Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit në Bruksel me ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës.

Siç pritej, ndër të parat që i janë bërë shefit të NATO-s është ajo për raketat amerikane Tomahawk, të cilat Kievi shpreson t'i sigurojë nga Uashingtoni kur Volodymyr Zelensky të vizitojë Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten.


Këto raketa do t'i mundësonin Ukrainës të godasë objektiva thellë brenda Rusisë, transmeton Telegrafi.

Rutte u pyet nëse do ta mbështeste administratën Trump në furnizimin e armëve për Ukrainën, të cilit ai iu përgjigj: "Nuk do të hyj në këtë, varet nga aleatët individualë".

"Mund t'ju siguroj, jemi shumë të lumtur që takimi po zhvillohet. Fakti që presidenti amerikan Trump dhe presidenti i Ukrainës po punojnë kaq ngushtë së bashku. Mendoj se është shumë mirë që ata po e zhvillojnë atë takim të premten", shtoi Rutte.

"Në fund të fundit, ajo që duhet të arrijmë është të sigurohemi që Putini të ulet në tryezë, që të fillojnë negociatat kuptimplota dhe që ta përfundojmë këtë luftë të tmerrshme", theksoi për fund shefi i NATO-s. /Telegrafi/