Financimi i mediave në Ballkanin Perëndimor është kritikuar nga shoqëria civile dhe ekspertët, ndërkohë që ndikimi i Rusisë dhe Kinës në shpërndarjen e dezinformatave në rajon është në rritje.

Një pjesë e mediave në Kosovë nuk e bëjnë publik burimin e financimit, ndërsa mbi financimin e mediave kosovare as institucionet nuk ofrojnë qasje në informacione. Edhe në vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nuk u ofrohen publikut të dhëna mbi financimin dhe origjinën e fondeve të mediave.


Murat Mehmeti, hetues në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë se ka media në Kosovë që pranojnë para në dorë. Sipas tij, muajt e fundit ka pasur një tendencë që të shpërndahet një dezinformatë rreth presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

“Realisht unë mendoj që këto fonde vijnë në cash dhe përfundojnë te mediat që financojnë një çështje të caktuar. E di që viteve të fundit, sidomos në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, nga Serbia kanë qenë shumë të interesuar që të fusin në media agjendën se gjoja ka një konflikt të papajtueshëm mes Vuçiqit dhe Milan Radoiçiqit,” – thotë Murat Mehmeti, hetues në ATK.

Sipas tij, synimi ka qenë që përmes njerëzve të mediave dhe influencerëve të shpërndahen lajme të tilla te lexuesit në Kosovë.

Edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se artikuj me përmbajtje të rreme janë shpërndarë në Kosovë mbi zhvillimet politike. Sipas tij, kjo ka ndikuar edhe në performancën e disa partive politike nga komuniteti serb në Kosovë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Vetëm në zgjedhjet e fundit kemi pasur raste të panumërta të artikujve të sponsorizuar nga ‘Sputnik’ e të tjerë, qoftë nga Serbia, por edhe nga Rusia, të cilat kanë shkruar kundër kandidatëve që kanë ardhur nga, le të themi, opozita serbe lokale në Kosovë,” – thotë ai.

“Kjo ka bërë që partitë opozitare serbe të jenë pothuajse inekzistente, duke shënuar, unë besoj, një prapakthim” – shton Cakolli nga KDI.

Hulumtimet e tjera në Kosovë mbi dezinformatat që kanë burim Serbinë dhe Rusinë tregojnë qëllimin për përshkallëzim të sigurisë.

Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus” thotë se ndikimi i Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës është dashakeq.

“Serbia dhe Rusia kanë ndikim dashakeqës në Kosovë dhe përpiqen që përmes dezinformimit të ndikojnë te qytetarët, sidomos serbët, të cilët informohen pothuajse plotësisht nga mediat që vijnë nga Serbia. Këto media më pas ripublikojnë materiale nga mediat ruse dhe përpiqen të krijojnë konflikte ndëretnike dhe të mos lejojnë integrimin e serbëve të Kosovës në jetën institucionale këtu,” – thotë Krasniqi.

Dezinformatat ruse publikohen edhe në Shqipëri. Nevila Gjata nga organizata joqeveritare për verifikim faktesh në Shqipëri, “Faktoje.al”, thotë se dezinformatat nga Rusia vijnë përmes Serbisë.

“Në rastin e Shqipërisë, ne shumicën e lajmeve dezinformuese i marrim nga Serbia. Serbia i merr nga media shtetërore ruse, ato kalojnë në Serbi, ndërsa mediat online në Shqipëri, që janë ngritur për qëllime klikimi, i marrin copy-paste nga mediat serbe dhe i botojnë në portalet shqiptare,” – thotë ajo.Edhe në Serbi mediat janë të ndikuara nga dezinformatat ruse. Lajmet e publikuara nga mediat në Serbi arrijnë edhe te lexuesit në Kosovë.

Sipas Gordana Andriq nga “BIRN Serbia”, janë disa media që publikojnë dezinformata nga Rusia.

