Shpërthim në një diskotekë në Prishtinë – nuk raportohet për të lënduar

Një shpërthim është raportuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Epiri” të Prishtinës, konkretisht në diskotekën “Gate”.
Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, ka thënë se shpërthimi është raportuar rreth orës 02:45 dhe se për fat të mirë nuk ka persona të lënduar.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme kundrejt situatës. Nga informacionet fillestare, nuk raportohet për të lënduar”, ka deklaruar Borovci.
Ai shtoi se policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, ka nisur hetimet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe është duke punuar për zbardhjen e rrethanave të incidentit.
Ndërkohë, edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar rastin.
“Ka ndodhur një shpërthim në diskotekën ‘Gate’, fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Prokurori i shtetit ka hapur rastin ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës për mbledhjen dhe grumbullimin e informatave relevante lidhur me rastin në fjalë,” ka deklaruar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala.
Aktualisht, nuk janë bërë të ditura detaje shtesë për natyrën e shpërthimit apo dëmet materiale të shkaktuara, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Ndryshe, “Gate Club” u hap vetëm disa ditë më parë, pas një periudhe rinovimi që pasoi djegien e tij disa muaj më parë. /Telegrafi/

















































