Rënia Waltzit ishte e pashmangshme, sepse Trumpi nuk fal
Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Ka qenë gjithmonë çështje kohe, jo nëse, por kur Mike Waltz do të largohej nga posti i këshilltarit për Sigurinë Kombëtare pranë presidentit Trump. Skandali “signalgejt”, kur planet sekrete të luftës në Jemen u zbuluan për një gazetar, ishte një gabim i rëndë.
Presidenti Trump e mbrojti Waltzin në atë kohë. Ndonëse e pranoi se kishte bërë një gabim, ai qëndroi në krah të Waltzit - Beretës së parë të Gjelbër të Ushtrisë Amerikane që mbante një post kaq të lartë. Megjithatë, vëzhguesit e Trumpit parashikuan një përfundim tjetër. Nëse e turpëron Donald J. Trumpin, je i dëbuar. Këtë e dimë që nga administrata e tij e parë.
Ajo që Trumpi nuk do ta bëjë kurrë është të pushojë dikë vetëm sepse mediat tradicionale që ai i urren e kërkojnë një gjë të tillë. Ai është në krye dhe vetëm ai vendos. Prandaj, kemi një zhvendosje në detyrë disa javë pas ngjarjes, jo një shkarkim të menjëhershëm. Kjo tregon se, pavarësisht gabimit, Waltz gëzon ende njëfarë përkrahje nga Trumpi. Ai ka ende një detyrë, edhe pse vetëm si përfaqësues në OKB - një post aspak prestigjioz nën presidencën Trump. Mësimi i dytë është se nuk ka më asnjë siguri për anëtarët e mbetur të kësaj administrate, njëjtë si në të kaluarën. Presidenti Trump nuk i harron gabimet. Disa nga ata që janë pranë tij, do të bënin mirë ta kenë këtë parasysh.
Pra, kush mund të jetë këshilltari i radhës për Sigurinë Kombëtare? Steve Witkoff, sipërmarrësi i pasurive të paluajtshme dhe mik personal i presidentit Trump, aktualisht shërben si i dërguar i posaçëm i ShBA-së për negociatat që përfshijnë Rusinë dhe Lindjen e Mesme. Ai do të ishte zgjedhja ime. Angazhimet e tij të fundit diplomatike, përfshirë takimet me presidentin rus Vladimir Putin, për të avancuar bisedimet për paqe në Ukrainë, e kanë pozicionuar si kandidat të fortë për këtë rol.
Kandidatët e tjerë të mundshëm janë Elbridge Colby dhe Robert C. O’Brien. Colby, i cili aktualisht shërben si zëvendëssekretar i Mbrojtjes për Politikat, njihet për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Kinës dhe mbështetjen për riorientimin e burimeve ushtarake amerikane drejt Indo-Paqësorit. Ndërkohë, O’Brien ka shërbyer më parë si këshilltar për Sigurinë Kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit dhe vazhdon të gëzojë mbështetje si në rrethin e Trumpit ashtu edhe në komunitetin më të gjerë të politikës së jashtme, duke e bërë atë një kandidat të mundshëm për rikthim.
Por, rregullat e lojës në presidencën Trump mbeten të njëjta: Nëse bën një gabim, je i mbaruar. Dhe, vetëm Donald Trumpi vendos se kur. /Telegrafi/






























