Nga: Myles Burke / BBC (titulli: 'It is the role of justice to deal with this man': How the trial of Nazi war criminal Klaus Barbie shook the world)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në korrik të vitit 1987, 38 vjet më parë, një kriminel nazist lufte, i njohur si “Kasapi i Lionit”, u dënua me burgim të përjetshëm, nga një gjykatë franceze, për krime kundër njerëzimit. Katër vjet më parë, në vitin 1983, BBC raportoi mbi atë se si Franca po e përjetonte këtë përballje me të kaluarën e saj të errët.


Klaus Barbie [1913–1991] ishte i njohur si “Kasapi i Lionit”. Si shef i Gestapos në Lion, në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai kishte për detyrë të shkatërronte Rezistencën franceze dhe të pastronte qytetin - nën pushtim gjerman - nga popullsia hebreje. U bë famëkeq për mizorinë dhe sadizmin e tij, shpesh duke marrë pjesë personalisht në torturimin dhe vrasjen e të burgosurve. Ai dërgoi rreth 7 500 hebrenj francezë dhe luftëtarë të Rezistencës në kampet e përqendrimit dhe ekzekutoi 4 000 të tjerë.

Kur përfundoi lufta, pavarësisht se ishte i kërkuar nga autoritetet franceze për krimet e tij të tmerrshme, Barbie u rekrutua nga shërbimet amerikane të inteligjencës si një informator për rrjetet komuniste. Ata e mbrojtën, duke i mundësuar të jetonte në zonën amerikane të Gjermanisë së pushtuar, nën një identitet të rremë. Në vitin 1951, Barbie arriti t’i shpëtonte drejtësisë duke ikur në Amerikën e Jugut nëpërmjet të ashtuquajturës “Rruga e Miut” (Ratline), të cilën ShBA-ja e përdorte për të nxjerrë nazistët nga Evropa e pasluftës. Ai jetoi lirshëm në Bolivi, për dekada të tëra, derisa u gjurmua nga një çift që kërkonte nazistët - Serge Klarsfeld dhe bashkëshortja e tij Beate. Në vitin 1983, Franca më në fund arriti ta ekstradonte për ta përballur me drejtësinë. Dhe, në korrik të vitit 1987, ai u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm.

Por, ndjekja penale ndaj Barbiet nuk ishte çështje e thjeshtë për Francën. Rikthimi i nazistit nxiti pyetje rreth fajit dhe bashkëpunimit, duke e përqendruar vëmendjen e vendit te zgjedhjet që kishin bërë qytetarët francezë nën pushtimin gjerman. Në vitin 1983, katër vjet para se Barbie të dënohej, gazetari i BBC-së, Bernard Falk, udhëtoi në Lion për të folur me njerëz “jeta e të cilëve ishte prekur nga egërsia e komandantit të Gestapos” dhe çështjet e ndërlikuara e të dhimbshme që po ngjallte gjyqi i afërt ndaj Barbiet.

“Prania e Klaus Barbiet, sërish në tokën franceze, ka zgjuar gjithashtu një frikë të vërtetë se mund të rikthejë kujtimet dyzet vjet të vjetra, fantazmat e dikurshme,” tha Falk. “Nga një kohë kur francezët tradhtonin francezët dhe vendi ndahej në ata që luftonin kundër gjermanëve - Rezistenca - dhe ata që bashkëpunonin me ta, si dhe pjesa më e madhe e popullsisë që e pranonte pasivisht praninë e tyre.”

Luftëtari i Rezistencës, Raymond Basset, reflektoi mbi këtë trashëgimi: “Në kohën e çlirimit të Lionit, ishin rreth 6 000 anëtarë të Rezistencës në zonë. Tre ditë më vonë, numri ishte 110 000. Kjo ndoshta shpjegon shumëçka për jetën franceze sot. Pse? Sepse patriotë u bënë vetëm atëherë kur nuk kishte më asnjë rrezik. Kaq.”

