E  plotësuar: Personi me iniciale R.A., 64-vjeçar, është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës pasi atij i janë konfiskuar një armë e gjatë “M48”, një pistoletë dhe një xhaketë me mbishkrimin “Mbrojtja civile” (Civilna zastita) më 07.10.2024.

Kështu ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.


“R.A. i lindur më 1960. 48 orë ndalim. Fshati Korile, Komuna Zveçan” – tha Elshani.

Policia e Kosovës ka shoqëruar një person në stacionin policor në Zveçan, pasi gjatë një operacioni në këtë zonë iu konfiskuan një armë dhe një revole.

Lajmi u konfirmua nga Veton Elshani, zëdhënës i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës.

“Ky nuk është operacioni i vetëm apo bastisja e vetme. Gjatë një tjetër bastisjeje në Zveçan, kemi konfiskuar një armë M-48 dhe një revole. Një person është shoqëruar në stacion dhe po merret në pyetje”, deklaroi Elshani.

Elshani gjithashtu njoftoi se në një bastisje të mëparshme në veri të vendit, Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të madhe armësh dhe pajisjesh ushtarake, duke përfshirë një armë AK-47, dy granata dore M-75, dy radiolidhje, dy antiplumba, pajisje ushtarake të ndryshme dhe municione të tjera.

Lista e pajisjeve të konfiskuara përfshinte:

- 1 armë zjarri AK-47;

- 2 granata dore M-75;

- 2 radiolidhje;

- 2 antiplumba;

- Kapelë dhe dorëza;

- Çantë ushtarake;

- Karikatorë të zbrazët dhe të mbushur me fishekë të pistoletës;

- Harta;

- Rrip brezi;

- Sprej dhe thikë;

- Shall kamuflazhi.

Operacionet e policisë në këtë zonë janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të parandaluar veprimtaritë e paligjshme dhe për të forcuar sigurinë në veri të Kosovës./Telegrafi/