Rritje rekord e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në Prokurorinë e Pejës

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur sot se gjatë periudhës janar–tetor 2025 është shënuar një rritje e konsiderueshme e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë nga personat nën procedurë penale, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i rasteve të marrëveshjeve është rritur me 147.83%, ndërsa numri i personave të përfshirë ka shënuar një rritje prej 126.92%.
Nga janari deri në tetor 2025 janë arritur 57 marrëveshje për pranimin e fajësisë, me gjithsej 59 persona pjesëmarrës. Në të njëjtën periudhë të vitit 2024, Prokuroria kishte realizuar vetëm 23 raste, me 26 persona të përfshirë, përcjell Telegrafi.
Prokuroria Themelore në Pejë thekson se mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj trajtimit efikas, profesional dhe objektiv të çdo rasti penal, duke e konsideruar këtë rritje si rezultat të punës së përmirësuar dhe bashkëpunimit të shtuar në procedurat penale.
Institucioni premton se edhe në vazhdim do të prioritizojë efikasitetin dhe transparencën në trajtimin e të gjitha rasteve në juridiksionin e saj. /Telegrafi/

















































