohur në botë ishin: “Cyrano de Bergerac”, “Dances with Wolfes”, “Goodfellas”, “Wild at Heart”, “Reversal of Fortune”, “Misery” etj. Ndërsa, Kosova kënaqej duke shikuar projektin e vet të fundit nebuloz filmik – “Rojet e Mjegullës”.

Bota “kallej” pas këngëve të Sinead O’connor, Vanilla Ice, MC Hammer, Michael Bolton, Bangles, Happy Mondays, Simply Red, Maddona, Stone Roses, Guns’n’Roses, George Michael etj. Ndërsa, kosovarët pas 403-shit, Dardan Shkrelit, Babilonit, Lindjes, Fillimit të Fundit, Aida Barakut, Armend Rexhepagiqit, Toska Doçiqit, “Minatorit”, “Seleksionit 039”, “TNT-së”, Pse-së, Peshës së fatit, Arkës, A-së, Netëve të Bardha etj. Këtë vit, të ashtuquajturave “vite të arta të rokut kosovar” u vjen fundi. Kosovarët kthehen kinse kah muzika metal, e më vonë kah ajo rep.

Më 1990, me një këngë infantile e pa lidhje, “Irida” fiton vendin e parë në Akordet e fundit të Kosovës, ndërsa Armend Rexhepagiqi është kosovari i fundit në “Jugovizionin” e fundit të Jugosllavisë së fundit… Vendi i pestë i Armendit ishte suksesi më i madh që kosovarët kanë arritur ndonjëherë në këtë festival.

Korrik 1990: Shqiptarët vërshojnë Ambasadën e Gjermanisë në Tiranë

Më 1990, kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, Ramiz Alia, deklaroi gatishmërinë e tij për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në maj, sekretari i OKB-së, Javier Perez de Cuellar, e viziton Shqipërinë. Këtë vizitë e përcjell edhe RTP-ja (gazetari Llukman Halili). Ndryshimet në bllokun komunist të Evropës e detyrojnë regjimin të ndërmarrë masa në favor të të drejtave të njeriut. Në Plenumin e Trembëdhjetë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, pushteti komunist autorizoi një sistem shumëpartiak. Pas këtij vendimi, më 12 dhjetor krijohet partia e parë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë. Sali Berisha, Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Eduard Selami etj. ishin themelues të saj.

Viti 1990 është viti kur shqiptarët në mënyrë masive mësyjnë ambasadat e Perëndimit në Tiranë. Në tetor largohet edhe shkrimtari më i njohur i Shqipërisë, Ismail Kadare.

Teksa Polonia në janar 1990 ishte i pari shtet komunist që përmbys ekonominë socialiste e Lidhja Komuniste e Jugosllavisë voton për ta shpërbërë veten; teksa më 1991 përfundon shpërbërja e BRSS-së, pushteti komunist shqiptar bie tek në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992.

Për fund duhet cekur se për shqiptarët e Kosovës që ishin pro-Millosheviqit, serbët e shpikën termin “shqiptarët e ndershëm”. Më “i ndershmi” nga ta ishte Rrahman Morina. Ai ishte personi kryesor në politikën e Kosovës, që nga suprimimi i autonomisë më 1990. Ngrihet në pushtet me ndihmën e Millosheviqit (në gjendje të jashtëzakonshme). Për shqiptarët e Kosovës edhe sot është sinonim i tradhtisë kombëtare… E, ky famëkeq vdes më 12 tetor 1990, në seancën konstituive të të ashtuquajturit Këshilli Krahinor i Partisë Socialiste të Serbisë për Kosovë dhe Metohi. Thuhet se vdiq nga sulmi në zemrër. “Shkoi siç ishte”, ishte reagimi i “shqiptarëve të pandershëm”!

Më 1990 vdesin aktoret legjendare të Hollivudit: Barbara Stanwyck, Ava Gardner dhe Greta Garbo.

Dhe… vdiq!

