Larg klisheve të ceremonive festive diplomatike të hapjeve dhe mbylljeve të kapitujve të negociatave për integrimin në BE të vendeve si Shqipëria dhe Mal i Zi e deri te Moldavia dhe Ukraina, e përditshmja e madhe franceze, Le Figaro, ka botuar këtë javë një analizë sa realiste aq dhe shqetësuese për fatet e integrimit të këtyre vendeve.

Artikulli i Figaro-së që po e paraqieim më poshtë integralisht, e thotë arsyen përse zgjerimi është pothuajse i pamundur dhe se Marta Kos e di këtë gjë fare mirë. Kjo pamundësi aktuale quhet Francë, për shkak të legjislacionit tepër të veçantë francez në lidhje me pranimin e vendeve të reja në BE. Në fund të mandatit të tij më 2007, ish-presidenti francez, Jacques Chirac, la një minë me sahat kushtetuese e cila sot rezulton se e saboton zgjerimin. Traktatet evropiane thonë se çdo zgjerim i ri i BE-së lyp një ratifikim unanim nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.


Ne momentin e integrimit të një anëtari të ri, secili vend i BE-së e jep ratifikimin e tij kryesisht me një votë nga Parlamenti vendas. Por, Franca vendosi të vendosë ndryshe për dhënien e ratifikimit të saj. Ish-presidenti francez ndryshoi Kushtetutën franceze në mënyrë që drita jeshile për hyrjen e një vendi të ri në BE mos t’i kërkohet Parlamentit francez, por gjithë qytetarëve të Francës me referendum popullor. Kjo formulë e re e ratifikimit francez vlen për çdo anëtarësim të ri që do të ndodhë pas atij të Kroacisë. Këtë thotë neni 88.5 i Kushtetutës franceze e modifikuar më 2008. E vetmja mënyrë që të evitohet referendumi francez thotë ky nen, është krijimi i një shumice të cilësuar votash, domethënë 3/5, jo vetëm në Parlament, por dhe në Senatin francez, gjë që është thuajse një utopi pasi një shumicë e tillë zor se arrihet dhe për tema të Francës e aq më pak për tema që prekin vende të huaja.

Në shkrimin e mëposhtëm të Figaro-së po vendosim në fillim këtë pjesë e cila flet për rezervat e Francës ndaj integrimit. Artikulli nënvizon po ashtu idenë se përtej referendumit francez, projektin e zgjerimit të BE-se po e dëmton dhe korrupsioni i lartë në vende kandidate, siç u pa këto dite me Ukrainën. Sa për atë idenë tjetër që këto vende kandidate të integrohen fillimisht sa për “sy e faqe”, thjesht me synimin gjeopolitik që të krijohet një Evropë e bashkuar përballë Rusisë, por pa u dhënë të drejtë veto, Figaro zbulon se kjo nuk do të realizohet sepse nuk po pranohet ideja të krijohet një BE me vende anëtare të dorës së dytë, për më tepër që kjo do të lypte një tjetër andrallë, atë të ndryshimit të traktateve.

Por, po hynë këto vende në BE me të drejta të plota ndërkohë që ato s’janë ende gati nga ana demokratike, pa llogaritur hendekun ekonomik, BE-ja rrezikon të fusë në gjirin e saj “Kalë Troje”, domethënë që këto vende do të mund të përdornin veton e tyre që mos të sanksionoheshin. Është kjo dilema e madhe e Marta Kosit, komisioneria evropiane për zgjerimin, shkruhet në artikull. Pikërisht Figaro ka zgjedhur si titull të shkrimit të tij krahasimin që vetë Marta Kos ka bërë me “Kalin e Trojës” të cilin thotë ajo në asnjë mënyrë nuk do që t’ia lërë peshqesh Evropës.

***

Figaro

“Si të pengosh Kalin e Trojës të hyjë në BE”, problemi që shtron zgjerimi!

