Klubi gjerman Fortuna Dusseldorf ka njoftuar se nuk do ta vazhdojë transferimin e sulmuesit izraelit Shon Weissman, pas pakënaqësive të mëdha të tifozëve për shkak të postimeve të tij në rrjetet sociale rreth luftës në Gaza.

Weissman, i cili aktualisht është pjesë e ekipit spanjoll Granada, ishte afër kalimit te Fortuna, por reagimet publike negative detyruan klubin të tërhiqej nga marrëveshja.


Në përpjekje për të mbrojtur lojtarin, klubi postoi në Instagram një reagim duke thënë:

“Çfarë po ndodh këtu? Po marrim mesazhe gjatë gjithë kohës. Të gjykosh njerëz që nuk i njeh bazuar në Wikipedia-n e tyre? Kjo nuk është në përputhje me vlerat tona", ka shkruar Fortuna.

Postimet kontroverse të Weissman datojnë që nga tetori i vitit 2023, kur filloi lufta në Gaza. Ai kishte reaguar në Twitter me deklarata të rënda dhe të dhunshme ndaj civilëve në territorin palestinez.

Në një nga postimet, Weissman kishte pyetur: “Cila është arsyeja logjike pse bombat 200 tonëshe nuk janë hedhur ende në Gaza?” Ai gjithashtu kishte pëlqyer postime që bënin thirrje që “Gaza të fshihet nga faqja e dheut”.

Në një tjetër rast, duke iu referuar një fotografie me dy militantë palestinezë të zënë rob, ai shkroi: “Pse dreqin nuk i qëllon në kokë?”

Sipas mediave spanjolle, prokurori lokal në Granada në vitin 2023 mori një ankesë për gjuhë urrejtjeje ndaj Weissman, ndërsa agjenti i lojtarit më vonë pretendoi se postimet ishin bërë nga një person tjetër që menaxhonte llogaritë e tij.

Pavarësisht përpjekjeve për të qetësuar situatën, shumica e komenteve në njoftimin e klubit ishin kritike. Një tifoz shkroi: “Është më mirë të biesh në divizionin e tretë sesa të sjellësh një lojtar që nuk përfaqëson vlerat e klubit".

Weissman iu bashkua Granadas në vitin 2023 për 3.5 milionë euro. Ai u huazua te Salernitana në Serie B gjatë pjesës së parë të sezonit 2024 dhe më pas u rikthye te Granada, ku shënoi golin e fundit në dhjetor 2024 në Kupën e Mbretit.

Transferimi i tij te Fortuna ishte planifikuar për një shumë prej 500 mijë eurosh, por tashmë është zyrtarisht i anuluar.

Klubi gjerman, që përfundoi i gjashti sezonin e kaluar në Bundesliga 2, e nisi sezonin e ri me humbje 5:1 ndaj Arminia Bielefeld. /Telegrafi/

telegrafi sport app