LAJMI I FUNDIT:

Rritja e rasteve me COVID-19, MSH pritet të merr masa të reja

Rritja e rasteve me COVID-19, MSH pritet të merr masa të reja

Ministria e Shëndetësisë është duke konsideruar rishikimin e masave antiCOVID, kjo pas rritjes së rasteve me coronavirus që është duke vazhduar tash e disa ditë në vendin tonë.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Drin Podrimqaku, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë.


“Ministria e Shëndetësisë po i konsideron rishikimin e masave antiCovid, sipas rekomandimeve të ekspertëve shëndetësor dhe të dhënave të gjendjes epidemiologjike nga institucionet shëndetësore”, konfirmoi ai.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 144 raste të reja me coronavirus.

Aktualisht në fuqi vazhdon të jetë ora policore, ku pas orës 24:00 deri në 05:00 ndalohet lëvizja e qytetarëve, përveç rasteve urgjente.

Sa i përket vaksinimit, deri tani në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.687.782 doza të vaksinës. Deri më sot 788.240 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, bënë thirrje për vaksinim dhe respektim të masave anti-COVID, si armë të vetme dhe të dëshmuara kundër virusit Corona.

Kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë ritheksuan se Qeveria është në krye të detyrës dhe bashkë me autoritetet shëndetësore, është duke monitoruar vazhdimisht situatën epidemiologjike, në konsultim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Aktualisht raste aktive me coronavirus janë 997.  /Telegrafi/