Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton votuesit jashtë Kosovës të komunave në të cilat do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar, se periudha e votimit përmes postës do të përfundojë më 8 nëntor 2025.

Gjithashtu, KQZ fton votuesit e regjistruar jashtë Kosovës që ende nuk kanë pranuar pakon e tyre me fletëvotim, që të kontrollojnë kutitë e tyre postare.

"Pas komunikimit me Postën e Kosovës, njoftojmë se një numër i dërgesave të padorëzuara në disa shtete në sistem figuron se pranuesve të pakove u është lënë njoftim për paraqitje, andaj është e nevojshme që të kotrollojnë kutitë e tyre postare, pasi kanë mundur të mos vërejnë këto njoftime", njofton KQZ.


Periudha e votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave vlenë vetëm për 29,712 shtetasit e Republlikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).

Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim.
Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit, përmban:

fletëvotimin;

zarfin e fshehtësisë;

udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; dhe zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.

Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotim ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së.

Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ./Telegrafi/