Ish-deputeti serb, Dragan Shormaz, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku për herë të dytë brenda një dite janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe eksploziv në komunën e Zubin Potokut.

Shormaz ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ndjek një politikë të rrezikshme ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, e cila, sipas tij, po dëmton drejtpërdrejt interesat e serbëve në Kosovë.


Sipas tij, veprimet e Vuçiqit po i largojnë serbët nga integrimi institucional.

Ai ka theksuar se serbët në Kosovë nuk do të duhej të kishin votuar për Listën Serbe dhe se qytetarët serbë, sipas tij, do të duhej t’i kishin kthyer shpinën regjimit në Beograd.

Reagimi i Shormazit vjen pasi Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e veriut ka pranuar informacione për praninë e armëve dhe eksplozivit në një shtëpi të braktisur në fshatin Jagnjenicë të komunës së Zubin Potokut.

Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë të tipit M48, 244 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të zbrazët, si dhe një sasi eksplozivi.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitë për Trajtimin e Eksplozivit (EOD), të cilat kanë larguar eksplozivin në mënyrë të sigurt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./Telegrafi.