LAJMI I FUNDIT:

Rruga B i arsyetoi pritjet

Rruga B i arsyetoi pritjet

Mijëra shikues janë ndarë të kënaqur me atë që treguan automobilistët e Kosovës në garën që u zhvillua në Rrugën B në kryeqytet.

Si zakonisht, garat e disiplinës rrethore, edhe kjo në Prishtinë, ishte një spektaktël i vërtetë për dashamirët e shpejtësive. Festën automobilistike e bënë edhe më interesante një numër i madh i motoçiklistëve, pastaj old-timerë dhe drifterë nga qytete të ndryshme të vendit.

Valdet Krasniqi triumfoi edhe kësaj radhe në kategorinë më atraktive (e pesta), ndërsa Përparim Dushi (të dy nga Prishtina RT) vazhdon të jetë i pakonkurrencë në kategorinë e tretë.


“Së pari dua të theksoj se shtegu ishte i përgatitur shumë mirë dhe e përgëzoj Federatën e Auto Sporteve të Kosovës për këtë organizim të shkëlqyeshëm. Sa i përket garës, unë e dhashë maksimumin dhe natyrisht jam i kënaqur me rezultatin e arritur. Presim të përfundojë edhe gara e fundit e këtij kampionati, e pastaj të shohim plasmanin përfundimtar”, ka thënë Krasniqi, i cili me gjasë do të jetë më i miri.

Në kategorinë e parë dy pozitat e para u takuan garuesve nga Prizreni D&G, Refki Jakupi e Afrim Spahi, ndërsa një vend në podium e siguroi edhe Shpëtim Jashari i Ferizajt.

Edhe në kategorinë e dytë ferizajasit ishin mjaft të suksesshëm, pasi i rrëmbyen pozitat 1 dhe 3 (Korab Bajraktari e Burim Asllani), ndërsa i dyti doli Alban Berisha i Prizrenit D&G.

Bujar Gola nga Gjakova 137, sikur edhe në shumicën e garave të mëhershme, u rendit i dyti në kategorinë e tretë (pas Përparim Dushit), derisa pozita e tretë i takoi Henri Manushit nga DDA (klub nga Shqipëria).

Njëri nga garuesit tanë më të mirë, Blerand Hasanaj (DTM), i cili sivjet mungoi në disa gara, ishte më i miri në kategorinë e katërt, ndërsa pas tij u renditën Arbër Rexhepi (Ferizaj) dhe Enis Murati (Prishtina RT).

Ndërkaq, në kategorinë e pestë i pari doli Valdet Krasniqi (PRT), i dyti Yll Rugova (Gjakova 137) dhe i treti Bashkim Memaj (Prizreni D&G).

Rezultatet:

Kategoria e parë
1. Refki Jakupi (Yugo – Prizreni D&G) 3:38.359
2. Afrim Spahi (Yugo – Prizreni D&G) +05.555
3. Shpëtim Jashari (Renault – Ferizaj) +14.643

Kategoria e dytë
1. Korab Bajraktari (Peugeot – Ferizaj) 3:26.422
2. Alban Berisha (Suzuki – Prizreni D&G) +03.599
3. Burim Asllani (Suzuki – Ferizaj) +13.846

Kategoria e tretë
1. Përparim Dushi (Honda – Prishtina RT) 3:14.459
2. Bujar Gola (Yugo – Gjakova 137) +07.332
3. Henri Manushi (Honda – DDA) +10.889

Kategoria e katërt:
1. Blerand Hasanaj (Opel – DTM) 3:13.817
2. Arbër Rexhepi (Golf – Ferizaj) +10.945
3. Enis Murati (Renault – Prishtina RT) +15.555

Kategoria e pestë:
1. Valdet Krasniqi (Lancia – Prishtina RT) 3:12.938
2. Yll Rugova (Opel – Gjakova 137) +05.551
3. Bashkim Memaj (Subaru – Prizreni D&G) +18.663

/Telegrafi/