Kur Franca u dorëzua ndaj Gjermanisë në qershor të vitit 1940, qyteti i Lionit u kthye në një qendër të lëvizjes së Rezistencës në ilegalitet. Basset dhe operatori i radios, Marcel Bidault, ishin ndër të rinjtë që iu bashkuan herët luftës kundër pushtimit nazist. “Basset drejtonte një grup të Rezistencës që kishte për detyrë të kontrabandonte aviatorët e rrëzuar të Aleatëve përtej Pirenejve në Spanjë,” tha Falk. “Katër mijë ushtarakë britanikë, amerikanë dhe të Komonueltit ia kanë borxh jetën njësisë së Bassetit.”

Por, për çdo njeri që rezistoi aktivisht ndaj nazistëve, kishte shumë më tepër të tjerë që përpiqeshin të qëndronin të heshtur, me shpresën se do të mbijetonin. Ndërkohë, shumë të tjerë i mirëpritën nazistët - madje formuan milici për të marrë pjesë në terrorizimin e banorëve të qytetit. Basseti e përjetoi këtë drejtpërdrejt kur u arrestua dhe u mor në pyetje, në mënyrë brutale, ndërkohë që ia nxorën dhëmbët një nga një. “I kapur nga Gestapoja, ai u torturua që të tregonte emrat e korrierëve të tij,” tha Falk. “Dy burrat që e gjymtuan ishin francezë të cilët punonin për gjermanët.” Bashkëpunëtori i Bassetit, Bidault, “u kap nga milicia franceze që bashkëpunonte me nazistët. Ai arriti të arratisej përpara se vetë bashkëkombësit e tij ta dorëzonin te Gestapoja.”

Pas çlirimit të Francës në vitin 1944, njerëzit që mendohej se kishin bashkëpunuar me gjermanët, u grumbulluan në një vend. Shumë prej tyre u poshtëruan publikisht. Grave që kishin pasur lidhje me ushtarë gjermanë, ua rruan flokët ose u zhveshën dhe u lyen me katran. Ata që kishin bashkëpunuar me Gestapon, u rrahën në rrugë dhe disa u gjykuan e u pushkatuan, përfshirë ata që kishin torturuar Bassetin. “I vrava, sigurisht; i vramë pas çlirimit, nuk ka nevojë t’jua jap emrat e tyre,” i tha BBC-së në vitin 1983 - Basseti, atëherë 75 vjeç. “Ata kishin dalë në pension me sasi të mëdha parash, të vjedhura nga hebrenjtë.”

Por, në dekadat pas luftës, pushtimi gjerman dhe plagët që la në shoqërinë franceze, nuk ishin harruar. Shumë nga banorët e Lionit ishin ende të përndjekur nga ajo çfarë kishte ndodhur gjatë asaj kohe. “Për të moshuarit, për ata që vuajtën, Barbie nuk ishte larguar kurrë. Gjithçka është ende këtu: fushëbeteja ku Rezistenca luftoi ushtrinë gjermane, nëpër rrugicat e qytetit të vjetër. Të njëjtat rrugë, të njëjtat ndërtesa,” tha Falk.

Me “Kasapin e Lionit” të rikthyer në vend për gjykim, Basseti ishte i përcaktuar që Franca të përballej me të kaluarën e vet. Ai i tha BBC-së se shefi i Gestapos duhet të detyrohej të përmendte francezët që kishin bashkëpunuar me nazistët dhe që kishin shpëtuar nga drejtësia. “Mendoj se marrja në pyetje e Barbiet do të sjellë shumë probleme, sepse me siguri ka burra që kanë qenë të implikuar me të,” tha Basset. Ai i shprehu gjithashtu Falkut dëshirën për hakmarrje. Ai do të dëshironte të kishte pasur mundësinë ta merrte vetë në pyetje Barbien, dhe të ushtronte ndaj tij të njëjtin ndëshkim që kishte përjetuar vetë.