ANALIZA - Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia, Ukraina… Bashkimi Evropian së shpejti mund të ketë 30 deri në 35 anëtarë. Por, kjo do të varet nga reformimi i brendshëm i BE-së dhe nga garancia se disa vende nuk do e bllokojnë integrimin, ndër të cilat Franca.

Shumica e francezëve janë kundër zgjerimit

Në lidhje me kandidaturat e Ukrainës dhe Moldavisë, Komisioni Evropian thotë se i takon Këshillit evropian të krerëve të shteteve dhe qeverive të gjejë zgjidhjet e duhura përballë vetos së Viktor Orbanit. Një ide është që të negociohen kapituj të veçantë, pasi unanimiteti sipas traktateve nevojitet vetëm në fillim dhe mbarim të procesit të integrimit. Një tjetër qasje për të avancuar me integrimin e këtyre dy vendeve pa rënë pre e vetos së Orbanit, është të priten zgjedhjet parlamentare në Hungari në prill 2026, me shpresën që ato t’i fitojë opozita. Por, kjo është një strategji si ajo në lojërat e fatit. S’duhet harruar se ka vende të tjera që në heshtje janë të kënaqura me veton hungareze kundra Ukrainës.

Kur Ursula von der Leyen shkoi në Kiev në fillim të konfliktit për të inkurajuar Ukrainën të anëtarësohet ndërkohë që Von Der Layen nuk kishte asnjë mandat nga shtetet anëtare për ta bërë këtë premtim, iniciativa e saj u kritikua ashpër në disa kryeqytete. Për shembull, pavarësisht mbështetjes së fortë të presidentit francez ndaj Ukrainës dhe Volodymyr Zelenskyt gjatë vizitës së këtij të fundit në Paris të hënën e kaluar, Emmanuel Macron frenon ndaj idesë së pranimit të shpejtë të Ukrainës në BE. Problemet e shpeshta me korrupsionin aty krijojnë ngërç. Sidoqoftë, as që nuk bëhet fjalë të anëtarësohet Ukraina në BE për aq kohë sa ky vend është në luftë. Edhe nëse një armëpushim dhe paqe do të arrihej me Rusinë, gjithmonë do të rrijë pezull rreziku i një sulmi tjetër rus gjë që do t’i tërhiqte evropianët në konflikt nëse Ukraina bëhet anëtare e BE-së. Prandaj, tregohet kujdes dhe ka rezerva karshi kandidaturës urkainase. Pa përmendur sfidat që do të sillte anëtarësimi i Ukrainës në lidhje me bujqësinë dhe buxhetin e BE-së.

Përtej Ukrainës, Franca, së bashku me Austrinë, Gjermaninë dhe Republikën Çeke, është ndër vendet më hezituese në lidhje me vetë parimin e zgjerimit edhe për vendet e tjera kandidate si ato të Ballkanit perëndimor. Vetëm 35 përqind e francezëve e mbështesin zgjerimin e BE-së, ndërkohë që mesatarja në BE është 56 përqind e popullsisë në favor të zgjerimit sipas anketës së Eurobarometrit të marsit 2025. Kjo është një pengesë e madhe, veçanërisht pasi Franca është një nga vendet e pakta që ka planifikuar ratifikimin e pranimit të anëtarëve të rinj me referendum. Marta Kos u takua së fundmi me parlamentarët francezë për të diskutuar këtë çështje të referendumit francez për anëtarësimet e reja që shkakton shqetësim të madh në Bruksel.

“T’i ftosh francezë në referendum për të votuar pro ose kundra hyrjes, për shembull, të Malit të Zi, do të ishte katastrofike për fatin evropian të këtij vendi”, paralajmëron Lukas Macek, një studiues i Institutit think-tank Jacques Delors. “Skenari i dështimit të zgjerimit te BE-se për shkak të një ‘jo’-je të francezëve në referendumet e ardhshme në Francë, do t’i hidhte popujt kundër njëri-tjetrit, gjë që do ishte e kundërta e asaj që synon zgjerimi i BE-se”, thotë ky studiues.