VITI 2000: ZGJEDHJET…

George W. Bush, presidenti i 43-të amerikan

Kosova ishte e çliruar, po shqiptarët ishin pikë e pesë. Kështu, Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), që administronte Kosovën – me në krye me francezin Bernard Kouchner – duhej të merrej edhe me krijimin e një uniteti brenda shqiptarëve. Kështu, më 2000 formohet Këshilli Përkohshëm Administrativ (KPA), që do të bashkëqeveriste Kosovën bashkë me ndërkombëtarët, e në të cilin përfaqësohen të gjitha grupet politike shqiptare dhe bashkësitë etnike të Kosovës. Në mesin e partive të përfshira në këtë organ ishte edhe Lëvizja Demokratike e Bashkuar e Rexhep Qosjes që do të pësojë debakël më 2000. Anëtar i këtij subjekti politik ishte edhe Hydajet Hyseni që më parë ishte anëtar i LDK-së, e më herët anëtar i organizatave marksist-leniniste, e që pastaj do të kalojë në Partinë Demokratike të Kosovës e nga aty në Lëvizjen Vetëvendosje. Ky trend i “kapërcimeve” të shumta, për ta zënë ndonjë vend e pasë diku ndikim, do të vazhdojë deri në ditët e sotme.

Kur është fjala te partitë politike, më 2000 formohet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Demonstrata në Mitrovicë (shkurt 2000)

Në vitin 2000, regjisori Ferenc Moldovanyi realizon dokumentarin “Children: Kosovo 2000”. Në lidhje me këtë dokumentar, ndër të tjera thuhet: “Fëmijët shqiptarë të Mitrovicës shfaqin para kamerave dhembjen e thellë që kanë përjetuar në jetët e tyre të shkurta. Prindërit e tyre janë torturuar, janë poshtëruar e janë vrarë. Ndonjëherë, fëmijët duhej t’i varrosnin, të vetëm, prindërit e tyre”. Në qytetin ku ka qëndruar Moldovanyi, pra në Mitrovicë, në shkurt të të njëjtit vit krisin trazirat. Në veri serbët vrasin tetë shqiptarë, duke e shtuar spastrimin e kësaj pjese të qytetit të ndarë. Për këtë ka kritika ndaj ushtarëve të KFOR-it francez, jo vetëm nga shqiptarët, sepse ata nuk ndërhynin për të vënë rend e për të mbrojtur civilët. Incidente ka edhe në pjesë tjera të Kosovës, ndërkohë që në Luginë të Preshevës shtohen luftimet mes forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe atyre serbe. Mes 21 qershorit 1999 dhe 12 nëntorit 2000, shënohen 294 ballafaqime të armatosura.

Foto Paolo Pellegrinit: Pika e kontrollit të KFOR-it në Mitrovicën jugore

Më 28 tetor 2000 mbahen zgjedhjet e para lokale në Kosovën e lirë. Shumicën e komunave i fiton Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Për ta përcjellë procesin zgjedhor, erdhën gazetarë e vëzhgues nga tërë bota. Kosova ishte prapë në headline. Deri-diku na kishte marrë malli për këtë, meqë ishim mësuar me top-listat e lajmeve. Por, megjithatë jo!

Pos problemeve me serbët, skena politike në Kosovë – siç u tha më lartë – ishte e polarizuar e nuk mungonin as sulmet të cilat etiketoheshin si të motivuara politikisht (mos të harrojmë se më 2000 bëhet atentat ndaj Fetah Rudit, Adem Salihajt e Agim Veliut, ndërsa vriten Shaban Manaj e Xhemajl Mustafa). Prandaj, të gjithë prisnin eksese. Por, zgjedhjet u mbajtën mirë. Në fund u tha se fituesi nuk ka rëndësi, sepse fitues jemi të gjithë ne… pra Kosova.

Edhe në Amerikë më 2000 u mbajtën zgjedhjet, ato presidenciale. Mirëpo, kryetari mezi emërohet (George W. Bush, që do ta bëjë Kosovën shtet). Ndër komentet më të shpeshta të asaj kohe ishte edhe ky: “Amerika duhet të marrë mësim nga zgjedhjet në Kosovë”.