Në veçanti, të mbijetuarit donin të dinin “emrin e personit që e kishte tradhtuar Jean Moulinin - udhëheqësin më të madh të Rezistencës franceze - i cili u arrestua në Lion pas një tradhtie,” tha Falk. Moulin ishte një figurë kyçe gjatë luftës, që bashkoi fraksionet e shpërndara të Rezistencës në një forcë të koordinuar kundër pushtuesve nazistë. Ai u torturua mizorisht nga Barbie dhe vdiq si pasojë e plagëve - më 8 korrik 1943, në një tren që e çonte drejt Gjermanisë.

“Gjatë pushtimit kishte shumë francezë që vërtet luftuan, por shumica e kaluan kohën duke kërkuar ushqim,” i tha Basset, Falkut. “Tani që Barbie është këtu, njerëzit do përpiqen ta përdorin për çfarëdo arsye. Por, ajo që duhet bërë është thjesht të zbulohet emri i atij që tradhtoi Jean Moulinin. Pasi kjo të jetë bërë, ai duhet shkelur si një morr. Është një kafshë e ndyrë që nuk duhet të lejohet të jetojë. Nëse e quan urrejtje këtë, atëherë po, është urrejtje.”

Pas kthimit të tij në Francë, Barbie nuk shfaqi kurrë pendesë për mizoritë që kishte kryer. Disa mendonin se nazisti nuk mund të besohet se do të thotë të vërtetën dhe se do ta përdor gjyqin për qëllimet e veta personale. “Hapja e çështjes Barbie është mjaft dramatike, sepse do të përmenden emrat, dhe nëse Barbie vendos të flasë, ai mund të njollosë shumë njerëz,” tha Jeremy Nicklin, kryetar i Shoqatës së Forcave Ajrore Mbretërore [RAF] në Lion, ku shumë familje të ish-luftëtarëve të Rezistencës mblidheshin rregullisht.

"Nuk ka rëndësi çfarë emrash përdor, mund të përdorë çfarëdo emri - balta do të ngjitet dhe ajo që i tremb njerëzit, në njëfarë mënyre, është se ai do të hedhë shumë baltë, sepse nuk ka më asgjë për të humbur," tha Nicklin.

Shoku i Bassetit në Rezistencë, Bidault, pajtohej që dëshmia e nazistit nuk mund të besohej plotësisht, por tani ishte detyra e gjykatës që të merrte në dorë çështjen, të filtronte provat dhe të sigurohej që drejtësia të vihej në vend. "Më vjen keq që nuk vdiq më herët; 40 vjet janë një kohë shumë e gjatë. Çfarë do të thotë ai tani? Kë do ta denoncojë? Dhe, nëse denoncon dikë, si mund të vërtetosh se Barbie ka të drejtë?" - i tha Bidault, BBC-së, në vitin 1983. "Unë personalisht do ta kisha vrarë para 35 vitesh. Tani është puna e drejtësisë të merret me këtë njeri. Nuk është më puna ime."

Gjyqi ishte një proces i dhimbshëm për Francën; plagët e shkaktuara nga Barbie dhe nazistët ishin ende të freskëta në kujtesën e gjallë. André Signol kishte qenë vetëm shtatë vjeç kur babai i tij, Michel, u arrestua për pjesëmarrje në Rezistencë. "E rrahën me kamxhikë, e zhytën gjysmë të mbytur në vaskë me ujë të akullt. Barbie ia nxori thonjtë e duarve dhe të këmbëve. Torturat zgjatën katër ditë. Michel nuk foli, nuk i tradhtoi kurrë shokët," tregoi Falk. Babai i Signolit do të nderohej pas vdekjes me dekoratën e Legjionit të Nderit.

