LAJMI I FUNDIT:

Kryetari i ri i Prishtinës i di punët që e presin

Kryetari i ri i Prishtinës i di punët që e presin

Sivjet do të zhvillohet një garë e nxehtë për parinë e re të kryeqytetit të Kosovës.

Arben Vitia nga LVV, Përparim Rama nga LDK, Uran Ismaili nga PDK, Daut Haradinaj nga AAK e Selimi Pacolli nga AKR janë kandidatët kryesorë për postin e kryetarit të Prishtinës.

Por, se cilat janë nevojat elementare të banorëve të Prishtinës, besoj se ato i di çdonjëri nga këta kandidatë.

Prishtina ka nevojë për gjëra konkrete, për projekte që i prekin njerëzit nëpër lagje, në periferi e fshatra.

Zhurma e lartë gjatë natës në pjesët urbane; muzika e lartë dhe mungesa e parkingjeve, janë disa nga problematikat që kandidatët duhet seriozisht t’i mendojnë.

Lagjet dhe zonat e reja në periferi kanë nevojë për shkolla të reja sepse, siç dihet, numri i nxënësve në klasë të parë në Prishtinë shkon deri në 40. Pastaj duhen kopshtet e reja, hapësirat gjelbëruese, rekreative e sportive, infrastruktura e duhur rrugore e qasja në ngrohtoren qendrore (Termokos)…

Problem në disa fshatra më të thella të Prishtinës mbetet ende infrastruktura, mungesa e kanalizimeve dhe e ujit të pijes, duke mos i lënë anash as shërbimet shëndetësore. Ndërsa, problem madhor në qytet vazhdon të jetë tollovia në komunikacion, mungesa e parkingjeve për vetura, si dhe trafiku i saktë e efektiv urban që eliminon operimin e taksive ilegalë.

Jeta kulturore në Prishtinë është e zbehtë për çka, në mungesë të ndonjë aktiviteti tërheqës, njerëzit ikin në Shkup, në Tiranë e gjetiu. Ka pak  turizëm fshati e malor (veror e dimëror) në fshatrat e Prishtinës. Ndërsa, sa i përket problemeve infrastrukturore, planit urbanistik, buxhetit komunal, investimeve kapitale, ndotjes së ajrit, deponive ilegale e temave tjera (Kliko këtu: vegëza 1 dhe vegëza 2) … ato janë të listuara nga Instituti GAP, veç duhet një sy me ua leshu.

Prandaj, kandidatët sivjet punën e kanë të lehtë; temat tashmë janë të qarta, nevojat janë të qarta si dhe stagnimi i viteve të fundit. Nga ta kërkohen vetëm zgjidhjet.