Rritet paga minimale për 1.667 denarë në përputhje me harmonizimin ligjor, arrin në 26.046 denarë

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vendosur të rrisë pagën minimale me 1,667 denarë, duke filluar nga 1 prilli 2026, që do të thotë se shuma minimale mujore që do të marrin punëtorët do të arrijë në 26.046 denarë (422 euro).
Siç tha ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, rritja është bërë në përputhje me kriteret e përcaktuara ligjore në Ligjin për pagën minimale.
"Kjo është zgjidhje sistemike dhe ligjore që parashikon rritje të pagës minimale në përputhje me trendet ekonomike, duke mbrojtur standardet e jetesës së punëtorëve dhe duke marrë parasysh ekonominë e vendit tonë”, tha Durmishi në konferencë për shtyp.
Kryeministri Mickoski në mbledhjen e Këshillit Ekonomiko-Social theksoi se ndryshe nga më parë, kjo Qeveri sillet me përgjegjësi dhe merr obligime vetëm për realizim brenda mandatit deri në vitin 2028.
“Veprojmë me përgjegjësi. Përgjegjësi në kuadër të mandatit të cilin na e kanë dhënë qytetarët, nuk marrim përsipër obligime siç ka qenë rasti në të kaluarën për periudhën pas vitit 2028, pra pas mandatit të kësaj qeverie. Thjesht duam të jemi një qeveri përgjegjëse. Fatkeqësisht, një qeveri që do të duhet të zgjidhë të gjitha problemet e trashëguara nga e kaluara, për shkak të menaxhimit jo profesional, të pakujdesshëm dhe të dobët, fillimisht me resurset qeveritare dhe pastaj me krijimin e politikave në nivel shtetëror", tha ai.
Mickoski shtoi se gjatë periudhës së kaluar është arritur marrëveshje me sindikatat SPOGJ dhe Sindikata e Administratës dhe e Shërbimit Shtetëror të Maqedonisë (SADU) për paga më të larta të administratës, duke theksuar se në këtë marrëveshje janë përfshirë edhe organizata të tjera sindikatash që nuk ishin pjesë e negociatave fillestare./Telegrafi/














































