Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë me publikun letërn që ka marrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke shprehur mirënjohjen dhe angazhimin e tij për ta lartësuar emrin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Në postimin e bërë në rrjetet sociale, Rama shprehet se do ta lartësoi emrin e Shqipërisë


"MIRËMËNGJES dhe me nderin e kënaqësinë e ndarjes me ju të letrës që mora dje nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, duke ju falenderuar për privilegjin e besimit që më keni dhënë, si edhe duke ju siguruar se do të bëj deri në fund gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë e dinjitetin e shqiptarëve, ju uroj të diel të qetë", ka shkruar Rama.

Në letrën e tij, Presidenti Trump fton Shqipërinë të bëhet pjesë e një iniciative ndërkombëtare për paqe.

"Është një nder i madh për mua t’ju ftoj ju, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, të më bashkoheni në një përpjekje Historike dhe Madhështore për forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrim një qasje të re plot guxim për zgjidhjen e Konfliktit Global!", thuhet në letër.

Trump thekson rëndësinë e Planit Gjithëpërfshirës për fundin e konfliktit në Gaza dhe themelimin e Bordit të Paqes.

"Bordi i Paqes është në zemër të këtij Plani dhe ky është Bordi më mbresëlënës dhe më me ndikim i krijuar ndonjëherë, i cili do të themelohet si një Organizatë e Re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Tranzitore"

Ai gjithashtu fton Shqipërinë të marrë pjesë si Shtet Anëtar Themelues.

"Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Shqipërisë të përfaqësuar prej jush, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues, dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit të Paqes. Ky bord do të jetë aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ekzistuar diçka e ngjashme me të!"

Letrën, Presidenti Trump e përmbyll me një mesazh bashkëpunimi dhe ambicie për paqe globale.

"Me kënaqësi pres të punojmë së bashku, edhe për shumë gjatë në të ardhmen, drejt qëllimit të vendosjes së përhershme të paqes botërore, mirëqenies, dhe madhështisë për të gjithë!". /Telegrafi/