Pamje nga publikimi i rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2000

Në Kosovë më 2000 diplomojnë gjenerata të reja policësh. TMK nis të cilësohet si organizata më e besueshme në Kosovë. Kosovën e vizitojnë figura të rëndësishme botërore, ndërsa administratori Kouchner largohet nga posti i tij. Në Kosovë nis të riparohen rrugët, aplikohet telefonia mobile, aty-këtu rindërtohet ndonjë shtëpi, mbahen konteste të bukurisë, hapen kanale të reja televizive, mbahen seminare, bëhen ca investime në ekonomi etj. Universitetin e mundojnë problemet e reformave, e studentët zgjedhjet për kryetar të Unionit të Pavarur (që do të jetë si trampolinë për aktivitet të mëtejmë politik). Statusi i femrës dhe emancipimi i saj është ende temë aktuale. Mirëpo, këtë herë emancipimi shikohet me futjen e femrës në shifra statistikore…

Me fjalë të tjera, gjërat kanë filluar të normalizohen. Ndoshta për herë të parë.

Por, shumë gjëra të mira për botën ishin të çuditshme. Si zgjedhjet, për shembull. Shumëkush thoshte se Kosova e pasluftës ishte më stabile se Gjermania, Anglia, Franca etj. në vitin 1946. Por, në botën e lajmeve dominon e keqja. E, kur është fjala te e keqja, në Kosovë më 2000 ndodhën vërtet gjëra të pahijshme, si vjedhje, prostitucion e vrasje. Po ashtu, më 2000 u krijua një histeri masive: shumë media raportonin se njerëzit po rrëmbehen nga rruga, në pikë të ditës, sidomos fëmijët, e se po trafikohen organet e tyre. Në një konferencë, KFOR-i i demantoi këto lajme.

Kosovën më 2000 e mundonte statusi i padefinuar dhe mungesa e dokumenteve të udhëtimit. Thjeshtë, kosovarëve u mohohej e drejta për të udhëtuar. Ata nuk e kishin asnjë dëshmi se janë gjallë. Kosova ishte si një geto.

Shumë keq… Por, shpresa ishte e madhe, përderisa Serbinë më nuk e kishim në qafë.

Sorrat mbi Prishtinë (foto: Paolo Pellegrin, 2000)

Kryeministër i Shqipërisë më 2000 ishte Ilir Meta (atëherë i Partisë Socialiste), ndërsa president Rexhep Mejdani. Sali Berisha me 4000 protestues organizon demonstrata antiqeveritare në Vlorë. Por, kot, sepse partia në pushtet, pra Partia Socialiste, më 1 tetor fiton shumicën e viseve në zgjedhjet lokale, përfshirë edhe Tiranën.

Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, për të mbrojtur pushtetin e tij i vret bashkëpunëtorët (në janar vritet një nga kriminelët më famëkeq serbë, Zhelko Razhnatoviq – Arkani, e në gusht njeriu që e ndihmoi ngritjen e tij në pushtet në vitet 1980, Ivan Stambolliq). Por, Millosheviqi do të bie nga pushteti në tetor. Vendin e tij do ta zë një antishqiptar tjetër, Vojisllav Koshtunica. Ngjarjet tjera që shënuan rajonin e botën ishin, në rend të parë luftimet në Çeçeni dhe në Palestinë; fitorja e antiserbit Jorg Heider në Austri; zgjedhjet gati në tërë Ballkanin; Samiti i Nices; formimi i forcave të reja evropiane, vërshime, aksidente të shumta trafiku, temperatura e çrregulluar etj.

Më 2000 vdesin: partizani dhe politikani komunist i Kosovës, Xhavit Nimani, si dhe kryetari i Lidhjes së Arvanitëve, historiani e publicisti Aristidh Kola. Po ashtu, më 2000 shuhet Hedy Lamarr – aktorja e bukur e kinemasë evropiane e amerikane që ka bërë zbulime pa të cilat nuk mund të mendohet koha moderne (epoka e internetit).