Megjithatë, debati publik në Francë mbi zgjerimin është ose duke u evituar enkas, ose po rrëmbehet nga partitë euroskeptike dhe armiqësore ndaj çdo ideje zgjerimi, si Tubimi Kombëtar i Le Pen-it apo Franca e Pamposhtur (La France Insoumise) e Mélenchonit. Rreziku është i madh se nëse ka debat në Francë mbi zgjerimin ai do të përqendrohet te problemet qe do të shkaktojnë vendet e reja që do të hyjnë në BE dhe te kostot e integrimit të tyre në vend që të flitet për avantazhet që do t’u sjellë dhe vetë evropianëve zgjerimi. Marta Kos përpiqet, kur merr fjalën, t’i sigurojë opinionet publike në Evropë se këto vende nuk do krijojnë probleme, se popullsia e Malit të Zi nuk është sa ajo e një qyteti të mesëm francez si Tuluzi, apo se popullata e Shqipërisë nuk është më e madhe sa ajo e vetëm një qyteti të madh Italian, si Roma. T’i integrosh këto vende, sipas Marta Kosit, nuk është fare një sfidë ekonomike për BE-në, ndryshe siç ishte me valën e mëparshme të zgjerimeve. Nga ana e tij, kryeministri shqiptar, Edi Rama, paralajmëron me padurim: “Të na lini në derën e BE-së do të ishte si të luash me zjarrin”.

Skandali i korrupsionit prej 100 milionë dollarësh që i kushtoi dy ministrave të afërt me Volodymyr Zelenskyn humbjen e posteve të tyre të qeveri, nuk do ta ndihmojë kandidaturën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE. Ursula von der Leyen, e cila parashikoi që ky vend “potencialisht mund të anëtarësohej para vitit 2030″ gjatë një vizite në Kiev në shkurt, do t’i duhet tani të rishikojë afatet që ajo jep për integrimin. Korrupsioni në Ukrainë është “dhuratë nga Perëndia” për Viktor Orbanin, i cili po vë veton për të bllokuar hapjen e kapitujve të negociatave me Ukrainën.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian, i bllokuar për më shumë se një dekadë, është bërë përsëri një përparësi në Bruksel. Të martën, zyrtarë të lartë të BE-së pritën përfaqësuesit e vendeve kandidate në forumin e parë kushtuar kësaj teme. Në mesin e dhjetorit, ministrat e 27 shteteve anëtare kanë planifikuar të mblidhen për të njëjtën temë në Lviv të Ukrainës, dhe më pas zgjerimi do të jetë në agjendën e samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së më 18 dhjetor.

Alternativa duket e qartë: vendet që nuk i bashkohen Bashkimit Evropian rrezikojnë të bien nën kontrollin e Rusisë. Ukraina mishëron si urgjencën ashtu edhe grackat e procesit të zgjerimit të BE-së. Vlen të kujtojmë se ishte dëshira e popullit ukrainas për lidhje më të ngushta me BE-në në vitin 2014 - dhe jo dëshira për të hyrë në NATO-n, siç pretendon propaganda - që shkaktoi zemërimin e Vladimir Putinit. Dhe, ishte pushtimi në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022 që rindezi nevojën gjeopolitike të zgjerimit. Vendi i fundit që iu bashkua BE-së ishte Kroacia, në vitin 2013, pas Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2007 dhe dhjetë vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në vitin 2004. Tani, udhëheqësit evropianë evokojnë, ashtu si presidentja e Komisionit evropian, rëndësinë e “ribashkimit” të domosdoshëm të “familjes evropiane”.

Tri vende - Moldavia, Mali i Zi dhe Shqipëria – janë parimisht pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 ose menjëherë pak më mbrapa. Gjeorgjia e tërhoqi kandidaturën e saj pas fitores së partisë pro-ruse Ëndrra Gjeorgjiane në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024. Ndërsa, Serbia, nëpërmjet Presidentit Aleksandar Vuçiq mban lidhje të afërta si me regjimin në Moskë ashtu dhe me atë të Pekinit duke shkelur parimet e demokracisë. “Në botën e fragmentuar gjeopolitike, ose je me ne me BE-në ose nuk je me ne”, e përmbledh situatën përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.

