Jadon Sancho ka ndezur sërish debat në rrjetet sociale, pasi në Instagram Stories publikoi një fotografi së bashku me disa nga lojtarët që konsiderohen jashtë planeve të Manchester United.

Trajneri Ruben Amorim nuk e ka fshehur faktin se një grup futbollistësh janë të vendosur në listën e largimeve, përfshirë Sanchon, Marcus Rashford (tashmë te Barcelona), Alejandro Garnacho, Antony dhe Tyrell Malacia. Ai theksoi se nuk është një situatë ideale, por sipas tij vetë lojtarët kanë shprehur dëshirën për të provuar një aventurë të re larg Old Trafford.


“E di që nuk është pozitive të kesh futbollistë në këtë situatë, por është e qartë se ata duan të luajnë diku tjetër”, deklaroi Amorim para startit të sezonit.

Rashford tashmë është huazuar te Barcelona, ndërsa pjesa tjetër e “lojtarëve të padëshiruar” mbetet në pritje të transferimeve të reja. Sancho, i cili sezonin e kaluar ishte në huazim te Chelsea dhe ka qenë i lidhur me disa klube gjatë verës, postoi një selfie ku shfaqej së bashku me Malacia dhe Antony.

Por befasia më e madhe ishte prania e Lisandro Martinezit, i cili nuk është pjesë e listës së padëshiruarve. Mbrojtësi argjentinas, i rikthyer nga një dëmtim i rëndë në ligamentin e gjurit që e mbajti jashtë fushave që nga shkurti, duket se po afrohet me grupin e izoluar të shokëve të skuadrës.

Martinez pritet të rikthehet në tetor, ndërkohë që United ka nisur sezonin me Matthijs de Ligt, Lenny Yoro dhe Luke Shaw në qendër të mbrojtjes.

Situata e lojtarëve të tepërt nuk është problem vetëm i United. Edhe Chelsea i Enzo Marescës ka një grup të ngjashëm, me emra si Axel Disasi, Ben Chilwell dhe Raheem Sterling që kërkojnë klube të reja. Madje edhe Disasi ka publikuar së fundmi një foto nga dhoma e zhveshjes së “skuadrës së bombave” të Bluve.

Me afatin e transferimeve që mbyllet të hënën e ardhshme, si United ashtu edhe Chelsea janë nën presion për të sistemuar lojtarët që nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerëve të tyre. /Telegrafi/

telegrafi sport app