LAJMI I FUNDIT:

Shabani: PDK me ofertë serioze për qytetarët e Dragashit

Shabani: PDK me ofertë serioze për qytetarët e Dragashit

Kandidati për kryetar të Komunës së Dragashit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani pret që në raundin e dytë të zgjedhjeve në balotazh që do të zhvillohen më 19 nëntor, do të jetë fitues kundër kandidatit të LDK-së.

Shabani në një intervistë për KosovaPress ka thënë se qytetarët e Dragashit kanë një arsye për të votuar kandidatin e PDK-së, për faktin se punën që e ka bërë kjo parti për qytetarët e kësaj komune gjatë gjithë kësaj kohe, është treguar se PDK-ja është e fuqishme, ka kapacitete për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për ngritjen e mirëqenies së tyre në përgjithësi.


Kandidati i PDK-së, i cili ka një përvojë në udhëheqjen dy drejtorive komunale dhe në periudhën e fundit si kryesues i Kuvendit Komunal, ka thënë se i duhet mbështetja e qytetarëve të Dragashit për kryetar të komunës, sepse PDK për këto zgjedhje ka ofruar një ofertë shumë serioze për mandatin katër-vjeçar qeverisës.

“Unë mund t’i garantoj qytetarët tanë, se e njoh jashtëzakonisht mirë funksionimin e pushtetit lokal, i di të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen, duke filluar nga shërbimet deri tek hallet dhe problemet e tyre. Partia Demokratike e Kosovës për këto zgjedhje ka ofruar një ofertë shumë serioze për mandatin katër-vjeçare qeverisës. Në kuadër të platformës zgjedhore, jemi koncentruar t’i zhvillojmë aktivitetet tona për ngritjen e zhvillimit ekonomik, dhe të gjitha këto kanë rezultuar edhe me nxjerrjen e prioriteteve tona, siç është bujqësia me degën e blegtorisë, turizmi si dhe energjia. Mbi të gjitha prioritetet tjera vazhdojnë të mbesin arsimi, shëndetësia, kultura, rinia dhe sporti, menaxhimi I mbeturinave dhe trajtimi i ujërave të zeza”, theksoi Shabani.

Ai ka thënë se për çështjen e papunësisë, që mbetet sfidë për të, do të angazhohen që përmes një Zyre për Zhvillim Ekonomik dhe nëpërmjet një kontakti të drejtpërdrejt me Shoqatën e Afaristëve në këtë komunë do të arrijnë për gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Po ashtu, sipas Shabanit, prioritet do të jetë edhe hapja e komunës së Dragashit në raport me shtetet fqinje, e cila gjendet në trekëndëshin me Shqipërinë dhe me Maqedoninë.

Të gjitha qasjet me shtetet fqinje, sipas Shabanit, do të sjellin të mira materiale për qytetarët e Dragashit që të rritet niveli i këmbimeve dhe mallrave.

“Po ashtu një sfidë tjetër do të mbetet edhe trajtimi i ujërave të zeza, për shkak se kjo çështje është një fushë shumë më e kushtueshme se të gjitha të tjerat. Ne fillimisht do të mundohemi ta bëjmë një projekt, ku do të planifikojmë mbledhjen e të gjitha ujërave të zeza dhe normalisht të konkurrojmë nëpër institucione ndërkombëtare, qoftë edhe në Qeveri”.

Kandidati Shabani, ka treguar se Dragashi ka potenciale zhvillimore në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, dhe premton për ta rregullimin e infrastrukturës rrugore, si dhe përkrahje e tyre për qendrat grumbulluese të produkteve.

Shabani po ashtu ka thënë se tek çështja e zhvillimit ekonomik, komuna e Dragashit veç i ka të hequra taksat për ndërmarrjet e vogla të gjitha taksat komunale dhe nuk paguajnë bizneset.

Andaj, sipas tij, do të vazhdojnë edhe për katër vitet e ardhshme që këto taksa t’i mbajnë të hequra.
Po ashtu ai ka premtuar se turizmi do të mbetet një fushë e veçantë ku janë të angazhuar t’i shfrytëzojnë të mirat e Parkut Nacional Sharri.

Kandidati Shabani ka shprehur besimin se PDK do të ketë një fitore të thellë në Dragash, sepse sipas tij, ky subjekt ka dëshmuar me angazhim në mandatin e kaluar. /kp/Telegrafi/