Nga: Dashnor Kokonozi

Gjatë ceremonisë së varrimit të François Mitterrandit më 11 janar 1996, e gjithë Franca zbuloi për herë të parë fytyrën e një gruaje të quajtur Anne Pingeot, e cila qëndronte pranë Danielle Mitterrandit, gruas së tij. Ishte e dashura e presidentit të ndjerë, prej më shumë se 35 vjetësh - një sekret që të gjithë e dinin, por askush nuk e përmendte.


Duke lexuar këto ditë librin e David Le Bailly, Robina e Mitterrandit [Le captive de Mitterrand], ndesha në një anketë të detajuar dhe të plotë mbi jetën e tij të dyfishtë.

Ata ishin njohur kur ajo ishte 20 vjeç dhe ai 47.

Pas asaj dite të shënuar, Anne u kthye përsëri në hijen dhe heshtjen e saj absolute, përballë një publiku që po çmendej nga kureshtja për të mësuar më shumë për të. Ai nuk e kishte bërë asnjëherë të njohur publikisht. Ajo mbeti përjetësisht la maîtresse e tij, me gjithë çfarë përmban kjo fjalë, thotë Le Bailly: përqeshje, përbuzje, tallje.

Duket se gjithçka nuk ka qenë e thjeshtë as brenda familjes së presidentit, në marrëdhëniet me të shoqen Danielle dhe dy djemtë, sepse, sipas një kujtimi të shoferit të tij, herë pas here Mitterrandi parashikonte edhe dorëheqjen, aq i turbulluar ishte nga jeta e tij e dyfishtë.

Duhet të ketë kaluar shumë kohë me të, sepse një herë kam dëgjuar një intervistë të së bijës së tyre, Mazarine (sot shkrimtare dhe filozofe), e cila thotë se kurrë nuk e kishte ndjerë mungesën e të atit. Ai shkonte shpesh ta takonte dhe për këtë mobilizoheshin të gjithë. Edhe shumë gazetarë e dinin ku shkonte, por askush nuk fliste. U bënin edhe ndonjë foto në restorantet që frekuentonin, por askush nuk i afishonte publikisht.

Nga ky libër mësoj se asgjë nuk ka qenë e thjeshtë as për vajzën që patën, Mazarinen, sidomos kur ishte adoleshente. Si shumë moshatare të saj, i pëlqente të vishej me të zeza si një gotike me ide vetëvrasëse, gjë që shkaktonte zemërimin e prindërve të saj.

Le Bailly shtron pyetjen: çfarë kishte të veçantë Anne Pingeot që Mitterrand nuk e largoi kurrë nga vetja? Për të shtuar pastaj se sikurse maîtresses-et e dikurshme të mbretërve të Francës, edhe Anne Pingeot, me ndikimin që pati te Mitterrandi, ka lënë gjurmët e saj në strukturimin e monumenteve madhështore të Parisit, si te “Grand Louvre” (ajo ishte kujdestare e organizatore ekspozitash në sektorin e statujave), por edhe në riorganizimin e Tuileries.

Jeta e saj, e mbyllur dhe e heshtur, kishte diçka nga ajo e robinave të shekujve të kaluar - por, ajo kishte vendosur ta pranonte.

Ishte ajo që do t’i mbante dorën në ditët e fundit të agonisë dhe që më pas do të qëndronte gjithmonë në hije, duke ruajtur imazhin e dashurisë së vërtetë të Mitterrandit.

Dhe, më pëlqeu shumë një frazë që Le Bailly përdor në faqen e fundit të librit të tij:

“Refusant de s’exposer, et donc de s’abîmer!” [Refuzimi për të ekspozuar veten, dhe për këtë arsye për të dëmtuar veten!]