Ne duhet ta çlirojmë kontinentin tonë nga autokracitë”, shton Marta Kos, komisionerja për Zgjerimin. Për të, kjo është një mundësi për të “përfunduar bashkimin e Evropës për herë të parë në histori ”. Edhe Islanda, e cila tërhoqi kandidaturën e saj në vitin 2015, edhe Norvegjia, e cila hoqi dorë nga anëtarësimi në BE me një referendum në 1994, janë duke e rimenduar të hyjnë në BE. Në zyrën e saj në selinë e Komisionit, komisionerja Marta Kos ka një tabelë të madhe që i lejon asaj të ndjekë, në kohë reale, progresin e dhjetë vendeve kandidate, kapitull pas kapitulli, duke përdorur shënjues të kuq, të verdhë dhe të gjelbër. Duhen mbyllur tridhjetë e tre kapituj, të grupuar në gjashtë tema (themeloret, punët e jashtme, konkurrueshmëria, tregu i brendshëm etj.), në mënyrë që të përfundojnë negociatat. Kjo komisionere nga Sllovenia e mban mend hyrjen e vendit të saj në BE në vitin 2004, që u motivua kryesisht për arsye ekonomike. Por, sot, vëren Marta Kos, zgjerimi “është një çështje sigurie”. Është një “projekt paqeje” për një kthim në rrënjët e Evropës.

Në tabelën e saj në mur, disa vende nuk kanë lëvizur fare, si Turqia, me të cilën negociatat u ngrinë në vitin 2018 pas kursit autoritar të Erdoganit. Kosova po ashtu, kandidatura e të cilës nuk është pranuar kurrë, duke pasur parasysh se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin atë si shtet të pavarur. Kandidatura e Maqedonisë së Veriut është në pritje për më shumë se njëzet vjetësh. Ky vend pasi pranoi të ndryshojë emrin e tij për të zhbllokuar veton e Greqisë, tani ka rënë nën veton bullgare për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi pakicat kombëtare. Moldavia, ndonëse nga të parat në klasë për t’u integruar në BE, ka për fat të keq një kandidaturë të lidhur me atë të Ukrainës, por që po e bllokon Hungaria me veton e saj. Dorin Frasineanu, një diplomat moldav në Bruksel shpreson për vendin e tij “të hapim negociatat sa më shpejt të jetë e mundur për t’i finalizuar ato deri në fund të vitit 2027. Retorika ruse gjatë zgjedhjeve tona parlamentare në Moldavi ishte e mbushur me temën se Bashkimi Evropian ju gënjen dhe do t’i mbajë premtimet. Ndaj është e rëndësishme t’u tregohet e kundërta qytetarëve moldavë që votuan për kampin pro-evropian”, argumenton diplomati moldav në Bruksel.

Mali i Zi, shteti i 28-të evropian që më 2028?

Në këtë garë të integrimit, Mali i Zi synon të bëhet shteti i 28-të evropian në vitin 2028. Ky vend ka mbyllur tashmë me sukses shtatë nga tridhjetë e tre kapitujt e procesit të negociatave për integrim. Shumë shpejt do të fillojë dhe hartimi i tekstit të Traktatit të hyrjes së Malit të Zi në BE. Shqipëria është në të njëjtën trajektore. Që nga e hëna e kaluar, ajo ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe shpreson t’i mbyllë deri në fund të vitit 2027. “Ende dukej si një ëndërr vetëm një vit më parë”, kujton kryeministri i saj, Edi Rama, i cili flet për përgatitjet si për një “martesë dashurie”. Edhe Komisioni Evropian është i kënaqur me këtë perspektivë “frymëzuese”. Por, nga e tyre 27 shtetet anëtare, ndonëse në parim kanë dhënë një mbështetje pothuajse unanime, në realitet nuk duken shumë të nxituara që ky zgjerim i madh të ndodhë, pasi pushteti i tyre rrezikon të shkrihet më shumë në një Union më të madh.

