LAJMI I FUNDIT:

Shpërthim me tritol në një lokal në Lungomare – kamerat e sigurisë regjistruan gjithçka

Shpërthim me tritol në një lokal në Lungomare – kamerat e sigurisë regjistruan gjithçka

Në lidhje me shpërthimin e tritolit që ndodhi mëngjesin e sotëm në një lokal në Lungomare është zbuluar motivi i mundshëm i ngjarjes.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi bar-restoranti ku u vendos sasia e lëndës plasëse (tritol) ka qenë në pronësi të Bledar Birçaj, i cili është ekzekutuar në 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen Hajro Çakërri me breshëri plumbash.

Ndërkohë që lokali ka qenë me qera, dhe është marrë sërish nga pronarët (vëllezërit e Bledarit) të cilët kanë pak kohë që e kanë vënë në punë. Lokali është në emër të nënës Resmie Birçaj.


Gazetari i Top Channel, Mikel marsi, mëson se kanë qenë kamerat e sigurisë ato që kanë regjistruar çdo gjë, përfshirë autorin.

Sipas kamerave të sigurisë, ka një autor i cili ka qenë me maskë, ka ardhur pas pallateve dhe ka vendosur sasinë e lëndës plasëse.

Pasi e ka vendosur tek dera e lokalit ka ndezur fitilin dhe është larguar po pas pallateve, shpërthimi ka ndodhur 15 sekonda pasi është larguar autori.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dhe specialistët të njësisë antieksploziv të cilët po bëjnë kontrolle të imtësishme në lokalin ku është vendos tritoli.

“Rreth orës 06:00, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në një lokal, në pronësi të shtetases R. B., ka shpërthyer, dyshohet lënde plasëse, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kush ishte Bledar Birçaj:

Në verë të vitit 2021, Bledar Birçaj kishte pak javë që ishte kthyer në Shqipëri nga Spanja, ku edhe jetonte. Atentati ndaj tij ndodhi në lagjen “Hajro Çakërri”, ku 40-vjeçari po lëvizte me makinën tip BMW dhe i dolën në pritë. Pasi u qëllua me breshëri kallashnikovi, Bledar Birçaj u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ia doli t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë.

40-vjeçari ishte pronar i lokalit në qytetin e Vlorës. Në ekstraktin e QKB rezulton se ishte pronar i një biznesi në fushën e veprimtarisë bar-kafe, birrari dhe tregti me pakicë e artikujve të ndryshëm.

E shkuara e tij kriminale:

Në janar të 2011, Birçaj u arrestua në Vlorë si i dyshuar për vrasje, duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin të marsit 2011, ka caktuar si masë sigurimi “arrestit në burg” pa afat.

Në prill masa ndaj tij ndryshoi nga Gjykata e Vlorës nga “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve. Por në korrik 2011 u vendos pushimi i hetimit penal në ngarkim të Bledar Birçaj duke u lënë i lirë./TCH/