Real Madridi i etur për yllin e PSG-së, e sheh si pasues të Vini Jr

Real Madridi nuk e ka ndryshuar planin sa i përket Vinicius Jr, sipas asaj që raporton “SER Deportes”, por tashmë ka krijuar një plan të dytë.
“Los Blancos’ dëshirojnë ta mbajnë brazilianin në klub, megjithatë besimi ndaj tij nuk është më i plotë si në sezonin e kaluar, për shkak të formës së dobët që po kalon sulmuesi.
Vinicius po kalon një periudhë të vështirë, duke mos arritur të shënojë gol në 14 ndeshje radhazi, çka ka ngritur pikëpyetje të mëdha brenda klubit për ndikimin aktual në skuadër.
Sipas raportit, nëse Vinicius vazhdon me paraqitje zhgënjyese, Real Madridi ka një plan alternativ: Transferimin e një organizatori loje si Vitinha nga PSG.
Mesfushori portugez është vlerësuar si një nga tre lojtarët më të mirë në botë dhe konsiderohet si një nga krijuesit më të mirë të lojës në futbollin aktual, falë vizionit, qarkullimit të topit dhe aftësisë për të kontrolluar ritmin e ndeshjes.

Real Madridi ka hasur vështirësi këtë sezon në krijimin e rasteve nga mesfusha, pavarësisht paraqitjeve mbresëlënëse të Arda Guler dhe Jude Bellingham, të cilët nuk kanë mundur gjithmonë ta mbulojnë mungesën e kreativitetit të vazhdueshëm në fazën ofensive.
Situata e Vinicius Jr pritet të monitorohet nga afër në javët në vijim, ndërsa drejtuesit e klubit madrilen po përgatisin skenarë të ndryshëm për të ardhmen e skuadrës.
Ndërkohë, ende nuk dihet nëse PSG-ja do ta pranojë shitjen e Vitinhas pasi mbetet lojtar kyç në formacionin e Luis Enriques./Telegrafi/
















































