Rugove zgjeron hapësirat e gjelbra në oborrin e shkollës “Nazim Gafurri” (Foto)

Korporata Rugove në bashkëpunim me Green Art Center-Prishtina (GAC) dhe me përkrahjen e Komunës së Prishtinës, të mërkurën ka zgjëruar hapësirat e gjelbra, në oborrin e shkollës fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë, duke mbjellë fidane.
Ky aktivitet erdhi si përmbyllje e kampanjës “Të ndërtojmë hapësira të gjelbra, duke ricikluar shishe të plastikës”, që ishte iniciuar nga Rugove, me qëllim të vetëdijesimit të të rinjve, mbi ndarjen e mbeturinave, konkretisht plastikës dhe riciklimin e tyre.
Në kuadër të kampanjës, janë siguruar kontejnerë për ndarjen e shisheve të plastikës për tetë kolegje private në Prishtinë, të cilët për një periudhë tetë mujore, kanë bërë ndarjen e tyre.
Të gjitha mjetet e mbledhura nga riciklimi i shisheve, janë shfrytëzuar për revitalizimin me gjelbërim dhe infrastruktura përcjellëse, kryesisht me materiale të ripërdorura, të hapësirës në shkollën publike “Nazim Gafurri’ në Prishtinë.
Bashkëpunëtorë të projektit ishin institucionet arsimore: AUK, UBT, Riinvest, AAB, ILIRIA, Akademia Evolucion, Pjetër Budi.
























































