Përzgjedhësi i kombëtares rumune, Mircea Lucescu, është shtruar me urgjencë në spital këtë javë dhe aktualisht ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.

Problemet shëndetësore të teknikut 80-vjeçar kanë nisur nga një ftohje e rëndë që ai pësoi pas Krishtlindjeve, e cila më pas ka ndikuar edhe në zemër. Lucescu përfundoi në shtrat spitali pasi u shtrua urgjentisht nga mjekët në Bukuresht.


Ai u godit nga një ftohje e fortë gjatë pushimeve dimërore, por situata u komplikua për shkak të problemeve kardiake dhe moshës së avancuar. Fillimisht, trajneri iu nënshtrua një trajtimi shumë intensiv, por nuk arriti të rikuperohej dhe, përkundrazi, gjendja e tij u rëndua më tej.

Mircea Lucescu kishte përgatitur një program shumë të detajuar për këtë periudhë, duke pasur parasysh se pas dy muajsh kombëtarja e Rumanisë do të përballet me Turqinë në gjysmëfinalen e playoffit kualifikues për Kupën e Botës, që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Trajneri i “trengjyrëshave” kishte planifikuar të ishte i pranishëm në Antalya gjatë muajit janar, aty ku shumica e skuadrave të Superligës turke po zhvillonin përgatitjet dimërore, për të ndjekur nga afër lojtarët që kishte në vëzhgim. Megjithatë, problemet shëndetësore ia pamundësuan praninë, ndaj ai u detyrua t’i dërgonte bashkëpunëtorët e tij për të mbledhur informacion në terren.

Gjendja e dobët shëndetësore nuk i ka lejuar Lucescus të ndjekë asnjë ndeshje të Superligës turke, ku tashmë është zhvilluar një javë kampionati.

Për më tepër, tekniku rumun kishte planifikuar ta studionte me shumë kujdes kundërshtarin, por nuk arriti ta realizojë këtë plan./Telegrafi

telegrafi sport app