LAJMI I FUNDIT:

SBASHK-u thotë jo, MASHTI po – a do të mbahet mësim të shtunën?

SBASHK-u thotë jo, MASHTI po – a do të mbahet mësim të shtunën?

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit sërish me mospajtime, por kësaj radhe për çështjen e zëvendësimit të orëve të humbura mësimore.

SBASHK-u sot në një konferencë për media theksoi se zëvendësimi i orëve të humbura nuk do të bëhet këtë të shtunë, siç ka kërkuar Ministria e Arsimit.


Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj theksoi se vendimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për zëvendësimin e orëve të humbura nga greva gjatë të shtunave, ka qenë i ngutshëm.

Sipas tij, Nagavci nuk e ka respektuar kontratën kolektive ku thuhet se orët e mësimit të humbura nga greva nuk kompensohen – përveç nëse palët nënshkruese, pra Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u, arrijnë marrëveshje të veçantë.

“Lidhur me kompensimin e orëve të humbura, ishte vendim i ngutshëm nga ana e ministres së Arsimit e cila nuk e zbatoi kontratën kolektive ku thuhet qartë se orët e humbura të mësimit nga greva nuk zëvendësohen përveç nëse palët nënshtruese, pra MASHTI dhe SBASHK-u arrijnë marrëveshje të veçantë. Prandaj, këtë të shtunë nuk do të ketë zëvendësim të orëve”, është shprehur Jasharaj.

Ai tutje ka thënë se presin nga ministrja Nagavci që t’i ftojë në takim për të diskutuar se si do të zëvendësohen orët e humbura, e nëse një gjë e tillë nuk ndodh “jemi të detyruar ta respektojmë kontratën kolektive”.

Ndërkaq, pas këtyre deklaratave ka reaguar Ministria e Arsimit.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive e ka rishikuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 dhe i ka njoftuar me kohë të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit në lidhje me këto ndryshime.

Bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, ju informojmë se dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat”, thuhet në njoftim.

Sipas MASHT-it, gjatë një muaji të grevës, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor të cilat duhet të zëvendësohen.

“Për shkak të çrregullimeve në pandemi, humbjet në arsim në Kosovë janë shumë të mëdha, derisa këto humbje janë shtuar edhe më shumë për shkak të grevave.

Muajt në vijim mund të ketë çrregullime potenciale që mund të shkaktohen nga problemet e furnizimit me energji elektrike andaj, çdo diskutim për mosmbajtje të mësimit, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe qëllimkeq e tendencioz”, thuhet më tej.

MASHTI kërkon që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës, ashtu siç e parasheh kalendari i rishikuar.

“Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikëqyrë zbatimin e kalendarit të vitit shkollor.

Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive për sigurimin e organizimit dhe mbarëvajtjes së mësimit në arsimin parauniversaitar, presim që komunat të sigurohen për realizimin e kalendarit shkollor duke filluar nga kjo e shtunë”, thuhet në njoftimin e MASHTI-it. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
Zëvendësministri për Kthim: Sot është tentuar të vritet Marko Jablanoviq, sulmuesit i dështoi “Shkorpioni”

Zëvendësministri për Kthim: Sot është tentuar të vritet Marko Jablanoviq, sulmuesit i dështoi “Shkorpioni”

Siguri
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
Kalo në kategori