Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar se reparti i hemodializës është furnizuar me karrige moderne për pacientët, investim ky që synon përmirësimin e kushteve të qëndrimit dhe rritjen e komoditetit gjatë trajtimit mjekësor.

Sipas njoftimit, pajisjet e reja do t’u ofrojnë pacientëve kushte më të rehatshme gjatë marrjes së shërbimeve të hemodializës, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e trajtimit dhe mirëqenien e tyre.


Po ashtu, nga Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” është bërë e ditur se në fillim të vitit 2026 pritet të nisë renovimi i plotë i repartit të hemodializës.

Ky projekt ka për qëllim krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore dhe funksionale, si për pacientët ashtu edhe për personelin shëndetësor.

Drejtuesit e spitalit theksojnë se këto investime janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e standardeve të trajtimit për pacientët që kanë nevojë për shërbime të rregullta të hemodializës. /Telegrafi/