Rinumërohen 1,423 nga 2,557 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e shtunë, 24 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar mbi 55% apo 1,423 nga 2,557 vendvotime.
“Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë në Prizren, Petrit Kryeziu të premten ka thënë se janë ndaluar 109 të dyshuar nën dyshimin për manipulim të votave nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Sipas tij, gjithsej 121 persona janë ftuar për intervistim, prej të cilëve disa nuk janë paraqitur, ndërsa një pjesë janë konstatuar si të pafajshëm.
Ai shtoi se veprimet janë ndërmarrë ndaj personave të identifikuar, ku shumica prej tyre janë komisionerë.




















































