LAJMI I FUNDIT:

Rrjedhin mbi 4.6 milionë llogari të përdoruesve të SnapChat

Rrjedhin mbi 4.6 milionë llogari të përdoruesve të SnapChat

Përdoruesit e shërbimit të famshëm të mesazheve të shkurtra, Snapchat, duhet të kenë kujdes me qasjen në shërbim, pasi që para disa ditësh më shumë se 4.6 milionë llogari dhe numra të telefonit të përdoruesve janë publikuar në faqen SnapChatDB, përmes një liste e cila ka qenë në dispozicion për publikun, dhe këdo që ka dëshiaruar t’i shkarkojë ato.

Dy numrat e fundit të telefonit të gjithë përdoruesve në listë kanë qenë të censuruar, për të minimizuar abuzimin me numra, edhe pse pronari i kësaj faqeje ku janë publikuar të dhënat, ka thënë se në rrethana të caktuara faqja mund ti publikojë edhe të dhënat e censuruara.

Rrjedhja e informatave të përdoruesve ka ndodhur vetëm pak ditë pas paralajmërimit të kompanisë Gibson Security, e cila ka thënë se përdoruesit e SnapChat duhet të kenë kujdes, sepse shërbimi është i dobët nga ana e sigurisë.

Sipas Gibson Security, ekipi i Snapchat është treguar i ngadalshëm në adresimin e disa problemeve kryesore të sigurisë dhe e ka lënë softuerin e hapur për eksploatim nga hakerët, ose ata që duan të qasen në të dhënat personale të përdoruesve.


Pas rrjedhjes së të dhënave të përdoruesve, faqja e SnapchatDB.info është mbyllur dhe më nuk është në dispozicion për vizitorët. / Telegrafi /