Në episodin më të fundit të podcast-it të tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal ndër të tjera te zgjedhjet lokale dhe te kandidatura e aktorit të njohur të humorit, Florjan Binaj, i cili garon si kandidat i pavarur për Bashkinë e Tiranës.Rama, me tone ironike, komentoi përzgjedhjen e opozitës, duke thënë se ka vendosur të sfidojë Partinë Socialiste në Tiranë me një aktor humori.

Ai kujtoi se dikur vetë Binaj, përmes imitimit të tij në emisionin “Portokalli”, kishte argëtuar edhe anëtarët e Partisë Socialiste.


“Opozita ka zgjedhur një aktor humori për Tiranën, që dikur me imitimet për mua shkrinte gazi Kongresin e PS-së", tha Rama gjatë podcast-it.

Foto: YouTube

Deklarata e tij solli një reagim të menjëhershëm nga vetë Florjan Binaj, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale iu përgjigj kryeministrit me tone të ashpra dhe ironike.

Aktori e cilësoi Ramën si “aktorin më të madh të Shqipërisë”, duke e akuzuar për mashtrime ndaj qytetarëve.

“Aktori më i madh në Shqipëri është Edi Rama, që u merr 140 milionë euro qytetarëve duke ‘i bindur’ se po bën incenerator pa vënë asnjë tullë! Prestigjator”, shkroi ai.

- YouTube www.youtube.com

Kandidatura e Binajt për Bashkinë e Tiranës është pritur me interes të madh në opinionin publik, duke sjellë një përplasje të hapur mes figurave politike dhe artistike.

Debati është intensifikuar sidomos pas qëndrimeve të fundit të Ramës, i cili ka ironizuar shpesh kundërshtarët e tij politikë për zgjedhjet që bëjnë në Tiranë. /Telegrafi/