Pasi dje u shfaq një video ku Nusret Gokce, i njohur me nofkën Salt Bae, i mohohej hyrja në një festë pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve, shefi i kuzhinës turk shkroi në Instagram për të dhënë versionin e tij të ngjarjes.

Konkretisht, Salt Bae ndau një video të bërë në të njëjtin vend me atë që u bë virale, ku atij nuk i lejohet të hyjë në hotelin ku dyshohet se u mbajt ndeja pas finales së Ligës së Kampionëve.


Kjo video tregon shefin turk duke iu afruar fansave të mbledhur para hotelit dhe duke bërë foto me ta.

Pamjet e lartpërmendura nuk tregojnë detajet nga videoja e djeshme, megjithatë, Nusret mohoi se nuk i ishte lejuar hyrja.

"Pas ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve, mbërritëm në hotel me autobusin e UEFA-s dhe arsyeja pse ishim atje në atë moment ishte për shkak të mijëra tifozëve që donin të na shihnin. Si gjithmonë, isha atje për t'ua kthyer dashurinë dhe për të bërë një foto", shkroi ai krahas videos së ndarë.

Ai tha se po priste një automjet për të shkuar në hotelin e tij për shkak të trafikut, dhe për atë "u drejtua drejt derës me shpinën kthyer nga ai".

"Nuk kishte ftesë për festën apo ndonjë organizim tjetër, kështu që të gjitha lajmet se nuk më lejuan të hyja në festë janë të pabaza", pohoi shefi i kuzhinës dhe shtoi: "Mos u shqetësoni për gjëra të tilla të vogla, pjesa tjetër është inteligjencë artificiale".

Ylli i famshëm kishte marrë pjesë më parë në finalen e Ligës së Kampionëve, në të cilën Paris Saint Germain mundi Interin, dhe në Instagram krenohej me një sërë fotosh me personazhe të famshëm që takoi.

Arsyeja pse videoja e parë tërhoqi kaq shumë vëmendje ishte incidenti në Kupën e Botës në Katar, kur ai mbajti trofeun dhe bëri një foto me të, pavarësisht rregullave.

Ai u pa gjithashtu duke e “ndjekur” Messin në fushë në përpjekje për të bërë një foto me futbollistin legjendar.

E gjithë kjo shkaktoi një ortek reagimesh negative, dhe për shkak të kësaj, Nusret tha në një intervistë në vitin 2023 se nuk do të shfaqej më në ngjarje sportive - megjithatë, ai nuk e mbajti atë premtim. /Telegrafi/