Por, Signol besonte se - pavarësisht dhimbjes që do të shkaktonte gjyqi dhe nevojës së tij për hakmarrje - ta shihje Barbien në gjykatë ishte thelbësore për t’i treguar brezit të ri çfarë kishte ndodhur. "Sa për Klaus Barbien, unë mendoj se ky njeri duhet të ishte i vdekur," tha Signol. "Ai nuk ka shprehur kurrë asnjë pendesë për veprimet e veta, kështu që vazhdon të jetojë jetën dhe ka shpresë. Kjo është plotësisht jonormale. Gjyqi është absolutisht i domosdoshëm për të mësuar brezin e ri mbi atë që ka ndodhur."

Në vitet 1950, Barbie ishte dënuar dy herë për krime lufte nga Franca dhe ishte dënuar me vdekje “në mungesë,” por kur u rikthye në vend në vitin 1983, të dyja dënimet kishin rënë. Gjyqi i ri nisi në vitin 1987, dhe mbulimi i gjerë mediatik tërhoqi vëmendjen e publikut francez. Dëshmitë rrëqethëse nga viktimat që kishin mbijetuar dhe të afërmit e atyre që nuk mbijetuan, zbuluan përmasat dhe egërsinë e mizorive të “Kasapit të Lionit”. Edhe pse Barbie kurrë nuk zbuloi kush e kishte tradhtuar Jean Moulinin, procesi gjyqësor dokumentoi dhunën e sëmurë në të cilën ai kishte marrë pjesë vetë, si dhe mijëra vrasje për të cilat ishte përgjegjës - përfshirë një episod të veçantë, kur 44 fëmijë hebrenj u rrëmbyen nga një fermë në Izju, pranë Lionit, dhe u dërguan drejt vdekjes.

Gjyqi i Barbiet u kthye në një moment të ballafaqimit kombëtar për Francën, teksa vendi kujtonte njëkohësisht bashkëpunimin dhe rezistencën e tij gjatë pushtimit gjerman. Gjithashtu, gjyqi hodhi dritë mbi mënyrën se si ndjekja e objektivave politike nga qeveritë perëndimore kishte lejuar që Barbie dhe nazistët e tjerë t’i shpëtonin përgjegjësisë për krimet e tyre për kaq shumë kohë. Fakti që Barbie pati një jetë të suksesshme në Amerikën Latine - duke punuar për agjenci të ndryshme të inteligjencës dhe duke u përfshirë në projekte politike - shfaqi bashkëfajësinë e qeverive perëndimore dhe gatishmërinë e tyre për të injoruar dhunën ndaj civilëve dhe shkeljet e të drejtave të njeriut përballë interesave gjeopolitike.

Udhëheqësi i Gestapos u shpall fajtor për 341 krime të veçanta kundër njerëzimit, duke rikonfirmuar se, nga pikëpamja ligjore, individët mbajnë përgjegjësi për veprimet e veta edhe nëse veprojnë sipas urdhrave. Ai u dënua të kalonte pjesën e mbetur të jetës në burg, ku vdiq në vitin 1991. Në vitin 1983, ShBA-ja kërkoi zyrtarisht falje ndaj Francës për rekrutimin e Barbiet dhe për mbrojtjen e tij nga ndjekjet penale. Në 1995, presidenti francez Jacques Chirac e pranoi zyrtarisht përgjegjësinë e shtetit francez në deportimin e hebrenjve. “Këto orë të errëta njollosin përgjithmonë historinë tonë dhe janë fyerje ndaj së kaluarës dhe traditave tona,” tha ai.

Ndjekja penale e “Kasapit të Lionit” u bë një pikë kthese në ndjekjen e krimeve që konsiderohen ndër më të rëndat në të drejtën ndërkombëtare - krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Suksesi i këtij procesi çoi më pas në ngritjen e aktakuzave ndaj bashkëpunëtorëve francezë, si ish-ministri i kabinetit, Maurice Papon, dhe ish-shefi i Policisë, René Bousquet, për veprime të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dënimi i Barbiet i tregoi komunitetit ndërkombëtar domosdoshmërinë për të njohur mizoritë që ndodhën gjatë luftës dhe, qoftë edhe dekada më vonë, për të kërkuar lloga ri nga përgjegjësit. /Telegrafi/