LAJMI I FUNDIT:

Rikthehet përsëri gara NASA Space Apps

Rikthehet përsëri gara NASA Space Apps

Gara e njohur e NASA, e cila në Kosovë organizohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK) për të tetin vit me radhë, do të mbahet më 1 & 2 Tetor, në Prishtinë. Në edicionet e kaluara, projektet nga Kosova fituan çmimin “People’s Choice Award” (NatEv më 2015), dhe u renditën në Top5 për përdorimin më të mirë të të dhënave (Heliox më 2017).

NASA Space Apps është garë ndërkombëtare 48-orëshe e cila organizohet në qytete të ndryshme nga e mbarë bota, dhe ju ofron pjesëmarrësve të dhënat e hapura të NASA-së, me qëllim të krijimit të projekteve inovative në robotikë, vizuelizim të të dhënave, hardware, aplikacione dhe dizajn.


Përveç nga NASA, të dhënat për garë do të ofrohen të hapura edhe nga agjencionet CSA, CNES, JAXA dhe ESA. NASA Space Apps organizohet në 180 qytete nga e mbarë bota, përfshirë Prishtinën.

NASA fton koduesit, ndërmarrësit, shkencëtarët, dizajnerët, gazetarët, artistët dhe profesionistë të fushave të ndryshme që të bashkohen në ngjarjen e cila ka karakter edukues dhe garues, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve për sfidat në Tokë dhe gjithësi.

Temat/kategoritë për vitin 2022, përfshirë informatat e hollësishme në lidhje me nën-kategoritë i gjeni këtu. Të gjithë të interesuarit duhet të regjistrohen individualisht në KËTË link, më së largu deri më 28 Shtator (e mërkurë), në mesnatë. Garuesit mund të identifikojnë anëtarët dhe të krijojnë ekipet paraprakisht, ose të formojnë apo bashkohen me ekipe tjera (varësisht nga kualifikimet dhe nevoja), në hapje të garës.

NASA Space Apps Prishtina 2022 mbështetet nga Ambasada e Suedisë, Tive Inc, MyDev dhe Telegrafi.com