Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi ka thënë se sot shefit të OSBE-së në Serbi, Marcel Peshko ia paraqitën sfidat me të cilat po përballen shqiptarët në Luginë.

Rexhepi ka thënë se situata nuk është teknike, por prek përfaqësimin tonë institucional, sigurinë dhe të drejtat themelore.


“Theksuam bllokimin e 304,511.16 eurove të dedikuara për KKSH-në, refuzuar tri herë pa asnjë arsye, megjithëse 35,448 tekste tashmë janë shpërndarë dhe 3,650 nxënës i përdorin çdo ditë. Kjo është goditje e drejtpërdrejtë ndaj institucionit tonë”, ka bërë të ditur Rexhepi.

Tutje, kreu u Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka thënë se me shefin e OSBE-së në Serbi kanë diskutuar edhe dëmin nga bllokimi i subvencioneve bujqësore, mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në polici dhe krizën e sigurisë që kjo sjell. Ai ka thënë se policia multietnike është urgjencë.

Gjithashtu ai ka thënë se me Peshkon, kanë folur edhe për masivizimin e adresave e mos njohjen e diplomave nga Serbia.

“Theksuam dy plagët më të rënda që po prekin jetën e njerëzve çdo ditë. Pasivizimi i adresave që po zhvendos artificialisht popullsinë shqiptare. Mospërfillja e njohjes së diplomave, që i privon të rinjtë tanë nga puna dhe profesioni për të cilin janë kualifikuar”, tha ai.

Ka treguar se kanë kërkuar trajtim urgjent të pasivizimit dhe njohjes së diplomave. Realizimin e Planit 7 pikësh dhe Planit Aksional për punësimin e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore në nivel lokal, si dokumente bazë për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve.

Rexhepi thotë se bashkëpunimi institucional mes KKSH-së dhe OSBE-së mbetet thelbësor.