LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu: Isa Mustafa na pengoi në Prishtinë, Haradinaj na dha mbështetje të plotë (Video)

Sejdiu: Isa Mustafa na pengoi në Prishtinë, Haradinaj na dha mbështetje të plotë (Video)

Nënkryetari i PSD-së i cili ka qenë edhe nënkryetar i Komunë së Prishtinës, Dardan Sejdiu ka hedhur akuza të rënda ndaj kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa ndërsa për kryeministrin Haradinaj ka folur fjalë të mira sa i përket bashkëpunimit në Prishtinë.

Sejdiu në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Isa Mustafa, sa ishte në krye të Qeverisë asnjërën nga pesë temat e propozuara nga Komuna e Prishtinës ai nuk i shtyu përpara, ndryshe nga Haradinaj.


“Kemi qëndruar një orë e gjysmë me kryeministrin Isa Mustafa dhe kemi shtruar pesë tema. Për këto tema kemi biseduar me Mustafën në dy muajt e parë që ai kishte marrë detyrën e kryeministrit. Dhe ai për tri vite sa ka qëndruar në qeveri asnjërën prej tyre nuk e ka trajtuar”.

“… Ka ardhur kryeministër Ramush Haradinaj dhe është bërë takimi. Kemi shtruar pesë tema, ato që kanë mbetur. Kryeministri Haradinaj ka thënë se Ligjin e Prishtinës do e procedojë, nëse është gati. Disa kolegë të LDK-së edhe pse e kanë shkruar vet, më kanë thënë në byfe se ligji ka nevojë për korrektim. Ka edhe deputetë korrektë nga LDK-ja që kanë votuar ligjin pa hezitim. Pallatin e Rinisë, si një betejë 20 vjeçare, Haradinaj e çoi para. Unazën e Prishtinës,  Ahmeti bashkë më ekipin e Haradinajt kanë shkuar në BERZH dhe kanë sigurua fonde… Këto tema i ka trajtuar Haradinaj si një kryeministër i cili e ka parasysh se Prishtina nuk mund të jetë pjesë e një beteje politike mes një kryetari të komunës dhe një kryeministri”, thotë më tej Sejdiu.

Nënkryetari i PSD-së ka thënë se nuk është “flirtim” nëse Komuna e Prishtinës bashkëpunon me Qeverinë.

Sejdiu ka thënë se Haradinaj është një kryeministër si gjithë të tjerët deri tash, por në raport me Prishtinën është më i mirë se Isa Mustafa.

“Në raport me Prishtinën është padyshim më i mirë, do t’i hynim në hak. Por modeli ekonomik që ai e zbaton në Kosovë është i gabuar. Në raport me kapjen e shtetit është i njëjtë, bile edhe me i keq se tjerët”, tha ndër të tjera Dardan Sejdiu./Telegrafi/