Bota vallëzonte nën ritmin e Spice Girls, Enrico Eglasias, N’SYNC, Backstreet Boys, Britney Spears, Ricky Martin, Toni Braxton, Robbie Williams etj. Ndërsa, Kosova me Ritmin e Rrugës, Bekën, WNC-në, Eliza Hoxhën, Adelina Ismailin etj.

Filmat më të popullarizuar në Botë ishin: “American Beaty”, “The Gladiator” “Mission Impossible II”, “The Patriot”, “Traffic”, “The Beach” etj. E, në Kosovë: “Vjeshta e trëndafilave”, “Shtëpia e Tmerrit” dhe natyrisht “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët I & II & III”.

Pra, shijet po ndryshojnë, çdo herë e më… mirë jo!

Hedy Lamarr

VITI 2010: GJND-JA DHE PRANVERA ARABE

Vizita në Prishtinë e sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, më 15 gusht bën një kërkesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), që për këtë shpallje të pavarësisë ta japë mendimin e vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND). Më 8 tetor kjo kërkesë mbështetet nga 77 shtete anëtare të OKB-së. Gjashtë vota ishin kundër, ndërsa 74 ishte numri i abstenimeve.

GjND (me qendër në Hagë), që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, më 22 korrik 2010 e publikoi opinionin këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Gjykatës, Hiasashi Ovada, tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Me 10 vota pro dhe katër kundër, GjND është e mendimit se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), e as kornizën kushtetuese të misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK-ut).

Kjo ishte ngjarja e vitit për Kosovën. Dhe, një humbje e madhe për Serbinë.

Por…

Fatkeqësisht, pas vendimit të GjND-së, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 9 shtator 2010 e miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vende të Unionit Evropian (UE) dhe Serbisë, për të nisur dialogu teknik Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e UE-së. Këto negociata nisin në mars 2011, por ende nuk kanë përfunduar. Fatkeqësisht, gjatë viteve dialogu degjeneron nga ai teknik në atë politik.

Pamje nga dhënia e vendimit të GjND-së

Pas kërkesës së iniciuar më 25 qershor 2010, nga deputeti i pavarur Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, tre muaj më vonë, më 24 shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstaton se presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës (nenin 88.2). Shkelja ka të bëjë me mbajtjen e njëkohshme të postit të presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vendimi është marrë me shumicë votash.

Më 27 shtator, Sejdiu jep dorëheqje duke thënë se “ka qenë i bindur se mbajtja e dy posteve nuk paraqiste shkelje të Kushtetutës”, por sidoqoftë ai e “respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese”. Disa ditë pas dorëheqjes së tij, Lidhja Demokratike e Kosovës del me vendimin për prishje të koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës: “Nga dita e hënë, 18 tetor 2010, LDK tërhiqet nga Koalicioni qeverisës, përkatësisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës. LDK mbetet e përkushtuar të jetë kontribuuese e fuqishme në të gjitha proceset e rëndësishme demokratike e shtetërore në interes të vendit dhe gjithë qytetarëve të tij”, thuhej në njoftim, duke bërë të ditur se nga 18 tetori, zëvendëskryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat do të bëjnë dorëzimin e detyrave nga qeveria që për kryeministër kishte Hashim Thaçin.

Më 2 nëntor, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shpërndan Kuvendin e Kosovës dhe shpall zgjedhjet e parakohshme për 12 dhjetor 2010. Ky veprim vjen pas votimit të mocionit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës. Pjesëmarrja në këto zgjedhje do të jetë 45.29 për qind. Partia Demokratike e Kosovës i fiton 32.11 për qind të votave; Lidhja Demokratike e Kosovës i fiton 24.69 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje që merr për herë të parë në zgjedhje – 12.69 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 11.04 për qind dhe Koalicioni AKR-PD-PSD-PPI-PPK-PNDSH-PGJK – 7.29 për qind. Këto janë zgjedhjet më të diskutuara në Kosovën e pavarur, meqë flitej për “vjedhje industriale të votave”.

