Sekretarja amerikane e Arsimit ia huq, shkurtesës së inteligjencës artificiale “AI” i referohet si “A1”

Sekretarja e Arsimit e Donald Trumpit, Linda McMahon e shqiptoi gabimisht shkurtesën e inteligjencës artificiale "AI" si "A1".
Në një samit arsimor të organizuar nga investitorët e Silicon Valley, 76-vjeçarja ish-promovuese profesioniste e mundjes, në mënyrë të përsëritur e shqiptoi gabimisht akronimin "AI" (inteligjencë artificiale) si "A1", që është emri i njohur në SHBA për salcën e famshme të biftekut Heinz, transmeton Telegrafi.
Fjalimi i saj të jep përshtypjen se ajo as nuk di të shqiptojë siç duhet një nga shkurtesat më të përhapura në shoqërinë moderne.
"Ka një sistem shkollor, nuk e di saktësisht se ku tani, por që tani e tutje do të sigurojë që nxënësit nga klasa e parë apo edhe nga programet parashkollore të mësojnë për A1 çdo vit", tha McMahon para audiencës.
Ajo mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët me Julia Stiglitz, CEO e Uplimit, një kompani që përdor AI për edukimin e korporatave dhe Vijay Karunamurthy, CTO e Scale AI, një kompani e specializuar në përgatitjen e të dhënave për inteligjencën artificiale.
"Fëmijët janë si sfungjerët, ata thithin gjithçka. Nuk ishte shumë kohë më parë që ne po futnim internetin në shkolla. Tani, në rregull, le të shohim se çfarë mund të bëjë A1 për mësime individuale", tha McMahon.
Kujtojmë se interneti u prezantua në shkollat publike amerikane në mesin e viteve e 90-ta, pothuajse 30 vjet më parë.
McMahon nuk ka arsim apo përvojë në fushën e politikave arsimore. Ajo është më e njohur për themelimin e organizatës që më vonë u bë WWE (World Wrestling Entertainment) me bashkëshortin e saj Vince McMahon.
Në mandatin e parë të Trump, ajo ishte drejtoreshë e Administratës së Biznesit të Vogël (SBA).
Deklarata e saj vjen në një kohë të ndjeshme, pasi roli i inteligjencës artificiale në arsim po ndez debate.
Studentët në mbarë botën po përdorin me entuziazëm mjete gjeneruese të AI si ChatGPT, megjithëse ekspertët paralajmërojnë për kufizime teknike dhe rezultate potencialisht mashtruese, të cilat mund të prekin veçanërisht përdoruesit e rinj dhe të papërvojë.
Mbrojtësit e AI në shkolla argumentojnë se mjetet e bazuara në AI mund t'i bëjnë detyrat e përditshme më të lehta për mësuesit, të cilët shpesh janë të mbingarkuar dhe të paguar më pak.
Kritikët, megjithatë, paralajmërojnë se asgjë nuk mund të zëvendësojë një mësues. /Telegrafi/


















































