Po bëhen një muaj që qytetarët e Kosovës janë futur në izolim, shkaku i pandemisë së coronavirusit, e cila tashmë ka përfshirë të gjitha vendet në botë.

Që nga 13 marsi i këtij viti kur u paraqiten rastet e para me COVID-19 në vend, e deri më sot numri i personave të prekur nga ky virus ka arritur në 184, ndërkaq 5 persona kanë humbur jetën.

Numri i personave të infektuar me COVID-19 gjatë kësaj jave në vendet e rajonit

Mirëpo pavarësisht këtij numri të personave të prekur me coronavirus, lajmi i mirë është se tashmë kanë filluar të shërohen edhe një numër i madh i pacientëve.

Vetëm gjatë ditë së djeshme janë shëruar gjashtë pacientë duke e çuar në 30 numrin e përgjithshëm të të shëruarve nga COVID-19 në Kosovë, shkruan Telegrafi.

Sipas institucioneve shëndetësore në vend, kjo javë dhe java e ardhshme po konsiderohen si më kritiket ku sipas tyre pritet të arrihet edhe piku i kësaj pandemie në Kosovë.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani u ka bërë apel qytetarëve të Kosovës që të respektojnë rekomandimet e IKSHP-së në të kundërtën situata në ditët në vijim do të jetë shumë e rëndë.

Nga data 08 shkurt deri më 07 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.352 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.

Duke marrë parasysh vendet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali Zi, Serbia, Greqia, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia të cilat kanë numër të lartë të personave të prekur, Kosova qëndron më mirë sa i përket statistikave pasi që momentalisht ka numrin më të vogël të personave që janë infektuar me virusin COVID-19.

Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me COVID-19 në vendet e rajonit

Ajo çfarë mbetet është që qytetarët të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe të qëndrojnë sa më shumë në shtëpitë e tyre. /Telegrafi/