Një nga fotot më të përdorura për të ilustruar zgjedhjet në Kosovë

Më 2010, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, viziton Ballkanin. Pas Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, më 13 tetor arrin në Prishtinën e dekoruar me flamuj shtetëror të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo e bëri një vizitë edhe te statuja e burrit të saj – presidentit të 42-të amerikan, Bill Clinton. Si dhe te butiku “Hillary” që gjendet në lagjen “Dardania” të Prishtinës. “Burri im ende duket me flokë ngjyrë kafe, ashtu siç i ka pasur kur jemi martuar dhe statuja ma kujton atë. Dhe, natyrisht, që më pëlqen statuja. Askush nuk duhet ta lyejë në të bardhë atë, ruajeni këtë ngjyrë”, ka thënë sekretarja Clinton. Natyrisht, nga kurtoazia!

Disa ditë më vonë, në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit është transkriptuar fjalimi i Sekretares amerikane të Shtetit, drejtuar stafit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Ambasador në Kosovë ishte Christopher Dell. Në atë fjalim, Clinton ndër të tjera ka thënë: “Do të punojmë shumë, në mënyrë të vendosur, së bashku me partnerët tanë të UE-së, për të mbështetur bisedimet e drejtpërdrejta midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilat do të krijojnë bazën për marrëdhëniet e reja mes Kosovës dhe Serbisë. Jam mirënjohëse për orët tuaja të gjata të punës, në shërbimin civil apo ushtarak, sepse ju tregoni qartë se Amerika është shteti mik dhe aleati më i ngushtë i Kosovës dhe se ne do të vazhdojmë të punojmë në njohjen e pavarësisë së Kosovës… Kosova është në rrugën e drejtë dhe Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka munden që të mbeten partneri juaj derisa ju të keni siguruar një të ardhme më të mirë. Prandaj jam e kënaqur që do të punoj me juve që jeni këtu, me qeverinë dhe popullin e Kosovës, dhe unë jam e bindur absolutisht se ne do të shohim shumë ndryshime pozitive në vitet që vijnë. Faleminderit shumë”.

Hillary Clinton në Prishtinë

Në vitin 2010 zbulohet një varrezë masive në Rashkë të Serbisë, me rreth 250 trupat e kosovarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Komisioni kosovar dyshonte se në afërsi të varrezës së konfirmuar është edhe një tjetër varrezë dhe se numri i personave të futur në këto varreza mund të shkojë deri në 450. Por, kishte vonesa dhe pengesa në vërtetimin e këtyre pretendimeve.

Më 2010 vdesin aktorët Agim Qirjaqi, Esma Agolli dhe legjenda Bekim Fehmiu, aktori i parë i Bllokut komunist që depërtoi në Hollivud. Fehmiu, ky artist e patriot i madh shqiptar, i vetëdijshëm për degradimin e shëndetit të tij, bëri vetëvrasje. Kërkoi që trupi i tij të digjet dhe që hiri të hidhet në Lumbardh të Prizrenit. “Njeriu këndon pas luftës, unë kam shkelur në gjak deri në gju, dhe ëndrra më nuk kam, votra më është shitur dhe nënës ia kam thinjur flokët…”, janë disa nga thëniet e lëna si testament, të shkruara në letrën e lamtumirës. Aktori i dhjetëra roleve e ndërpreu karrierën më 1987, si rezultat i politikave antishqiptare të Serbisë. I pyetur se çfarë ka arritur me këtë, në një intervistë për revistën “Vreme”, më 2001, ai ka thënë: “Të gjitha ato telefonata, që nga Trigllavi e deri në Gjevgjeli, pas intervistës lamtumirëse në ‘Politika’, në prill të vitit 1987; të gjitha ato fjalë miradie për trimëri, të gjitha ato falënderime – nuk kishin asfarë kuptimi për mua. Nuk pati kuptim as parandjenja ime, as ajo që tërhoqa vërejtjen me poezinë e Dushan Vasilevit, ‘Njeriu këndon pas luftës’, ku ai thotë: ‘Unë kam shkelur në gjak deri në gjunj dhe nuk kam më ëndrra…’ dhe përfundon ‘Oh, më jepni vetëm një grusht ajër dhe pak vesë të bardhë mëngjesore, të tjerat i paqi në ndërgjegjen tuaj…’. Kam arritur hiçgjë, një zero absolute në atmosferën e kalëruesit të apokalipsit, duke kaluar nëpër vuajtje të mëdha shpirtërore. Kam arritur izolimin, vetminë, mu sikur Stefan Cvajgu në ‘Botën e djeshme’”. Në një intervistë tjetër të mëhershme, më 1993 – me gazetarin e famshëm Alberto Crespi – ai ndër të tjera ka thënë: “Disa ditë më parë isha në Kosovë për të vizituar të afërmit e mi. Situata është absurde. Mund të shpërthejë në çdo moment. Në çdo moment jeni në prag të masakrës. Shqiptarët trajtohen si skllevër, pushohen nga puna, nuk kanë për të ngrënë…”. Bekim Fehmiu dhe Aleksandër Moisiu mbesin aktorët më të mëdhenj shqiptarë, deri sot.

