Ndeshja çerekfinale e Al-Nassr ndaj Al-Wasl është shtyrë për shkak të tensioneve të përshkallëzuara në Lindjen e Mesme.

Skuadra saudite, ku aktivizohet Cristiano Ronaldo, ishte planifikuar të përballej me klubin nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Dubai, por ende nuk është konfirmuar një datë e re për zhvillimin e takimit.


Shtyrja vjen pas zhvillimeve të fundit në rajon, që kanë rritur ndjeshëm pasigurinë. Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) njoftoi përmes një deklarate zyrtare se, për shkak të situatës në zhvillim, ndeshjet e fazës së 1/8-ës në rajonin Perëndimor si dhe përballjet çerekfinale të kompeticioneve përkatëse janë shtyrë deri në një njoftim të dytë.

AFC theksoi se ndeshjet që përfshijnë klube nga rajoni Lindor do të zhvillohen sipas planit, duke nënvizuar se siguria e lojtarëve, stafit, zyrtarëve dhe tifozëve mbetet prioritet absolut.

Ndërkohë, trajneri i Al-Nassr, Jorge Jesus, dha një përditësim edhe për gjendjen e Ronaldos, i cili u pa me akull në pjesën e pasme të gjurit.

“Ronaldo ka pësuar lodhje muskulore dhe stafi mjekësor do të kryejë me urgjencë testet e nevojshme për të përcaktuar gjendjen e tij”, deklaroi tekniku portugez./Telegrafi/

telegrafi sport app