Ndikimi i kujdesit infermieror në zbutjen e dhimbjes, komplikacioneve dhe përshpejtimin e rikuperimit pas ndërhyrjes kirurgjikale



Afrora Fusha
Infermiere, QKUK

Kujdesi infermieror pas ndërhyrjeve kirurgjikale përbën një nga fazat më të rëndësishme të procesit të trajtimit dhe rikuperimit të pacientit. Infermierët janë pjesë kyçe e ekipit multidisiplinar që siguron mbështetje fizike, emocionale dhe edukative, duke ndikuar drejtpërdrejt në shpejtësinë e shërimit dhe uljen e komplikacioneve. Përmes vlerësimit të vazhdueshëm, komunikimit të qartë dhe ndërhyrjeve të planifikuara, ata kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit fiziologjik dhe psikologjik të pacientit gjatë gjithë periudhës së shërimit.

Pacientët përjetojnë një nivel të caktuar frike dhe ankthi lidhur me ndërhyrjen kirurgjikale, si për vetë procesin, ashtu edhe për gjendjen e re që shfaqet pas operacionit. Vështirësitë postoperative, si të përzierat, të vjellat, dhimbja, etja, lemza, fryrja abdominale dhe problemet me jashtëqitjen apo urinimin, janë të zakonshme dhe paraqiten te shumica e pacientëve të operuar. Prania dhe intensiteti i tyre raportohen nga vetë pacienti ose, nëse ai nuk është në gjendje ta bëjë këtë, duhen vëzhguar shenjat dhe sjelljet e tij. Komplikacionet pas ndërhyrjes kirurgjikale nuk ndodhin tek të gjithë pacientët; megjithatë, kur paraqiten, janë më serioze dhe mund të rrezikojnë rezultatin përfundimtar të trajtimit.

Përmes kujdesit profesional, infermierja me njohuritë dhe aftësitë e sa, është në gjendje të identifikojë në kohë vështirësitë dhe të ndërmarrë masa parandaluese e lehtësuese. Para operacionit, detyra e saj është të krijojë komunikim të hapur dhe të sinqertë me pacientin, ta përgatisë për procesin kirurgjikal dhe ta informojë për ecurinë postoperative në mënyrë të kuptueshme e të përshtatur me moshën, nivelin arsimor dhe statusin social të tij.

Pas operacionit, kujdesi shëndetësor synon që pacienti të arrijë pavarësi funksionale dhe të rikthehet gradualisht në aktivitetet e përditshme. Gjatë kësaj periudhe mund të shfaqen vështirësi dhe komplikacione, ndaj infermierja duhet t’i vërejë dhe vlerësojë në kohë, pasi ato mund të ndikojnë në sigurinë dhe mirëqenien e pacientit.

Këto gjendje shpesh lidhen me efektet e barnave dhe anestezisë, mungesën e lëvizshmërisë, ndryshimet në ushqyerje dhe hidratim, si dhe me reaksione fizike e psikologjike gjatë përshtatjes me gjendjen e re. Intensiteti i tyre ndryshon sipas individit dhe mënyrës se si pacienti i përjeton.

Komplikacionet postoperative mund të lënë pasoja të qëndrueshme, të ulin cilësinë e jetës dhe të ndikojnë në suksesin e trajtimit. Roli i infermierës është të parandalojë dhe lehtësojë këto gjendje, duke përgatitur pacientin në mënyrë adekuate para ndërhyrjes, krijuar besim dhe reduktuar frikën e ankthin që mund të shoqërojnë procesin e rikuperimit.

Vështirësitë postoperative zakonisht nuk janë kërcënuese për jetën, por e vështirësojnë dhe zgjasin periudhën e shërimit.

Dhimbja ndikon negativisht në gjendjen e pacientit, shkakton depresion, mungesë dëshire për lëvizje, vonesë në rikuperim dhe zgjatje të qëndrimit në spital, duke rritur rrezikun për komplikacione. Shkaku mund të jetë përfundimi i efektit të anestezisë, vetë ndërhyrja kirurgjikale, apo faktorë si pozicioni i trupit, fashot e ngushta, edema ose hematoma. Vetëm pacienti mund të vlerësojë intensitetin e dhimbjes, ndaj është e rëndësishme t’i besohet. Infermierja duhet të vëzhgojë sjelljen, mimikën dhe shenjat fiziologjike. Nëse dhimbja është e pranishme, infermierja aplikon trajtimin në konsultim me mjekun.

Të përzierat dhe të vjellat janë ndër vështirësitë më të zakonshme postoperative. Shfaqen për shkak të anestezisë, ngadalësimit të peristaltikës dhe marrjes së hershme të ushqimit apo lëngjeve, duke shkaktuar shqetësim, dhimbje dhe humbje të lëngjeve. Detyrat jonë përfshinë vëzhgimin e pacientit, kufizimin e lëvizjeve të papritura, mbikëqyrjen e marrjes së ushqimit sipas urdhrit mjekësor, njoftimin e mjekut dhe zbatimin e terapisë antiemetike. Nëse të vjellat zgjasin më shumë se 24–48 orë, rekomandohet vendosja e sondës nazogastrike.

Etja pas operacionit vjen si pasojë e ndalimit të lëngjeve dhe humbjes së tyre gjatë ndërhyrjes. Infermierja shpjegon arsyen e kufizimit të ujit, lag gojën e pacientit me garzë, siguron rehidratim intravenoz dhe monitoron balancën e lëngjeve.

Lemza shkaktohet nga ngacmimi i diafragmës për shkak të ajrit në zorrë ose zgjerimit të stomakut. Infermierja këshillon frymëmarrje në qese letre, gllënjka uji duke mbajtur frymën, ose aplikim të terapisë sipas mjekut nëse nuk ndalon.

Fryrja abdominale është pasojë e grumbullimit të gazrave dhe humbjes së peristaltikës. Infermierja mund të bëjë masazh të butë abdominal ose të vendosë kateter rektal për lehtësim.

Problemet me jashtëqitjen shfaqen për shkak të mungesës së aktivitetit, marrjes së pamjaftueshme të ushqimit e lëngjeve dhe ngadalësimit të peristaltikës. Infermierja siguron ushqim të përshtatshëm dhe shumë lëngje, nxit lëvizjen, garanton privatësi dhe, sipas nevojës, administron laksativë ose klizmë.

Problemet me urinimin ndodhin kur pacienti nuk urinon brenda 8 orësh pas operacionit. Infermierja ndihmon me ndryshim pozicioni, krijimin e privatësisë, përdorimin e kompresave të ngrohta mbi fshikëz, dhe nëse nuk ka rezultat, kryen kateterizim urinar.

Roli i infermierëve në parandalimin e vështirësive postoperative fillon që para operacionit, përmes komunikimit të hapur dhe përgatitjes së pacientit për procesin kirurgjikal. Pas ndërhyrjes, infermierja monitoron gjendjen dhe funksionet vitale, udhëzon pacientin për sjellje të përshtatshme dhe zbaton masat parandaluese ndaj komplikacioneve. Përveç kujdesit fizik, ajo ka rol të rëndësishëm në mbështetjen emocionale dhe edukimin shëndetësor të pacientit për vetëkujdes pas daljes nga spitali.

Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet infermierëve dhe mjekëve është thelbësor për kujdesin e integruar dhe efektiv, pasi kujdesi infermieror nuk kufizohet vetëm në procedura klinike, por shtrihet edhe në aspektin psikologjik dhe edukativ, duke e bërë atë faktor vendimtar në rikuperimin e plotë dhe të sigurt të pacientit. /Telegrafi/