Qytetarë në Mitrovicë të Jugut janë ankuar për ndryshim të qendrës së votimit në zgjedhjet e sotme lokale.

KosovaPress ka qëndruar gjatë ditës në qendrën e votimit në shkollën “Migjeni”, ku qytetari Jakup Halili, pasi kishte shkuar për të votuar në këtë qendër, u njoftua se i është ndryshuar qendra e votimit.


Ai u shpreh i frustruar me një gjë të tillë, pasi theksoi se 26 vjet ka votuar në këtë qendër. Madje u shpreh kritik, siç tha: “po luajnë me popullin duke i shëtit poshtë e përpjetë”.

“Se 26 vjet votoj këtu, tash pas 26 viteve më dërgojnë në Zhabar. Për çka? A nuk është manipulim i këtij pushteti a? Me luajt me popullin dhe shëtit poshtë e përpjetë. Një anëtar të familjes e dërgojnë këtu, tjetrin në fakultet, të tjerët i dërgojnë në Zhabar”, theksoi ai.

Në anën tjetër, qytetari Florim Arifi, pasi shfrytëzoi të drejtën e tij demokratike për të votuar, tha se në garën për kryetar të Mitrovicës së Jugut, le të fitojë më i miri.

“Kush është më i miri... Ta shohim kush është më i miri”, deklaroi Hajrizi.

Ndërkaq, qytetarja tjetër, Miradie Gashi, tha se kushdo që fiton, le të bëhet mirë për qytetin e Mitrovicës së Jugut.

KosovaPress ka vizituar edhe qendrën tjetër të votimit në shkollën “Trepça” në Stantërg, ku menaxheri i kësaj qendre votimi, Nysret Sejdiu, tha se i tërë procesi po shkon në rregull dhe pa ndonjë problematikë të theksuar.

“Procesi i votimit ka filluar në orën 07:00. Gjithçka ka qenë në rregull dhe vendvotimi është hapur me kohë... Numri i votuesve në këtë shkollë është 1,034 votues... Deri tani kanë dalë afër 100 votues, apo 10 për qind”, deklaroi ai.

Të drejtë vote në Mitrovicë të Jugut kanë 85 mijë e 833 qytetarë, kurse janë 32 qendra të votimit.

Në Mitrovicë të Jugut janë duke garuar tre kandidatë për kryetar. Kandidat i PDK-së për kryetar është Arian Tahiri, kandidat i LVV-GUXO është Faton Peci, ndërsa kandidat i LDK-së është Gëzim Plakolli.