Simboli i shenjës “v” është bërë pothuajse universal në shumicën e rrjeteve sociale, edhe pse kuptimi i saj mund të ndryshojë në vartësi të platformës. Tani Reddit po i bashkohet këtij klubi dhe po fillon të testojë verifikimin për personat publikë.

Reddit ka nisur një test të kufizuar alfa të këtij funksioni me një grup të vogël llogarish, përfshirë gazetarë nga media të mëdha si NBC News dhe The Boston Globe. Bizneset që tashmë përdorin etiketën “official” (zyrtare), të cilën Reddit e filloi të testojë më 2023, tani do të kenë një shenjë gri “verified” (i verifikuar) në vend të etiketës “official”.


Verifikimi ka qenë prej kohësh një temë me debate për shumë platforma. Për përdoruesit, kjo ndonjëherë ka sjellë konfuzion, sidomos në faqet ku shenjat e verifikimit kërkojnë vetëm një abonim të paguar.

Qasja e Reddit, për momentin, është më afër asaj se si Twitter e menaxhonte verifikimin para se ta marrë Elon Musk. Kompania ka zgjedhur manualisht grupin e parë që do të marrë “v”, duke verifikuar identitetin e tyre dhe duke u fokusuar kryesisht në llogari me dukshmëri të lartë.

Reddit shpjegon se kjo funksion është krijuar për t’u ndihmuar përdoruesve të kuptojnë me kë po komunikojnë në momentet kur verifikimi ka rëndësi - qoftë një ekspert, një personazh i njohur në një sesion AMA, një gazetar që raporton lajme, ose një markë që ndan informacione.

Për momentin, përdoruesit nuk mund të aplikojnë për verifikim, por kompania thotë se qëllimi nuk është të kufizojë shenjat vetëm tek personat e famshëm. Një zëdhënëse e Reddit-it tha për Engadget se qëllimi është që “çdo person që dëshiron të vetë-identifikohet, të mund ta bëjë këtë në të ardhmen”. /Telegrafi/