Më 2010 vdesin edhe poeti Din Mehmeti, përkthyesit Pashk Gjeçi dhe Gjergj Zheji, si dhe akademiku Jashar Rexhepagiqi.

Bekim Fehmiu (foto e vitit 2008, e bërë nga Fahredin Spahija)

Ndërkohë, në maj, Partia Socialiste e Shqipërisë nisë protestat kundër Qeverisë, duke filluar edhe grevën e urisë. Në nëntor, Bashkimi Evropian refuzon kërkesën e Shqipërisë për statutin e kandidatit për BE, por miratohet liberalizimi i vizave. President i vendit ishte Bamir Topi, ndërsa kryeministër Sali Berisha.

Nga ngjarjet kryesore që shënuan botën janë këto: Më 12 janar 2010, një termet shkatërrimtar godet Haitin. Thuhet se numri i të vdekurve ka arritur deri më 316 mijë. Atë vit, WikiLeaks publikon 90 mijë raporte të klasifikuara të përfshirjes amerikane në Luftën në Afganistan, si dhe 250 mijë kabllograme diplomatike – 100 mijë nga të cilat ishin sekrete. Në dhjetor 2010 nisin ndryshimet në Lindjen e Mesme, që do të njihen më vonë si Pranvera Arabe. Protestat e para nisin në Tunizi, pasi Mohamed Bouazizi, një tregtar rruge ia futi vetit flakën më 17 dhjetor. Ky akt u nxit pas shqetësimeve të shpeshta për gjoja mungesë të lejes së tij punës. Meqë nuk mund të korruptonte policët dhe pasi u përbuz keq nga një police 45-vjeçare që ia dha një shuplakë, ia konfiskoi peshoren elektrike, ia hodhi në tokë gjërat që shiste… dhe pasi ankesat e tij në Polici hasën në vesh të shurdhër, e leu veten me benzinë. Para se ta digjte veten, bërtiti: “Si mund ta fitoj bukën e gojës”? Protestat nisën disa orë më vonë. Pranvera Arabe në Tunizi, apo Revolucioni Tunizian, zgjati 28 ditë deri me përmbysjen e presidentit Zine El Abidine Ben Ali. Por, shtetet tjera, si Libia, Siria e Jemeni nuk e kaluan kaq lehtë.

Më 2010 vdesin aktorët e famshëm: Dennis Hopper, Leslie Nielsen dhe Tony Curtis. /Telegrafi/

Protestuesit tunizian me parullat: “Ben Ali, the qafen”

Viti 2020: PANDEMIA

Virusi i poshtër

Viti 2020 ishte vit i mërzitshëm, depresiv dhe i rrezikshëm. Lajmet kryesore kishin të bënin me virusin SARS-CoV-2 që u shfaq në dhjetor 2019 në Vuhan të Kinës dhe që u përhap në tërë botën, duke u bërë pandemia e parë pas 100 vjetëve (pas Gripi Spanjoll). Ky virus infektoi 84.1 milionë njerëz në nivel globale, duke lënë 1.83 milion të vdekur.

