Një shpërthim që dëmtoi një binar hekurudhor polak në një rrugë për në Ukrainë ishte një "akt i paprecedentë sabotimi", tha të hënën kryeministri Donald Tusk.

Ai u zotua të kapte ata që janë përgjegjës për një incident që ai tha se mund të kishte përfunduar në tragjedi, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shpërthimi në linjën Varshavë-Lublin vjen pas një vale zjarrvëniesh, sabotimi dhe sulmesh kibernetike që kanë goditur Poloninë dhe vendet e tjera evropiane që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Varshava në të kaluarën e ka mbajtur Rusinë përgjegjëse, duke thënë se Polonia është bërë një nga objektivat më të mëdhenj të Moskës për shkak të rolit të saj si një qendër për ndihmë për Kievin.

Rusia ka mohuar vazhdimisht të jetë përgjegjëse për aktet e sabotimit.

"Shpërthimi i binarëve hekurudhorë në rrugën Varshavë-Lublin është një akt i paprecedentë sabotimi që synon sigurinë e shtetit polak dhe qytetarëve të tij", shkroi Tusk në X.

"Një hetim është duke u zhvilluar. Ashtu si në rastet e mëparshme të këtij lloji, ne do t'i kapim autorët, pavarësisht se kush janë mbështetësit e tyre".

Varshava tha në tetor se Polonia dhe Rumania kishin arrestuar tetë persona të dyshuar për planifikim sabotimi në emër të Rusisë.

Policia lokale bëri të ditur të dielën se një makinist treni kishte raportuar dëmtime në linjën hekurudhore, por autoritetet nuk ishin në gjendje të konfirmonin menjëherë se kjo ishte rezultat i sabotimit.

"Kjo rrugë përdoret gjithashtu për të transportuar armë në Ukrainë", ka thënë Tusk në një video-adresim.

"Për fat të mirë, nuk ndodhi asnjë tragjedi, por implikimet ligjore janë shumë serioze".

E ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se ushtria po inspektonte një segment prej 120 km (74.6 milje) të binarit që të çon në kufirin ukrainas. /Telegrafi/