LAJMI I FUNDIT:

Rrëfehet babai i fëmijëve që u mbytën në gropën me ujë në Kolovicë

Rrëfehet babai i fëmijëve që u mbytën në gropën me ujë në Kolovicë

Muhamet Mramori, babai i Florentës dhe Florentit që humbën jetën në një gropë të mbushur me ujë në lagjen Kolovica në Prishtinë, thotë se humbja e tyre ka qenë tepër e rëndë dhe se ai e bashkëshortja e tij, e kanë të vështirë edhe të dalin nga shtëpia.

Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Mramori u shpreh se nganjëherë edhe me ditë të tëra nuk kthehet në shtëpi, nga dhimbja e madhe për vdekjen e fëmijëve.


“Për fillim nihere normale që nuk mundet në qat fillim me u shpreh, por dhimbja është gjithë, kuptohet. Gjashtë muaj shkuan, jemi munduar me u adaptu në këtë gjendje, është e arsyeshme. Jam munduar në ata sa kam mujt. Kanë qenë të vështira boll, për mua edhe për shoqen edhe për vajzën që e kem në shtëpi, por ne shumicën e kohës e kalojmë veç brenda. Me ditë nuk dal prej shtëpisë, shoqja qashtu. Nuk mundesh me dal kur si të dalësh prej shtëpisë para dere e ki ku tu ka mbyt fëmija. Edhe hiç mos me dashtë, ta imponon e sheh vendin ku tu kanë mbyt fëmija Ka ditë që nga 2-3 ditë nuk shkoj në shtëpi, veç mos me e pa. Me harru nuk e harrojmë kurrë, por me kanë me na u lehtësu”, ka thënë ai.

Mramori thotë se vajza tjetër e tij 10-vjeçare, me emrin Learta, e ndien mungesën e motrës e vëllait dhe se ishte me ta në momentin kur ndodhi tragjedia.

“Vajza e ndien edhe mungesën, ajo ka qenë edhe në vend të ngjarjes u kanë me ta, u mundu me i nxjerr e ka pas kap nifar shkopi po nuk ka mujt me mbërri vajza që ka ra në ujë, u ka thënë që prit ta marr një më të gjatë, por nuk i ka pa ma vec sandallet i ka pa mbi ujë. Shpeshherë ia nis tregon vet, hiç pa e vet”, tregon ai.

Ai thotë që për vajzën e tij e cila e pa tërë tragjedinë me sy, është në gjendje të mirë por se institucionet nuk i kanë ofruar ndihmë rreth saj.

“Jemi munduar pak, ma shumë edhe vet ka pas edhe përkujdesje se vet e kemi angazhuar me u kujdes për të. Prej institucioneve jo, tash po shohim edhe ne në shkollë po shkon e nuk është në gjendje me u angazhua me ndonjë terapi ose diçka. Niherë mirë është. Ne po mundohemi në ata tonën, me u ba kinse nuk po mërzitemi që të mos mërzitet ajo”, është shprehur Mramori. /Klan Kosova/