Pandemia ishte lajmi kryesor edhe në Kosovë, në Shqipëri e kudo ku jetojnë shqiptarët (rastet e para në Kosovë shënohen me 13 mars). Por, vitin 2020 në Kosovë e karakterizojnë rëniet e dy qeverive. Më 3 shkurt 2020, pas gati katër muajsh negociatash mes Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deputetët e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro, zero kundër dhe 10 abstenime votuan qeverinë e re të Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti. Ky koalicion u quajt “Koalicion i Shpresës”, por gjërat shpejtë përmbysen kur më 17 mars, Kurti e shkarkon ministrin e Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike (MPBAP) nga radhët e LDK-së, Agim Veliun, me arsyetimin se ky i fundit ishte “kundër qëndrimit të kryeministrit të Kosovës për mos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”. Qeveria Kurti bie më 25 mars, me 82 vota pro, 32 kundër dhe një abstenim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Me qershor, me 61 vota pro, 24 kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës votoi qeverinë e re me kryeministër Avdullah Hotin nga radhët e LDK-së, në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe, si dhe parti të vogla të minoriteteve. Vendi më 2021 do të ketë zgjedhje të reja meqë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm mandatin e deputetit Etem Arifi që votoi Qeverinë Hoti, pasi rezultonte i dënuar me një vit e tre muaj burg.

Dy kryeministrat e vitit 2020: Avdullah Hoti dhe Albin Kurti

Më 25 qershor anulohet takimi i paraparë për 27 qershor në Uashington, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë kryeministri Hoti refuzoi të shkojë pasi publikimit nga Gjykata Speciale të aktakuzës kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Më 24 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, ka njoftuar se ka bërë arrestimin e parë në Kosovë: ish-ushtarin e UÇK-së, Salih Mustafa, që ishte zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Një ditë pas, Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka bastisur zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK). Po këtë ditë është arrestuar kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, dhe nënkryetari i OVLUÇK-së, Nasim Haradinaj. Pas arrestimit të tyre, ata janë dërguar në Hagë, ku më vonë u është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale për pengimin e drejtësisë.

Më 4 nëntor, në Hagë dërgohet ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Një ditë më vonë, në Hagë dërgohet edhe një nga themeluesit e UÇK-së, Rexhep Selimi. Të njëjtën ditë, më 5 nëntor, Hashim Thaçi jep dorëheqje nga posti i presidentit, pasi është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale. Edhe Kadri Veseli tërhiqet nga pozitat politike pas konfirmimit të aktakuzës së Speciales.

Më 10 korrik, me ndërmjetësimin e Francës, Gjermanisë dhe BE-së është mbajtur samiti virtual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, më 4 shtator, Republika e Kosovës dhe Serbia nënshkruajnë në Uashington marrëveshjen për normalizim ekonomik Bardhë. Nënshkrimi u bë në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Po atë ditë, Izraeli e njohu shtetin e Kosovës.

Takimi i Uashingtonit (shtator 2020)

Në Maqedoninë e Veriut, rasti i parë me koronavirus shënohet më 26 shkurt. Më 27 mars, vendi bëhet anëtari i 30-të i NATO-s. Ndërkaq, më 15 korrik mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku fitues doli koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM). Më 31 gusht, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e votoi qeverinë e re të kryesuar nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pjesë e të cilës u bënë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe partnerët parazgjedhor të LSDM-së – BESA dhe Partia Liberale Demokratike (PLD).

