Rrëfimi i të mbijetuarit të dhunës seksuale në Kosovë, psikologia: Natën dilte e qante në heshtje, familja nuk e dinte
14 Prilli shënon Ditën Memoriale të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, një datë që sjell në vëmendje plagët e pambyllura të luftës dhe heshtjen që për vite ka rënduar mbi të mbijetuarit.
Në RTSH, psikologia Selvije Izeti ndau me publikun rrëfimin e guximshëm të Ramadan Nishorit, burri i parë që ka folur publikisht për përjetimin e tij si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës.
Nishori ishte vetëm 22 vjeç kur u dhunua nga dy policë serbë në një stacion policor në Drenas. Trauma që ka mbajtur përbrenda për 26 vite e ka ndjekur çdo natë, shpeshherë në heshtje, duke përjetuar skena të dhunës që i shfaqeshin para syve. Psikologia Izeti theksoi se për Nishorin, sfida më e madhe ishte ndarja e kësaj tragjedie me familjen.
“Rrëfimi i një burrit që mori guximin të tregojë në sy të publikut për dhunën seksuale ndaj tij gjatë luftës në Kosovë për të ndërgjegjësuar shoqërinë. Ai mori vendin pasi mori përprishjen familjes dhe brenga e tij kryesore ka qenë se si ta ndajë këtë situatë tragjike me bashkëshorten e tij dhe kur ajo e mbështeti, mori guximin për të ndarë me familjarët e tjerë dhe më pas ta ndarë rrëfimin e tij me publikun. Ai po luftonte me vetë për 26 vite dhe trauma e dhunës seksuale është një nga traumat më të thella. Ai ishte dhunuar në stacionin policor serb kur ishte 22 vjeç dhe shpesh dilte natën duke i dalë para syve skena nga ajo dhunë dhe qante në heshtje. Heshtja nuk e ka bërë më të lehtë traumën e tij”, tha ajo.
Të ftuarit e tjerë në emision vunë në pah se shumë burra dhe djem janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, por heshtja dhe paragjykimet e shoqërisë i kanë penguar të flasin.
Aktivistja Ines Xhilili theksoi se mungesa e dënimeve për këto krime tregon një dështim të drejtësisë.
“Shumë veta nuk mund të tregojnë për shkak të paragjykimeve të shoqërisë tonë dhe pjesë e dhunës kanë qenë me mijëra burra dhe djem. Në momentin që ka shumë pak raste të dhunës seksuale të dënuara që na tregon se drejtësia nuk është aty ku duhet në këtë rast”, u shpreh aktivistja.
“Ka mijëra viktima, por shumë pak raste të njohura publikisht. Shoqëria jonë duhet të pranojë dhe mbështesë këto rrëfime”, u shpreh avokati Amer Alija.
Gazetarja Kaltrina Rexhepi shtoi se është jetike që viktimat të ndihen të sigurta për të rrëfyer dhe se Serbia duhet të pranojë këto krime të kryera gjatë luftës, pasi ende ka viktima që jetojnë me pasojat e kësaj dhune mizore.
“Këta të mbijetuar duhet të dalin të rrëfejnë për atë që kanë përjetuar dhe ky akt i dhunshëm i përdorur nga Serbia gatë luftës në Kosovës nuk duhet të mohohet më nga Serbia pasi kemi ende viktima të kësaj dhune që janë gjallë dhe po rrëfejnë atë që kanë kaluar. Dhuna seksuale ka përfshirë të gjitha kategoritë që nga fëmijët deri tek mosha e tretë dhe të dyja gjinitë. Gjatë hulumtimeve të gjithë të mbijetuarit nga kjo dhunë kanë thënë se ende në familjet e tyre shumica ende nuk e dinë që kjo gjë ka ndodhur dhe duhet të sensibilizojmë popullatën dhe të pranojnë këtë situatë,” tha gazetarja.






