Ndaj, Komisioni Evropian duke treguar kujdes të lartë diplomatik, e ka shtyrë për më vonë çështjen aq shumë të ndjeshme të reformës institucionale të BE-së, një kusht që zgjerimi të realizohet. “Nuk mund të jemi hipokritë, nga njëra anë ankohemi se Bashkimi Evropian aktual me 27 anëtarë nuk funksionon në mënyrë efikas, demokratike që të na bëjë të fuqishëm, dhe nga ana tjetër mos të reformohemi për të qenë në gjendje nesër të funksionojmë me 33 ose 35 vende anëtare”, denoncon eurodeputeti i qendrës, Sandro Gozi, autor i një raporti të miratuar nga Parlamenti Evropian mbi temën e reformimit të institucioneve të BE-së . “Duhet të jemi të ndershëm me qytetarët tanë dhe me vendet kandidate: ose e marrim seriozisht zgjerimin dhe nisim këto reforma të brendshme, ose bëjmë gjoja se do të zgjerohemi por në realitet po përgatitemi për dështimin e zgjerimit”.

Por, reforma për ndryshimin e traktateve evropiane duket e pamundur sepse si Komisioni Evropian, ashtu dhe shtetet anëtare të BE-së, ngurrojnë tmerrësisht të heqin, për shembull, rregullin e votës unanime në fushën e politikës së jashtme të BE-së. Një reformë e tillë e nevojshme para zgjerimit të BE-së kërkon dhe ajo një ratifikim me unanimitet ... Apo shembulli për reformimin e Nenit 7 të Traktatit të BE-së, në lidhje me sanksionet ndaj një shteti anëtar që shkel parimet e BE-së, siç i shkel Hungaria, dhe ky nen s’mund të ndryshohet pa unanimitet.

Duke u nisur nga përvoja e keqe me Hungarinë, Marta Kos që mbron zgjerimin thotë njëkohësisht se “s’dua të mbahem mend në histori si ajo që lejoi të hyjë një ‘Kalë Troje’ që mund ta shkatërrojë Bashkimin Evropian nga brenda”. Evropa nuk ka nevojë për një Orbán të ri në një nga vendet kandidate që pasi të hyjë në BE do të bllokonte gjithçka me veton e tij. Ndaj duhet që të ndryshohet Traktati i BE-së përpara zgjerimit, që e drejta e vetos mos të ekzistojë më për vendime në politike të jashtme.

Në pamundësi aktualisht që të reformohet Traktati, Komisioni Evropian po propozon atëherë disa mënyra të tjera që do t’i pengonin vendet e reja anëtare te shndërroheshin në “Kalë Troje”. Një nga këto mënyra do të ishte integrimi gradual dhe i kushtëzuar përgjatë një periudhe kohe tranzicioni. Hyrja graduale për shembull në tregun e përbashkët evropian është tashmë një realitet. Disa vende kandidatë, si Moldavia dhe Ukraina, do të jenë në gjendje të përfitojnë nga roamingu falas për komunikimet mobile duke filluar që nga viti 2026, pastaj do të përfitojnë ga transfertat bankare SEPA, dhe do të hyjnë në tregut e përbashkët evropian të energjisë deri në fund të vitit 2027, pa qenë ende anëtarë me të drejta të plota të BE-së.

Ndërkohë, ideja tjetër që u hodh, ajo që anëtarët e rinj të hynë në BE me të drejta të kufizuara (mos të kenë të drejtë vetoje për shembull), është një ide që nuk konsiderohet më si e përshtatshme .

Sipas eurodeputetit Sandro Gozi “është një ide shumë e keqe të krijoheshin shtete të anëtare të kategorisë së dytë”.