Rasti i parë me koronavirus në Shqipëri regjistrohet më 8 mars 2020. Më 17 maj, pas rezistencës dyvjeçare, rrënohet godina e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, në qendër të Tiranës. Rrënimi u shoqërua me tensione dhe përplasje mes policisë dhe disa artistëve, qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile që kundërshtuan vazhdimisht planet e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një godine të re për teatrin në të njëjtin vend ku ndodhej ndërtesa me vlera historike dhe arkitektonike. Trazirat në Tiranë do të shpërthejnë edhe në dhjetor, pasi 25-vjeçari Klodian Rasha vritet nga policit Nevaldo Hajdaraj. Më 6 shtator, presidenti Ilir Meta vendos dekretoi zgjedhjet parlamentare për 25 prill të vitit 2021.

Kombet e Bashkuara njoftuan se viti 2020 ishte vit më i nxehtë i regjistruar, për çka akullnajat shkrihet me shpejtësi të madhe, ndërsa në Siberinë e ftohtë shënohen temperaturat deri në 38 gradë (e në Arabinë Saudite bie borë). Temperaturat “shtohen” edhe nga zjarret e shumta, sidomos në Amazonën e njohur si “Mushkëritë e Botës”, si dhe në Australi.

Amazona në flakë

Më 25 maj, në spital vdes 46-vjeçari George Floyd. Por, videoja me fjalët “nuk marrë frymë”, pasi policët kishin vendosur gjurin në qafën e tij, shkaktoi trazira të mëdha në ShBA dhe lëvizjen “Vlen jeta e njerëzve me ngjyrë” (Black lives matter).

Viti 2020 mbahet mend për realizimin e Brexit-it, pra daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni Evropian, për fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale në ShBA, luftën Azerbajxhan-Armeni, trazirat politike në Bjellorusinë autoritare, vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani (kreut të forcave elita të Gardës Revolucionare të Iranit), shpërthimin në Portin e Bejrutit, marrëveshjen historike mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, tensionet e rrezikshme mes Turqisë dhe Greqisë… dhe zbulimin e vaksinës për luftimin e koronavirusit. Zbulimi i fundit nga kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech” cilësohet si “zhvillim i madh për shkencën dhe njerëzimin”. Edhe kompania “Moderna” ka zbuluar një vaksinë të tillë.

Më 2020 vdiqën: aktorë Terry Jones, Kirk Douglas, Jerry Stiller, Carl Reiner, Olivia de Havilland, Sean Connery… muzikantët Kenny Rogers, Florian Schneider, Little Richard, Vera Lynn, Ennio Morricone, Peter Green, Eddie van Halen… basketbollisti Kobe Bryant, futbollisti Diego Maradona… Viti 2020 shënoi humbje të mëdha edhe për artin e kulturën shqiptare. Këtë vit vdiqën: aktorët Leze Qena, Adem Mikullovci, Rikard, Ljarja, Koço Devole, Muharrem Fejzo… shkrimtarët Musa Ramadani, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, piktorja Lumturi Blloshmi; arkitekti Maks Velo; skulptori Arben Bajo; fotografi Arben Çeli; ikonat e muzikës shqiptare në Kosovë: Nexhmije Pagarusha, Shahindere Bërlajolli dhe Ismet Peja; kompozitori dhe baritone Avni Mula; rapsodi Isë Llapqeva dhe legjenda e muzikës rock, Violeta Rexhepagiqi. Në shkurt u shënua edhe një vdekje që nuk shkaktoi shumë hidhërime: më 26 shkurt, në moshën 99-vjeçare vdiq Nexhmije Hoxha, e veja e ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila gjatë regjimit komunist (1944-1991) ka mbajtur poste të ndryshme në institucionet dhe organizatat e kohës, duke qenë një nga shkaktaret kryesore të vuajtjeve në Shqipëri.

Dhe, për fund… poshtë Viti 2020! /Telegrafi/

No Comment
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1914, 1924, 1934… dhe 2014!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1915, 1925, 1935… 2015!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1916, 1926, 1936… 2016!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1917, 1927, 1937… 2017!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1918, 1928, 1938… 2018!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1919, 1929, 1939… 2019!?
Exit mobile version