Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka njoftuar se sot është dorëzuar një kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese pas bllokimit arbitrar të buxhetit të Kryeqytetit nga Ministria e Financave.

Në një reagim publik, Rama theksoi se ky veprim i paprecedentë rrezikon funksionimin e shërbimeve bazë për qytetarët, duke përfshirë pastërtinë, sigurinë sociale, mirëmbajtjen e infrastrukturës, si dhe pagesat për punëtorët dhe kontraktuesit.


“Kjo është një goditje politike ndaj Kryeqytetit dhe qytetarëve, të cilën nuk mund ta tolerojmë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Prishtinës bëri të ditur se kërkesa në Gjykatën Kushtetuese synon mbrojtjen e ligjit, pavarësinë institucionale të komunave, të drejtave të qytetarëve dhe funksionimit të Kryeqytetit.

“Në një kohë kur Prishtinës i duhen zgjidhje, jo pengesa, presim vendimmarrje të shpejtë dhe të drejtë që t’i hapë rrugë zbatimit të ligjit dhe rikthimit të stabilitetit financiar”, shtoi Rama. /Telegrafi/