LAJMI I FUNDIT:

Qysh duhet ta qitni votën, këtë të diele?

Qysh duhet ta qitni votën, këtë të diele?

Shumë shpejt do të përfundojë fushata e partive politike, për zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021.

Në listën votuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë një milion e 885 mijë e 448 qytetarë të vendit. Në mesin e tyre është një numër i konsiderueshëm i votuesve të rinj që do të votojnë për të parën herë.


Votimi do të ndodhë në 38 komuna të Kosovës. Në këto zgjedhje janë 158 kandidatë për postin e krerëve të komunave. Në mesin e tyre janë 12 gra në nivel vendi.

Besoj se gjatë fushatës – si dhe para fushatës zyrtare zgjedhore – keni pasur mundësi, secili prej jush, për t’u njoftuar dhe për t’i shikuar projektet e kandidatëve në komunën tuaj, anekënd vendit, dhe se tashmë keni vendosur se për kë do të votoni.

Këshilla ime është: Votoni për projektin e jo për partinë, sepse problemet e juaja janë praktike e jo politike.

Pra, duhet të përfundojë koha kur ne si qytetarë votojmë vetëm sipas bindjeve partiake.

Jemi në vitin 2021, kohë kjo kur bota ka bërë zhvillime të mëdha në aspektin ekonomik, teknologjik e inovativ, e ne ende flasim për mungesë të ujit të pijes, të kutërbimit që vjen nga kanalizimet, të mungesës së shkollave nëpër lagje, të hapësirave publike, për kafshimin nga qentë endacakë etj.

Ka kaluar koha kur duhet ta votojmë një kandidat ose kandidate për kreun e cilësdo komune, sepse është nga një parti që vazhdimisht e kemi votuar. Është koha të votojmë kandidatin/en më të mirë, në çdo komunë; ta votojmë idenë, projektin e iniciativën më të mirë; të ardhmen e fëmijëve e të tashmen e prindërve tanë.

Duhet të votojmë për një shteg më të mirë të çiklizmit, për një kopsht, shkollë a bibliotekë më shumë, për një ambient më të pastër, për një hapësirë me më shumë gjelbërim, për një fushë sportive … në fshatin e në lagjen tonë.

Mendoni për këto tema kur ta qitni votën.

Mendoni për mungesën e ujit, për kutërbimin e kanalizimit, për mungesën e trotuareve, për rrugën e pashtruar, për kaosin urbanistik …

Mos votoni me ndjenja, por me rezon.

Votojeni projektin që është më i miri për katër vjetët e ardhshme; për projektet që ua lehtësojnë jetën – juve e familjes, fëmijëve e prindërve tuaj.

Kryetari i ri i Prishtinës i di punët që e presin
Lexo po ashtu Kryetari i ri i Prishtinës i di punët që e presin