“Mendoj se po, në kuptimin që mediat kryesore serbe e marrin përmbajtjen dhe i shtyjnë narrativat e tyre. Ne kemi dy mediume të mëdha në Serbi, ‘Politika’ dhe ‘Večernje Novosti’, të cilat dikur kanë qenë shumë të respektuara, por tani shpesh publikojnë dezinformata dhe përmbajtje që mund të karakterizohen si propagandë pro-ruse,” – thotë ajo.

Ndikimi i Kinës

Përveç Rusisë, hulumtuesit dhe shoqëria civile në Kosovë dhe rajon kanë zbuluar edhe narrativa dezinformuese me burim nga Kina.

Nevila Gjata nga “Faktoje.al” thotë se lajmet nga Kina e paraqesin Bashkimin Evropian si një vend ku nuk respektohen të drejtat e njeriut, ndërsa Kinën si një vend me perspektivë më të mirë.

“Kemi vënë re që edhe Kina ka ndikim, por me një qasje tjetër, një ‘soft disinformation’, përmes perspektivës kulturore ose fuqizimit ekonomik, si alternativë ndaj BE-së,” – deklaron Gjata.

Ndërsa Besar Likmeta nga BIRN Shqipëria thotë se materiale nga mediat kineze transmetohen edhe në televizionin publik shqiptar.

“Kina ka një marrëveshje me televizionin publik shqiptar dhe për shkak të kësaj marrëveshjeje, gjatë viteve ka pasur transmetim të materialeve propagandistike që vinin nga televizioni kinez,” – thotë ai.

Nga ana tjetër, ndikimi kinez është vërejtur edhe në Serbi.

“Mediat shtetërore kineze në Serbi kanë nënshkruar disa kontrata me mediat vendore, mes tjerash me agjencinë ‘Tanjug’, e cila për një kohë të gjatë ka qenë në pronësi të shtetit,” – thotë Milena Popoviq nga Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie.

“Propaganda kineze kryesisht bazohet në tema ekonomike. Shohim raportime pozitive për Kinën në mediat në Serbi, me tone lavdëruese për projektet ekonomike mes kompanive kineze dhe shtetit të Serbisë,” – deklaron Popoviq.

Ndikimi i politikës te mediat

Një hulumtim nga KALLXO.com mbi fushatën e fundit të zgjedhjeve lokale në Kosovë tregoi se disa portale publikuan komunikata të partive politike pa i redaktuar fare ose pa i shënuar si artikuj të sponsorizuar.

Hulumtimi tregoi se partitë politike i shkruajnë vetë komunikatat në formë artikujsh, ndërsa portalet vetëm i ripublikojnë ato. Analiza tregoi se në të paktën nëntë portale komunikatat e partive politike ishin ripublikuar pa u redaktuar apo përpunuar.

Brikenda Rexhepi nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës thotë se një fenomen i tillë ka ekzistuar edhe më herët.

“Ka qenë një fenomen i pranishëm sidomos gjatë fushatave zgjedhore, jo vetëm në media online, por edhe në media tradicionale. Mënyra për të bërë gjëra të tilla janë gjetur gjithmonë,” – thotë Rexhepi.

Sipas saj, KMSHK ka bërë thirrje që mediat online në Kosovë të tregojnë qartë kur artikujt janë të sponsorizuar.

Nga ana tjetër, Eugen Cakolli thotë se partitë politike gjejnë donacione nga biznese të ndryshme dhe ndikimi i tyre bën që disa kandidatë për deputetë të kenë hapësirë më të madhe në media.

“Po krijohet një situatë ku kandidatët më të pasur janë ata që zgjidhen deputetë dhe fatkeqësisht kjo është vërtetuar sidomos në dy ciklet e fundit zgjedhore,” – thotë ai.

“Kandidatët me potencial më të lartë financiar, jo për shkak të pasurisë personale, por përkrahjeve nga biznese të caktuara, kanë arritur të kenë prani më të madhe mediale dhe aktivitete më të shumta të fushatës, gjë që është përkthyer në fitim mandatesh,” – përfundon Cakolli./Kallxo.