Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit S.K., shtetas i Republikës së Kosovës, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri është dënuar me burgim prej dy vjetësh dhe gjobë në shumën prej 1000 euro.


“Kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe pranimit të fajësisë nga i pandehuri, e shpalli fajtor dhe ndaj tij shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) vjetësh, si dhe dënim me gjobë në shumën prej njëmijë (1000) euro”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, rasti kishte ndodhur më 14 korrik 2025 në Gjakovë, kur hetuesit e DHTN-së kishin vërejtur të pandehurin gjatë shitjes së substancave narkotike.

“I pandehuri i ka dorëzuar blerësit E.V një qese me substancë narkotike në këmbim të shumës prej pesë (5) eurosh. Më pas, tek i pandehuri janë gjetur dhe sekuestruar katër (4) qese me substancë narkotike dhe një kartëmonedhë në vlerë prej 5 euro”, thuhet më tej.

Gjatë bastisjes në banesën e tij, janë gjetur gjithsej 19 qese me marihuanë, 8 qese me kokainë dhe një fishek i kalibrit 9x19 mm.

Pas analizës së kryer nga Agjencia e Kriminalistikës dhe Forenzikës, u konstatua se substancat ishin marihuanë me peshë 14.09 gramë dhe kokainë me peshë 2.86 gramë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i tij në formë të shkruar. /Telegrafi/