Dy ditë pas vdekjes së 40-vjeçarit Rastko Joviq nga Surdulica, i cili humbi jetën në një aksident të rëndë trafiku në rrugën Vladiçki Han – Surdulicë, pranë fshatit Zhitoragjë, situata në qytet është tensionuar ndjeshëm.

Ngjarja tragjike ka nxitur protesta dhe reagime të ashpra, ndërsa një familje shqiptare po përballet me kërcënime dhe thirrje për dëbim.


Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të fundit në Surdulicë, ku një tragjedi e rëndë po përdoret si justifikim për të ushtruar presion dhe nxitje urrejtjeje ndaj një familjeje shqiptare.

Rexhepi thekson se këto ngjarje nuk mund të shihen të shkëputura nga klima politike e ndërtuar gjatë viteve të fundit, ku diskursi publik shpesh normalizon etiketimin dhe përjashtimin e shqiptarëve. “Kur institucionet heshtin përballë gjuhës së urrejtjes, ajo shndërrohet në veprim,” tha ai.

Ai shton se thirrjet për dëbim, publikimi i të dhënave personale dhe targetimi etnik janë pasojë e një narrative politike që relativizon diskriminimin dhe shpesh e paraqet komunitetin shqiptar si problem, jo si qytetarë me të drejta të barabarta.

Këshilli Kombëtar Shqiptar dënon çdo përpjekje për ta shndërruar një ngjarje tragjike në mjet për nxitje të urrejtjes etnike dhe kërkon që përgjegjësia të mbetet individuale, jo kolektive.

Rexhepi shpreh gjithashtu shqetësim për mungesën e reagimit nga institucionet shtetërore, duke përfshirë ministrin për të drejtat e njeriut dhe pakicave, Demo Berisha, duke theksuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk mund të jetë selektive apo e kushtëzuar nga përkatësia etnike.

“Çdo qytetar duhet të trajtohet me respekt dhe të drejta të barabarta, pavarësisht përkatësisë së tij kombëtare,” përfundoi Rexhepi.