Kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, e hapi fazën e grupeve të Ligës së Konferencës së UEFA-s me humbje 2-0 në Madrid kundër Rayo Vallecano-s, njofton Telegrafi.

Për kuqezinjtë nga Tetova kjo ishte ndeshja e parë historike në një fazë grupesh të një gare evropiane, duke u radhitur kështu në mesin e debutantëve të këtij sezoni.


Takimi në “Vallecas” nisi me presion të madh nga vendasit. Rayo që nga minutat e para e mori lojën nën kontroll dhe e zhvendosi aksionin në gjysmën e Shkëndijës, duke krijuar disa gjysmëraste të rrezikshme. Në minutën e 20-të, pas një goditjeje këndi, Klinsman Cake për pak sa nuk realizoi autogol. Presioni i madrilenëve solli fryte shpejt, brenda vetëm katër minutave, Shkëndija pësoi dy herë nga kundërsulmet. López shënoi në minutën e 28-të, ndërsa Pérez e dyfishoi rezultatin në të 32-tën.

Deri në fund të pjesës së parë shifrat nuk ndryshuan, ndërsa në pjesën e dytë Rayo duket se u kënaq me epërsinë. Spanjollët e mbajtën topin, ndërsa Shkëndija shfaqi pafuqinë e saj për të rrezikuar. Statistikat e dëshmuan këtë diferencë: Shkëndija regjistroi vetëm një goditje drejt portës, në minutën e 82-të nga mbi 30 metra largësi, përkundër më shumë se 20 tentimeve të vendasve drejt portës së Gayes.

Shkëndija do të ketë mundësinë të kërkojë pikët e para në këtë garë evropiane në ndeshjen e radhës, që do ta zhvillojë në Shkup ndaj përfaqësuesit irlandez, Shelbourne. /Telegrafi/

telegrafi sport app